MENU
klinika

Kompozitori i madh

Verdi, betejat e Maestros

27.08.2018 - 15:02

Nga Ilnisa Agolli/

Giuseppe Fortunino Francesco Verdi, mbetet pa dyshim kompozitori më i madh i të gjitha kohërave. Që në moshë shumë të vogël ndjehet prirja e fuqishme e tij ndaj muzikës ku përmes një organoje të thjeshtë do të ushtrohej çdo ditë nga pak në hanin e vogël ndërsa ndihmonte pasditeve prindërit në Le Roncole, fshatin e fundit të pushtuar nga Napoleon Bonaparti.

Carlo, i ati, një hanxhi i thjeshtë nuk donte assesi që i biri të kishte të njëjtin fat si ai, kështu që në moshën 10 vjeçare vogëlushi Verdi u gjend në Busseto falë një farmacisti dhe artëdashësi si Antonio Barezzi i cili me bujarinë e tij mendoi ta njohë me një mjedis kulturor më të favorshëm për formimin e tij artistik.

Prifti i fshatit aty do t’i mësonte latinishten dhe në vitin 1832 deri më 1835 ai shkon në Milano për të plotësuar përgatitjen e tij muzikore falë shpenzimeve të Barezzit dhe Bankës “Monte dei Paschi” të Bussetos. Pikërisht në Milano u formua personaliteti i këtij gjeniu.

Po kujt ia priste mendja se Verdi nuk do të pranohej në konservator? Askujt! Megjithatë për rreth tri vite djaloshi studioi teknikën kontrapuntiste me maestron Lavignan i cili punonte në Teatrin “La Scala”. Marrëdhëniet me aristokracinë milaneze, vendosën kësisoj për fatin e ardhshëm të kompozitorit të ri. Plani i tij për mësues kishe do të perëndonte dhe tashmë do t’i kushtohej vetëm teatrit muzikor.

Më 17 nëntor 1839, opera e tij e parë “Rocester” pati sukses në La Scala, fryt i një përpunimi të gjatë paraprirë nga vdekja e dy fëmijëve të tij Virginia dhe Icilio. Por kjo kënaqësi zgjati fare pak. Një vit më vonë më 1840, e shoqja vdes dhe opera e dytë “Un giorno di regno” dështon.

Kështu Verdi mendon të braktisë përgjithmonë karrierën si kompozitor. Në këtë gjendje depresioni dhe boshi që po kalonte mes netësh pa gjumë e pa dëshirë, duke u ndierë hiçgjë dhe i paaftë do ta shoqëronte ndonjëherë mes një gote verë Bartolomeo Merelli. Sipërmarrësi i Teatrit Scala, i cili e bind të kompozojë atë çfarë ndjente në shpirt duke e detyruar ta muzikonte trishtimin e tij. “Nabucco” lindi pikërisht kështu. Më 1842 kjo vepër ishte një triumf i vërtetë e cila do i hapte dyert e Europës.

Protagonistja e operës ” Nabucco” u bë gruaja e tij e dytë. Quhej Giuseppina Strepponi. I frymëzuar nga muza e re, në moshën 34 vjeçare, Maestro e sheh veten me famë ndërkombëtare falë veprave: “Alzira” ( Napoli, 12 gusht 1845), ” Zhan d’Ark” ( tragjedia e Shiler-it 15 shkurt 1845, Milano) ” Attila” ( Venecia, 17 mars 1846) deri tek “Makbeth” ( Firenze, 17 mars 1847) ku u përball për herë të parë me modelin shekspirian. Por fama, falë së cilës operat e tij shfaqeshin në gjjthë teatrot kryesor, Verdit nuk i mjaftonte.

Shndërrimi i veprës ” Lombardët në Jerusalem” e cila u shfaq në Paris më 20 nëntor 1847, do të përbënte edhe ballafaqimin e parë me kërkesat e e Grand Opéra-s franceze. Arti verdian do të kapte majat falë gërshetimit perfekt mes ngjarjeve dramatike të realizuara në të njëjtin ekuilibër me mjetet muzikore të përdorura, dimensioni i njeriut do të vinte kështu më qartë përmes “Traviata” (Venecia, 6 mars 1853). Pjesë e përqendruar tek heroina, një kurtizane e cila parimeve hipokrite të shoqërisë ku jeton i kundërvë sakrifikimin e vetvetes.

Andaj Verdi i rikthehet Grand Opéra-s franceze me ” Les Vêpres siciliennes” duke vënë përballur konfliktet mes individëve, aspiratat dhe ndjenjat e një populli të tërë. Janë vitet e zjarrta patriotike të luftërave për Pavarësi Kombëtare me të cilat pajtohet duke gjetur vend edhe në muzikën e tij. Në vitin 1861, ai zgjidhet deputet i Parlamentit të parë Italian.

Më 1874 bëhet Senator i Mbretërisë. Jo shumë larg Bussetos, në pranverën e vitit 1851 të ardhurat e tij ishin më të mëdhatë në gjithë zonën e Parmës, e megjithatë ai i kushtohej ca muzikës e ca çifligjeve të cilat arritën një sipërfaqe prej 900 ha. Por Verdi sërisht preferonte vetminë.

“Nabucco, Rigoletto, Traviata, Aida, Ballo me maska”, janë veprat më të pëlqyera në mbarë botën, pa harruar ” Makbethin” opera që e riktheu në skenën franceze më 1865, “Otello” dhe tri pjesët fetare: “Stabat Mater” dhe “Te Deum” me kor dhe orekstër të madhe, të cilat pikëshënojnë lutjen e Virëgjëreshës nga kënga e fundit e “Komedisë Hyjnore” të cilave iu shtua më pas edhe “Ave Maria”.

Më 27 janar 1901, Verdi u godit nga emiplegjia në Milano dhe mbyll kështu jetën që e shkoi mes pesimizmit dhe suksesit. Vepra e tij vijojn të kenë jehonën edhe sot duke qenë e gjallë gjithmonë pjesë e repertorit skenat e mbarë botës.