Turizmi i aventurës ka tashmë një destinacion të ri, Kanioni i Holtës. I gjendur në verilndje të qytetit të Gramshit, në degëzimin me fshatin Drizë, teksa sapo keni lënë gjarpërimin e rrugës së re, kanioni i Holtës ndodhet fill pas liqenit të digës së Banjës. Një bukuri natyrore e cila po magjeps gjithnjë e më shumë adhuruesit e turizmit malor. Është e rëndësishme ta përjetosh si aventurë vizitën në Kanionin e Holtës sepse mungesa e një rruge të shtruar bën që udhëtimi drejt rrjedhes së lumit të jetëi vështirë, për ju dhe për mjetin me të cilin do të udhëtoni. Në mungesë të një makine sportive, në qytetin e Gramshit, ofrohet mundësia e marrjes me qera të një automjeti të tillë kundrejt një pagese të përballueshme.
Sapo lë pas fshatin Kabash, shpejt do t’u shfaqet para syve madhështia e kanioneve të Holtës. Me një gjatësi rreth 3 km dhe një gjerësi prej 15 metrash, kanioni i Holtës është formuar nga erozioni i lumit me të njëjtin emër. Kanioni ka një thellësi prej 150 m dhe shtrihet me shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike të cilat përfaqsojnë një ekosistem interesant.Rrjedha e Holtës ka thellësi deri në 3m duke e bere disi të rrezikshme për gjithëtë apasionuarit e notit.
Almiri është një i ri nga qyteti i Gramshit, i cili, ka vizituar thuajse cdo vend të bukur që ofron qyteti dhe rrethinat e tij, por kur e pyet për Kanionet e Holtës ai shprehet: “Gramshi ka disa vende që mund të shohësh, por si Holta nuk është asnjë, dhe pamjen që ta japin Kanionet e saj janë të papërsëritshme”.
Ndërsa Elsoni, pronar i një biznesi të ngritur në afërsi të kësaj zone, shprehet se thyerja më e mirë e rutinës së tij është të shkojë e të vizitojë Kanionin e Holtës: “Ja vlen te shkosh, mund të shikosh pamjet fantastike që të ofron lumi dhe shpella aty afër, plus që rrugës për aty është ndërtuar dhe një lokal i bukur dhe me atë rast mund të ndalosh dhe për një kafe në mës të pyllit. Në këmbë nuk do më shumë se 30 minuta” – tregon ai.
Megjithëse natyra ofron një spektakël të mrekullueshëm, promovimi i këtij destinacioni ka nisur të jap kundraefektet e tij. Zona sikurse shpella e Kabashit apo edhe vetë kanioni kanë nisur të popullohen nga mbetjet. Një shqetësim që ka nxitur shumë ekspedita qytetarësh dhe të rinjsh të angazhuar për pastrimin e tyre.