MENU
klinika

Jazz 'pushton' Shkodren

“Shkodra Jazz Festival”

26.08.2018 - 10:09

Metoda më e paqësore që afro-amerikanët përdorën për të kërkuar të drejtat e tyre ishte muzika Jazz. Një rrymë muzikore e konceptuar si manifestimi më i denjë i dëshirës për liri dhe i të kërkuarit të saj në rrugë paqësore e të kulturuar. Kjo ishte arsyeja pse kjo muzikë, ndonëse e krijuar në shtresën më të margjinalizuar të kontinentit amerikan, u njoh dhe u pëlqye shumë në botë.

Nën ritmet e saj përkujtohen shumë kalime nga mungesa e lirisë në liri. Në Gjermani, me muzikë Jazz përkujtohet rënia e Murit të Berlinit, ndërsa në kishat perëndimore, është kjo muzikë e cila shoqëron festën e Pashkëve çka simbolizon kalimin nga robëria e mungesës së shpëtimit në lirinë e jetës së pasosur.
E tillë do të jetë muzika që do të shoqërojë ditët e mbrame të gushtit e fillim shtatorit në Shkodër. Në qendër të qytetit, mjeshtrat shqiptarë e ndërkombëtarë të jazzit me artin e tyre do të kremtojnë kalimet që Shkodra ka pësuar nga robëria në liri.

Ky aktivitet do të organizohet nga Shoqata Kulturore “Rrok Jakaj” me mbështetjen e Bashkisë Shkodër e cila e mirëpret aktivitetin në edicionin e tij të nëntë. Edhe këtë herë, drejtimi artistik i është besuar Florjan Jakajt, vëllai i violinistit të famshëm, themelues i shoqatës dhe ideator i festivalit.

Mes artistëve pjesëmarrës do të jetë këngëtarja e mirënjohur amerikane e muzikës soul Joyce Elaine Yuille e cila ka kënduar përkrah yjeve si Gloria Gaynor, Donna Summer, Randy Crawford, Ronan Keating, Sister Sledge, Dee Dee Bridgewater e shumë të tjerë.

Ajo ka dëgjuar për Shkodrën dhe për mënyrën se si ky festival organizohet. Sipas saj, “…[festivali] i afrohet mënyrës se si e jetoj unë vetë muzikën” dhe për këtë arsye ajo e ka pranuar me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e tij.

Tjetër pjesëmarrës në këtë festival do të jetë edhe Paolo Marzocchi nga Pesaro e Italisë, mik i Shqipërise dhe në veçanti i Shkodrës që do të bëjë hapjen e “main concert” me datën 29 gusht në orën 19:00 dhe do të performojë folk bashkëkohor. Ai gjithashtu ka përgatitur dhe një surprizë për publikun dhe i lumtur pranon se “Më në fund do të luaj pjesët e mia aty ku kanë lindur”.
Udhëtimi muzikor do të përshkojë telat e kitarës së një prej ambasadorëve të muzikës spanjolle, kitaristit dhe kompozitorit Josè Maria Gallardo Del Rey duke kaluar më pas tek magjia e saksofonistit Diego Borotti, drejtor artistik i Festivalit të Jazz-it të Torinos, i cili me NU4tet i dha një koncept të ri të leksikut BOP bashkëkohor, duke ruajtur dashurinë për traditën.
Ata që e njohin muzikën jazz e dinë se ajo nuk mund të jetë pa saksofon. Neil Amstrong, figura më e madhe e jazzit botëror kishte gjithnjë si shoqërues skasofonin me të cilin herë luante vetë, herë të tjerë etër të jazzit të cilët e shoqëronin teksa këndonte. Për këtë arsye, në “Shkodra Jazz Festival” nuk kishte si të mungonin tingujt e saksofonit të cilët do të vijnë nga një prej saksofonistëve soprano më të mirë në botë, Michael Rosen.

E gjithë performanca e saksofonistit do të shoqërohet në piano nga mjeshtri shqiptar Markelian Kapedani. Ai do të mbahet mend si muzikanti ndërthuri natyrshëm traditën e shquar të muzikës perëndimore me meloditë popullore ballkanike duke ju dhënë një karakter të dukshëm jazz.

Edicioni i nëntë i “Shkodra Jazz Festival” përkon edhe me edicionin e dytë të “Rock Academy” e cila është çelur vetëm në degën jazz, nën drejtimin e Markelian Kapedanit. Sivjet do të çelet edhe një tjetër degë, ajo e muzikës klasike e cila do të drejtohet nga violinisti shkodran Paçalin Pavaci.

Paçalin Pavaci është një ndër muzikantët shqiptarë më të njohur ndërkombtarisht. Ai ka punuar në Orkestrën Filarmonike të Londres, Castleton Festival, Orchestra del Maggio Fiorentino, Orekstra Kombëtare e Spanjes, Orkestra Mbretërore Sinfonike e Seviljes, Teatri “Liceu” në Barcelonë, Teatri “Petruzzelli” e të tjerë duke ndarë dijen e tij me të rinjtë.
Puna që ai do të bëjë me ata që do të jenë pjesë e degës së muzikës klasike në “Rock Academy” ka për t’u parë në ditën e fundit të “Shkodra Jazz Festival” ku studentët e tij nën drejtimin e maestros do të organizojnë një koncert klasik.

Për disa ditë Shkdodra do të jetë nën pushtetin e Jazz-it. Së paku për disa ditë Jazz-i do të jetë “shpëtimi” prej robërimit që tallavaja i ka bërë qytetit.

Nga Andreas Dushi

Poezi nga Ismail Kadare

Në kohën kur të desha!

“La Traviata”, 82 vite më parë

Opera e parë që u vu në skenën shqiptare

“Në kufi, një berberhane dhe një dyqan veshjesh…”

Rregullat e rrepta për turistët që hynin në Shqipëri

Si u fut në industri me zërin e mrekullueshëm

13 vjet nga vdekja e Amy Winehouse