MENU
klinika

Harta...

Sa vite të tjera jeton mesatarisht një 60-vjeçar në Shqipëri

20.08.2018 - 11:36

Sipas një harte të re, jetëgjatësia e shqiptarëve ndodhet në fashën e 78-80 vjeç, e shënuar me ngjyrën e verdhë.

E përpiluar nga organizata HelpAge, me të dhënat e OBSH, tregohet për 195 shtete në botë se sa mendohet se është aktualisht jetëgjatësia e një 60-vjeçari kudo në botë. Për Shqipërinë dhe një pjesë të mirë të shteteve ballkanike, një 60-vjeçar pritet që të ketë një jetëgjatësi nga 18-20 vjet.

Sipas studimit, jetëgjatësia në 60 vjec është numri mesatar i viteve që një person në atë moshë mund të pritet të jetojë, duke supozuar se nivelet e vdekshmërisë specifike të moshës mbesin të ndryshueshme në mënyrë të vazhdueshme.

Ky është një vlerësim më i mirë i mbijetesës, brenda kursit të jetës së të rriturve, se sa jetëgjatësia në lindje, veçanërisht për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Jetëgjatësia në lindje ndikohet jashtëzakonisht nga nivelet e larta të vdekshmërisë foshnjore dhe prandaj na tregon pak për mbijetesën e të rriturve.

Sipas të dhënave të HelpAge, në botë jetëgjatësinë me të lartë pas 60 vite, e kanë japonezët, me 26 vite, të ndjekur nga francezët dhe spanjollët me 25 vite. Ndërsa në Ballkan kryesojnë boshnjakët me 21 vite dhe malazezët me 20.

Serbët, shqiptarët dhe maqedonasit në moshën 60-vjeçare, pritet të kenë një jetëgjatësi mesatare prej 19 vitesh.

Në botë, jetëgjatësinë më të vogël pas moshës 60 vjeç, e kanë banorët e Sierra Leones, prej 13 vitesh dhe nigerianët me 15 vite.

Një tjetër studim i mëparshëm, nga Banka Botërore, për Shqipërinë ka gjetur se në vitin 2015 shihet se jetëgjatësia është në 78 vjeç. Një raport i Institutit të Shëndetit Publik thotë se jetëgjatësia në Shqipëri për vitin 2012 ishte më e ulëta në rajon për femrat (75 vjeç kundrejt 83 vjeç në Greqi, e cila kishte jetëgjatësinë më të lartë në rajon për femrat). Për sa i përket jetëgjatësisë për meshkujt, në vitin 2012, shifra më ulët haset në Serbi (72 vjeç) e ndjekur nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi (73 vjeç).

Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT, 2014), jetëgjatësia e pritshme në lindje në Shqipëri në vitin 2013 ishte 76.0 vjeç për meshkujt dhe 80.3 vjeç për femrat. Në dekadën e kaluar, vihet re një rritje e qëndrueshme për të dy gjinitë.

Megjithatë, gjatë dhjetë viteve të fundit, jetëgjatësia u rrit 4.4 vite te meshkujt, por vetëm 3.1 vite te femrat. /Monitor/