Në Greqi turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë. Këtë frazë e kupton realisht kur në destinacionet turistike të fqinjit jugor dëgjon, pronarë hotelesh e deri tek kamarierë grekë që të përshëndesin “çkemi shqipe” apo të urojnë në gjuhën tonë “rrugë të mbarë”. Për grekët turizmit është gjithçka, veçse jo politikë.
Ata i shërbejnë me përsosmëri e për këtë cilësi shërbimi mbeten të parët ndër destinacionet turistike të preferuar për anglezët, francezët, rusët, çekët, italianët…dhe për shqiptarët.
Edhe pse Lefkada dhe Kefalonia nuk janë pjesë e trevave shqiptare të aneksuara nga Greqia pas vendimit të 1913-ës të Konferencës së Ambasadorëve në Londër , nëpër rrugët e këtyre ishujve të ndodhte rëndom të përshendetesh në shqip nga bashkëkombas të cilët reagonin menjëherë ndaj tingujve të shqipes. Klara ishte një ndër to. E vendosur në Greqi pasi kishte lënë pas Sarandën në vitin 1994, Klara tregon se kishte pasur një rikthim të dytë në Shqipëri tri vite më parë.
“E provuam të riktheheshim. Nga dëshira edhe për të ndejtur pranë njerëzve tanë, erdhëm dhe investuam në një fermë. Blemë disa krerë bagëti dhe nisëm të prodhonim djathë, qumësht, kos” – rrëfen Klara teksa në tingujtë e saj ndjehej theksi grek, tashmë i përftuar prej vitesh qëndrimi në Greqi. “Vitin e parë dolëm me humbje. Në Shqipëri mundësitë për tregun e bulmetit janë të vogla se i kanë zënë të mëdhenjtë. Burri më thoshte të duroja, të rrinim dhe pak se mbase gjendja do ndryshonte, por sa duke ardhur e duke u bërë më keq, derisa më në fund e kuptuam se nuk do ia dilnim”.
Klara me të shoqin qëndruan në Shqipëri për gati 2 vjet, derisa u rikthyen sërish në Greqi. Në Lefkada janë të punësuar të dy në një hotel të vogël që ka shumë punë nga maji e deri në tetor.
“Rregulloj shtretërit nëpër dhoma, ngre tavolinat në mencë si dhe kujdesem për pastërtinë në hollin e hotelit” – tregon Klara. Të njëjtën gjë bën edhe Nikoleta. Bardhësia e lëkurës së tyre, edhe pse në një vend bregdetar, vetëm pak minuta larg bregdetit tregon se puna e tyre brenda mureve të hotelit nuk i lejon të pushojnë gjatë kësaj periudhe. Në Lefkada deri në tetor ka punë, madje vizitorët nuk mungojnë edhe gjatë periudhës së Krishtlindjeve apo Pashkëve që festohen tradicionalisht në ishullin me shumicën e krishtere ortdokse.
Por shqiptarët nuk janë vetëm argatë në Greqi. Në Fiskardo, fshatin luksoz të Kefalonias, i vetmi që mbeti i pa shkatërruar nga dëmet kolosale që shkaktoi tërmeti i vitit 1953, shqiptarët ishin pronarë dyqanesh suveniresh, punimesh artizanale dhe ëmbëltore. Rolandi, edhe ai nga Saranda, tregon se jetonte dhe punonte në Kefaloni prej mëse tre vistesh.
Fiskardo është një destinacion tërheqës dhe çdo vit turistë nga vende të ndryshme të botës vendosin të kalojnë pushimet e tyre në këtë vend. Dyqani ishte një investim modest, por tejet i këndshëm për peisazhin piktoresk bregdetar që ofron ishulli ndaj dhe frekuentohej nga turistë të cilët pëlqenin shumë punimet në dru dhe guaskë që ofroheshin në dyqanin e Rolandit.
Edhe Aleksi ishte një nga shqiptarët e Kefalonisë që tërhiqte shumë turistë në dyqanin e tij me ëmbëlsirën tradicionale “Banof”.
Paçka se rreziku për tërmetet mbetet si shpata e Demokleut mbi kokat e banorëve të këtij ishulli sërish, ai nuk e ndërron me asnjë tjetër. “Puna ecën mirë, për mua ka më shumë leverdi të qëndrojë këtu”, tregon në mënyrë lakonike Aleksi, teksa nxiton t’i sajdisë turistët që hyjnë sepse në Greqi të jesh pronar i një biznesi nuk do të thotë mesa duket të rrish ulur në karrige dhe të urdhërosh punonjësit. Këtë nuk e bëjnë as grekët, e as shqiptarët. Turisti është në qëndër të këtij shërbimi dhe të kënaqurit e tij në fokus të punës së atyre që e ofrojnë këtë shërbim.