MENU
klinika

Me pushime në Durrës

Sa plazhe të virgjëra kanë mbetur në Durrës?

25.08.2018 - 12:25

Dikur, kur plazhi i Durrësit nuk ishte i ndotur dhe kur Jala e Dhërmiu nuk ishin kaq shumë në modë, turistët merrnin rreze dielli të kënaqur nën hijen e një qyteti që të ofronte gjithçka për pushime. Kjo ndodhte para mbipopullimit me objekte betoni që iu bë ndër vite kësaj vije bregdetare me plazhe ranore dhe pisha të gjata e të freskëta, ku nuk është e detyrueshme të lëndosh këmbët nëpër gurë e shkëmbinj e ku mund të marrësh me vete fëmijët, prindërit dhe gjithë fisin.

Por përtej imazhit të një qyteti të zhurmshëm, plazhi i të cilit prej kohësh është bërë demode dhe deri diku “patriotik”, Durrësi ka ende zona të paprekura në bregdetin e tij, të cilat vijojnë të ruajnë magjinë e një plazhi të virgjër. Njëri prej tyrë është sa kalon zonën e Currilave dhe i ngjitesh kodrës, në një rrugë të pashtruar dhe të ngushtë, por jo shumë të gjatë. Bëhet fjalë për plazhin e Kallmit, vetëm 8 kilometra larg qendrës së qytetit, i cili ofron një kombinim të rërës me guralecat, duke e bërë unik në llojin e tij.

Po ashtu vija bregdetare e Durrësit ofron edhe plazhe të tjerë po kaq mahnitës për peisazhin e tyre, sikurse plazhi i Rërës së Bardhë, Bishti i Pallës dhe Kepi i Rodonit. Të treja këto plazhe i gjen pak pasi kalon Gjirin e Lalëzit. Në afërsi të Lalëzit, gjen edhe plazhin e Shënpjetrit, një plazh interesant dhe i virgjër që thuhet se është formuar nga valët e detit. Për të shkuar atje mund të përdorësh edhe rrugën automobilistike që nga Durrësi në Rrushkull e më pas drejt këtij plazhi.

Teksa Kepi i Rodonit, që mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashëm me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, është një nga pjesët më të bukura dhe strategjike të bregdetit shqiptar. Aty mund të vizitosh edhe kishën e Shën Ndout, një ndërtesë që i takon arkitekturës romano-gotike të shek. XIII.

Nga heroi historik ka marrë emrin edhe “Bishti i Pallës”, vënd në të cilin thuhet se Skënderbeu fitoi betejën kundër turqve duke dalë me pallë në dorë. Megjithatë duke filluar nga viti 2005 Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë përdor toponimin “Kepi i Palit” por nga pjesa më e madhe e shqiptarëve njihet me emrin “Bishti i Pallës”.

Këto plazhe nuk janë gjithçka që ofron Durrësi pasi në të dalë të këtij qyteti, kur nisësh për në Rrogozhinë, në periferi të Kavajës merr kthesën djathtas dhe pasi kalon rreth 7 km rrugë fshati (herë-herë me asfalt dhe më pas me zhavorr në fshatrat Synej, Hajdaraj, Bago, Rrikaj dhe Karpen), shfaqet mrekullia e plazheve të Shqipërisë së Mesme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN