MENU
klinika

"Princi i vogël" që ngjit në skenë një aktore të madhe

“PRINCI I VOGËL” i Yllka Mujos

23.08.2018 - 14:23

Nga Ilnisa Agolli/ 

“Për ne, për ne që e njohim jetën, numrat janë një pesë me hiç! Do të kisha dashur ta filloja këtë histori ashtu siç fillohen përrallat. Do të më kishte pëlqyer, ta nisja, bie fjala, kështu: Na ishte një herë një princ i vogël, dhe rronte ky princi mbi një planet ca pak më të madh nga ai vetë, dhe na kishte nevojë për një mik…

Për tërë ata që e dinë se çfarë është jeta, kjo do të tingëllonte shumë më e vërtetë.”

Ky është “Princi i vogël” që ngjit në skenë një aktore të madhe.

Yllka Mujo sjell librin e magjishëm të Antoine de Saint-Exupery i cili e sheh botën me sytë e një fëmije për të arritur përfundimet e një të rrituri. Fare thjeshtë. Sepse vetëm zemra sheh më mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm.

I botuar për herë të parë më 6 prill 1943 në New York dhe i përkthyer në thuajse të gjithë gjuhët e botës ky romanth mbetet edhe sot e kësaj dite një ndër librat më të lexuar të të gjitha kohërave.

Antoine de Saint-Exupery përmes përrallës arrin të prekë të “vërtetat e mëdha” të cilat edhe pse përfshijnë tema të kohës në të cilën jetonte duket se janë më shumë aktuale sot.

Një përrallë shumëdimensionale sa i takon interpretimeve të saj, si në kuptimin ekologjik për të mbajtur pastër planetin apo kuptimin fantastiko-shkencor me gjithë optimizmin dhe pesimizmin për të ardhmen e deri në pjesët teatrore përmes teksteve plot imagjinatë që paraqet.

Si duket është pikërisht kjo ajo që ka ngacmuar regjisorin Armando Bora për të sjellë para publikut të Vlorës këtë gusht fatin e realitetit tonë duke e lidhur me rrugën e gjatë të këtij Princi që këtë vit mbushi plot 75 vjeç.

Ideja e tij për të vazhduar projektin e teatrit të prozës në njëfarë mënyre tregon se asgjë nuk ka ndryshuar në rrjedhën e historisë. Nisma e z.Bora pas “Ditarit të një Ambasadori” (Ditari diplomatik i Besnik Mustafajt) të sjellë në formën e një monodrame, lexuar nga Virgjil Kule do të bënte që këtë vit, në këtë zhanër të ri kulturor të ishte protagoniste e rrëfimit një nga aktoret më të mira shqiptare Yllka Mujo në një tjetër regji të tij. Princi i vogël” zbriti në Parkun Arkeologjik të Orikumit duke prekur shpirtin dhe vëmendjen e të gjithë të rriturve.

“Ky projekt është realizuar vitin e kaluar.. E veçanta e kësaj here ishte elementi muzikor, piano dhe vendi ku u lexua” rrëfen regjisori Bora. “Kur dëgjoja Yllkën të lexonte, teksti më vinte si partiturë muzikore dhe që aty me lindi ideja të provonim një lexim ku të futej një instrument jo si shoqërues momentesh muzikore, por që historia të kthehej në një dialog midis tekstit dhe muzikës.”

Aulon Naci është kompozitori dhe pianisti i Princit të Borës që studimet i ka kryer në Itali. Regjisori kishte dëgjuar disa pjesë muzikore dhe më pas i propozoi këtë bashkëpunim që i bëri bashkë në Vlorë. Fillimisht në një provë, madej në një shfaqje. Vendi ishte interesant dhe shumë mistik, brenda bazës së Pashalimanit. Vetëm në një ambient të tillë ” Princi i Vogël” mund të zbriste në tokë.

“Kjo më dha dorë për të krijuar idenë se ajo histori po ndodhte në kohë reale. Gjithashtu spektatorët e morën këtë ndjesi dhe tabloja u kompletua” pohon Bora duke shtuar se ishin 200 syresh të ulur jo vetëm në karrige por edhe në shilte të vendosura në tokë. Mes tyre kryetari i Bashkisë, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Konsullja në Vlorë dhe artistë të qytetit”.

“Princi i Vogël”, ky libër për fëmijë nga mosha 7 deri më 77 vjeçarë i cili rrok të zgjojë fëmijën brenda nesh duket se edhe Yllka Mujon e mban lidhur me fëmijën brenda saj duke mos i ndërprerë kurrë ëndrrat. Ajo u shpreh se : ” Kjo përrallë , ka qenë historia e cila më ka shoqëruar në udhëtimin tim si miqësia pa kushte dhe frymëzuese qysh në rininë time të hershme. Është përralla që më përlot sa herë e përjetoj përgjatë leximeve.

Femijëria ( tanimë e ndërgjegjshme) është një dhurate e rrallë që të bën ta shohësh çdo ditë si një zbulim drejt planetit të vetvetes.

Është një ëndërrim që kam fatin ta transmetoj herë pas here, me gjithë qënien time. Prandaj dhe falenderoj me zemer Armand Borën që ma krijoi mundësinë për të ndarë këtë perlë nëpër shpirtra që kanë kënaqesinë t’i kthehen femijerisë përmes dëgjimit.

Të gjithë e dimë që të folurit është plot keqkuptime, që duhet me “dijtë me dashtë” që të mund të zbutësh ata që na rrethojnë. Për të patur një mik është nje dhuratë e rrallë dhe e çmuar ndonjëherë të rriturit kanë nevojë për shpjegime. Por ajo që është më e rëndësishmja është se :

” Ajo që është e rendësishme nuk duket. Duhet të shohësh me zemer”.

Më ka mbetur zakon nga leximi i parë, që ndonjëherë naten ngre sytë drejt qiellit dhe pyes nëse ” Delja e ka ngrene apo jo, lulen e princit të vogel?”

Paskësaj , yjet më qeshin të gjithë njëherësh!

Këtë perralle filozofike e dua. E dua thellësisht në heshtje!”

Dhe ka të drejtë.

Është pikërisht kjo ajo që shpesh na ngatërron padashur. Heshtja që ndonjëherë harrojmë të lexojmë brenda nesh: për të dashur më shumë dhe arratisur më shpesh drejt një bote fantastike. Shumë më larg dhe shumë më ndryshe nga kjo e jona…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit