MENU
klinika

Historiku i trajtimit kirurgjikal

Veset e lindura të zemrës tek të sapolindurit

31.08.2018 - 11:58

Interventi i famshëm që aplikohet në të ashtuquajturin “blue baby” ose “bebi blu” ose shunti i Blalock-Taussig, ishte procedura e parë kirurgjikale që u përdor për të trajtuar një ves të lindur në zemër.

Në këtë intervent, një arterie që u furnizonte dorën dhe që është arteria subklave e bashkuar me arterien pulmonare duke çuar kështu gjak në arterien pulmonare dhe kështu siguronte më shumë gjak të oksigjenuar për organizmin.

Një malformacion kongenital apo ves i lindur në zemër, quhet një anomali e cila është e pranishme që në lindjen e fëmijës. Kardiokirurgjia e veseve kongenitale filloi disa kohë përpara shpikjes së makinës zemër-mushkëri.

Kardiokirurgët filluan të korrigjonin së pari anomalitë e enëve të gjakut të cilat furnizojnë ose dalin nga zemra.

Dr. John Streider në Massachusetts General Hospital në Boston mbylli për herë të parë, një dukt arterioz të hapur, ose duktusin e Botallit (një enë gjaku që lidh aortën me arterien pulmonare, normalisht mbyllet menjëherë pas lindjes së fëmijës) në 6 Mars të vitit 1937. Fatkeqësisht, fëmija ishte në gjendje tepër të rëndë në momentin e interventit.

Dr. Robert Gross kreu interventin e parë të suksesshëm të mbylljes së duktusit arterioz të hapur, një enë gjaku anomale e cila lidh aortën me arterien pulmonare.

Një vit e gjysëm më vonë, në të njëjtin qytet, dhe pikërisht në 16 Gusht të vitit 1938, Dr. Robert Gross në Boston Children’s Hospital operoi një vajzë shtatë vjeçe e gjysëm, e cila kishte shumë vështirësi në frymëmarrje dhe prezantonte të njëjtin ves të lindur në zemër.

Pacientja iu nënshtrua të njëjtës ndërhyrje kirurgjikale dhe u shërua pas interventit. Disa kohë më vonë, shumë kirurgë në të gjithë botën filluan të kryenin këtë procedurë. Vesi tjetër i lindur i cili filloi të trajtohej në mënyrë kirurgjikale ishte koarktacioni i aortës.

Ky është një defekt që prezantohet me një ngushtim të aortës, dhe në disa raste të tjera me bllokim të plotë të saj, duke rezultuar në një ulje të fluksit të gjakut në pjesën e poshtme të trupit si dhe në esktremitetet e poshtme.

Historikisht, të gjithë pacientët me këtë defekt vdisnin nga komplikacionet rreth moshës njëzet vjeçe në rast se nuk i nënshtroheshin ndërhyrjes kirurgjikale. Në vitin 1944, Dr. Clarence Crafoord në Stockholm, Suedi, eliminoi këtë pjesë të ngushtuar të aortës në një fëmijë 12-vjeçar i cili mbijetoi pas kirurgjisë.

Vetëm një vit më pas, Gross trajtoi në mënyrë kirurgjikale, një defekt tjetër të quajtur, unaza vaskulare, e cila ndodh kur aorta dhe degë të tjera të saj kryesore rrethojnë trakenë dhe ezofagun në një mënyrë anomale duke i komprimuar ato.

Përpara kësaj ndërhyrje kirurgjikale të gjithë këta fëmijë vdisnin nga marrja e frymës ose nga uria. Gjatë të njëjtës periudhë, u raportua edhe interventi i famshëm në “blue baby” në Johns Hopkins University Hospital në Baltimore, SHBA.

Ky intervent trajton ato vese të lindura të zemrës, në të cilat gjaku i paoksigjenuar që kthehet nga trupi në zemër shumohet apo përzihet nëpërmjet një vrime në zemër me gjakun e oksigjenuar, dhe në vend që të shkojë në mushkëri, pompohet jashtë duke dalë në aortë, gjë që shkakton një ngjyrë blu të lëkurës së fëmijës. 

Pacienti i parë ishte një vajzë 15-muajshe e cila kishte prezantuar krizën e parë cianotike në moshën 8-muajshe. Dr. Helen Taussig, një kardiologe pediatrike në Johns Hopkins University Hospital, e mori si pacienten e saj dhe bisedoi me mjekë dhe kirurgë të tjerë për mundësinë e trajtimit të fëmijës me një intervent të ri.

Në muajt që pasuan fëmija nuk hante më dhe humbi në peshë. Në momentin e interventit fëmija peshonte veçse 4 kg. Interventi u krye nga Dr. Alfred Blalock në Johns Hopkins University Hospital, në 29 Nëntor të vitit 1944. Gjatë interventit Dr.Blalock qepi një arterie, e cila normalisht furnizon me gjak krahun e majtë, mbi arterien pulmonare të majtë, kështu që më shumë gjak do të shkonte në mushkëri.

Interventi zgjati vetëm një orë e gjysëm. Megjithëse ky nuk ishte një trajtim i plotë për sëmundjen e saj, përmirësoi simptomat e fëmijës dhe cilësinë e jetës së saj në mënyrë substanciale.

Kështu, në më pak se tre vjet, tre vese të lindura të zemrës, — duktusi arterioz i hapur, koartacioni aortës dhe unaza vaskulare – filluan të trajtoheshin në mënyrë të suksesshme nga ana kirurgjikale.

Megjithatë, zgjidhja kirurgjikale e shuntit të Blalock-Taussig ishte mbase edhe stimuli kryesor i zhvillimit të kardiokirurgjisë moderne të veseve të lindura të zemrës, sepse ky intervent ndihmoi në rritjen e mbijetesës së një serie anomalish komplekse dhe fokusoi vëmendjen e kardiokirurgëve dhe kardiologëve në fiziologjinë anormale këtyre defekteve. Hapi tjetër vendimtar do të priste deri në momentin e projektimit dhe zhvillimit të makinës zemër-mushkëri që i përket mesit të viteve 50-të.

Me këto teknika të reja të cilat bënin të mundur oksigjenimin e gjakut si dhe mbajtjen e një presioni të përshtatshëm të trupit, edhe pse zemra ishte e ndaluar, si me teknikën e qarkullimit të kryqezuar të Dr. C. Walton Lillehei, por edhe me makinën zemër-mushkëri të modifikuar të Gibbon-IBM e Dr. John Kirklin, ekipet kardiokirurgjikale në University of Minnesota dhe në Mayo Clinic, u arritën të realizoheshin një seri vesesh të lindura brenda zemrës.

Operacionet palliative ose ndihmëse vazhduan të kryheshin duke përmirësuar fiziologjinë e qarkullimit të gjakut pa prekur ose korrigjuar defektet anatomike prezente.

 

Prof. Edvin Prifti

Redaktoi: M.D

 

Nga qëndrimi ulur gjithë ditën tek konsumimi i tepërt i alkoolit

Zakone të këqija që dëmtojnë sistemin tonë imunitar

Çfarë thonë ekspertët për të mirën e shëndetit

Orari i duhur për të konsumuar drekën