Duhet të presim akoma për të parë thyerjen e rekordit të 100 metrave për meshkuj. Sprinteri amerikan Ronnie Baker ka vendosur në turneun e zhvilluar në Chorzow të Polonisë kohën më të shpejtë sezonale në garën e 100 metrave.
Atleti ndali kronometrin në 9” 87, që është rezultati më i mirë në këtë distancë për këtë vit, por kjo kohë është shumë larg rekordit botëror 9” 58 që mbahet nga atleti xhamajkan Usain Bolt.
Për atletin 24-vjeçar amerikan, kjo është koha e tij personale më e mirë, kohë që theu edhe rekordin e turneut, 9” 98, që ishte vendosur nga Bolt në vitin 2014.
“Jam në formë dhe ndihesha i lehtë në pistë kur vrapoja”, – u shpreh Ronnie Baker, që është fitues i medaljes së bronztë në garën e 60 metrave në Botërorin e sallave të mbyllura. Ndërsa Bolt tani ka zgjedhur të luajë futboll.