MENU
klinika

Greqi-Turqi

Si ka ndikuar NATO në zgjidhjen e krizës mes Greqisë e Turqisë?

14.08.2018 - 22:30

Kriza e sotme midis dy vendeve ballkanike Greqi dhe Turqi, anëtarë të hershëm të NATO-s është vazhdim i krizave të pandërprera, që kanë shoqëruar marrëdhëniet midis këtyre vendeve. Që prej anëtarësimit të tyre në NATO, nga shumë studiues, kriza e tanishme konsiderohet si kriza e pestë, me tendenca drejt përshkallëzimit në konflikt.

Paradoksi më i madh në analizën e krizave midis Greqisë dhe Turqisë qëndron në faktin se të dy janë anëtarë të NATO-s, të integruar në strukturat politike dhe ushtarake të aleancës dhe pjesëmarrës në operacione të përbashkëta. Dhe, NATO siç dihet është organizata me e fuqishme për sigurinë, por në këtë rast dukshëm e sfiduar jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda, nga anëtarë të saj.

Një numër pyetjesh ngrihen në këtë situatë: Si vepron NATO në parandalimin e krizave midis vendeve brenda aleancës? A ka organizata mekanizma të mjaftueshëm dhe efektivë për të menaxhuar krizat e brendshme? A e konsideron NATO krizën midis Greqisë dhe Turqisë sfidë në misionin e vet? A mund ta bëjë NATO rolin e moderatorit të besueshëm dhe të fuqishëm në këtë krizë? A kanë të gjithë anëtarët e NATO-s të njëjtin vlerësim për krizën dhe a ndikon vlerësimi në ruajtjen e kohezionit të Aleancës? A do të ketë aktorë të tjerë që mund të angazhohen në menaxhimin e krizës aktuale?

Qëllimi i vetëm është të njohim e kuptojmë rolin dhe influencën e NATO-s në zgjidhjen e krizave të brendshme.
Situata e tanishme në NATO, nga shumë analistë, vlerësohet si jo më optimistja. Kriza midis Greqisë dhe Turqisë shton dilemat në radhët e NATO-s, dhe po e sfidon për rolin dhe mundësitë e tij. Vlerësohet se NATO ka vetëm tri struktura që mund të angazhohen në raste krizash: Sekretari i Përgjithshëm, Këshilli i Atlantikut dhe Komandanti i NATO-s.

Por si u gjend Greqia dhe Turqia në NATO? Iniciativa për t’iu bashkuar aleancës nuk erdhi as nga NATO, as nga Perëndimi, por nga vetë Greqia dhe Turqia si dy shtete që reflektonin interesat e tyre prioritarë në aleancën perëndimore. Aplikimet e para të këtyre dy shteteve të Mesdheut Juglindor nuk u pranuan në nëntor 1948. Ato u pranuan në NATO në vitin 1952. A kishte informacion të plotë NATO për tensionet e vazhdueshme greko-turke? Sigurisht që po. Por, në kohën e pranimit të tyre në NATO, tensionet potenciale dypalëshe, mes Turqisë dhe Greqisë, nuk konsideroheshin çështje as në Uashington, as në Këshillin e NATO-s.

Përballja e NATO-s me krizat midis Turqisë dhe Greqisë ka qenë e pandërprerë.

Ndër këto kriza mund të përmendim atë që kishte nisur me Qipron që në vitin 1950, si pasojë e boshllëkut të krijuar nga largimi i britanikëve nga kolonia qipriotë. Kjo ishte koha që tregoi se NATO nuk ishte përgatitur në trajtimin e konflikteve të brendshme të aleatëve të saj. NATO jo vetëm që nuk e zgjidhi krizën, por tregoi diferenca të mëdha dhe mungesë uniteti midis aleatëve.

Më pas kriza me përmasa edhe më të mëdha u takon viteve 1963-1964, kur Qipro deklaroi aspiratën e tij për t’ju bashkuar Greqisë. NATO përsëri u gjend e papërgatitur dhe me pengesa të mëdha burokratike për të vepruar. Në këto kushte duke parë rrezikun e një lufte të pashmangshme greko-turke, Presidenti Xhonson dërgoi një ultimatum jashtëzakonisht të ashpër ndaj Ankarasë dhe kërcënoi të tërhiqte mbrojtjen e NATO-s nga Turqia nëse ajo nuk hiqte dorë nga plani luftarak. Suksesi i parandalimit të luftës i dedikohet SHBA.

Kriza e vitit 1974 ishte nga më të rëndat ku politika e juntës ushtarake greke për Qipron pati reagimin më të ashpër nga ana e Turqisë që nuk nguroi të vendoste trupa në pjesën veriore. Të dyja vendet mobilizuan forcat për luftë. Ky konflikt herë pas here rezultoi në konfrontime të drejtpërdrejta midis forcave të armatosura të rregullta të të dy aleatëve në NATO. Edhe në këtë rast, megjithëse strukturat e NATO-s u përpoqën që të ndikonin që të dy aleatët në konflikt të vazhdonin dialogun për ndalimin e një lufte të hapur, rezultatet nuk ishin optimiste.

Konfliktet në Detin Egje në vitet 1970-1987 shënuan zgjerimin e konfliktit përtej kufijve të Qipros. Në mars të vitit 1987, të dyja vendet ishin në prag të luftës. Megjithëse NATO nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, por edhe NAC u përpoq të ndërmjetësonte duke kërkuar të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre në mënyrë paqësore, ajo në këtë rast kërcënoi se do të përdorte edhe “sanksione të mundshme”. Departamenti i shtetit përsëri ishte ai që dha ndikimin më vendimtar dhe më efektiv.

Turqia dhe Greqia erdhën në prag të luftës në vitin 1996 mbi disa ishuj jashtë bregut të Egjeut. Përsëri NATO nuk mundi të bëhej aktor për zgjidhjen e krizës. Divergjencat e shumta midis aleatëve perëndimorë bllokuan aleancën për të patur një qëndrim të fortë e të prerë. Ishte administrata e Presidentit Bill Klinton që shmangu një luftë të mundshme.

Viti 2018 dhe kriza Greqi–Turqi vazhdon. Shkaqet janë po ato, ndoshta të lakuara në forma edhe më të ashpra. Palët ndërmjetësuese kryesore mbeten përsëri: NATO (në një pozicion të vështirë); SHBA (në dilemat e veta); fuqitë perëndimore dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë që do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo lloj mundësi për të përfituar nga situata.

Në tërësi, mund të thuhet se edhe pse Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk është në gjendje të zgjidhë konfliktet midis anëtarëve të saj, thjesht edhe për shkak të formatit të saj, ajo është përpjekur të ndikojë në terma afatgjatë në parimet më kryesore të krijimit dhe ekzistencë. Por, Aleanca nuk ka as në format e as në mision struktura të qëllimshme për tu angazhuar në krizat e brendshme, midis anëtareve të vet.

Pavarësisht këtij fakti, NATO, në mjaft raste për shmangien e zgjidhjen e krizave është bazuar në trekëndëshin: Sekretar i Përgjithshëm- Këshilli i Atlantikut- Komandanti i NATO-s. Megjithatë edhe efektiviteti i kësaj tresheje është i përcaktuar ngushtë nga angazhimi i aktorëve kryesorë, SHBA dhe fuqive të mëdha brenda NATO-s.