MENU
klinika

Përshtatës me ambientin

Vllehët pa komb-shtet në mes të komb-shteteve

29.08.2018 - 11:42

Origjina dhe karakteri i vllehëve

Origjina e tyre mendohet se vjen prej dy hipotezave kryesore. Hipoteza e parë është se pas humbjes së luftës së Epirit dhe Thrakës me romakët, Konsulli Paul Emili në 168-146 para erës sonë, sjell 150 mijë kolonë nga Italia dhe merr 150 mijë skllevër për në Romë nga këto zona ku pësuan shfarosje të mëdha.
Sipas historianëve grekë dhe latinë këta kolonë u vendosën në dobi të kontrollit të rrugës Egnantia, që ishte një nga më kryesoret në periudhën e antikitetit për t’u zhvilluar dhe mbrojtur nga armiqtë.

Kjo popullsi u vendos midis gjithë qytet-shteteve antike dhe u përshtat midis gjithë mbretërive dhe perandorive që u krijuan në vijim në Ballkan. Vendet më të preferuara të tyre ishin malet.
Hipoteza e dytë është se ata kanë lidhje genetike me ilirët e dikurshëm, megjithatë gjuha dhe zakonet e tyre anojnë për shumë studiues nga latinët me gjuhën romane si dhe përzierje traditash ballkanike.

Për nga funksioni, jeta e tyre ndryshoi, nga ai i ruajtësve dhe shërbëtorë të romakëve në blektorë të zotë, shfrytëzues të maleve të Ballkanit. Ata u adoptuan lehtë me traditat e kombeve të ndryshme dhe luajtën një rol të rëndësishëm në jetën kulturore, politike dhe ekonomike të gjithë Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri, Greqi, Serbi, Bullgari, Maqedoni si dhe u asimiluan shumë me këto kombe. Dangadalë ata ishin të padallueshëm për nga traditat me të tjerët sa edhe u dalluan në shumë aspekte.

Shqiptarët dhe Turqit i quajnë vllehtë ‘’çuban’’,’’çoban’’ (barinj), grekët në gjuhën e përditshme i dallojmë banorët e Vllahisë së mirëfilltë duke i quajtur ’’vllehët e zinj’’, ndërsa ata të Greqisë i quajnë ‘’vllehtë e çalë’’. Emërtime të tjera janë ‘llacifaci’, ‘arumunë’,’llahinnge’ ,’aromanjli’,’rremenjli’,’valachi’. Gjuha e tyre e veçantë mendohet se vjen nga latinishtja dhe përdoret edhe sot e kësaj dite.

Dallohen si tregëtarë në Turqi, në Itali dhe në gjithë Mesdheun. Dallohen si dyqanxhinj, artizanë dhe punëtorë krahu në punë të ndryshme.
Vllehët kanë qenë të nderuar për aftësitë e tyre në punimin e arit e të argjendit dhe pjesa më e madhe e stolive të këtij lloji, që përdoren në veshje, armë e në orendi nga grekët e shqiptarët. Artizanët e tyre gjenden në cilëndo qytet të Turqisë europiane dhe aziatike.

Karakteristikë e tyre ka qënë mbarështrimi i blektorisë, barinjtë e tyre janë aq të njohur në Greqi, saqë shumica e pronarëve të mëdhenj i merrnin vllehtë për të mbajtur kopetë e tyre.

Vllehtë e Greqisë në periudhën e vonë të mesjetës patën karrierë më pak të shkëlqyer sesa në Thrakë e Danub.
Vendi i tyre quhej me emrin vllahia e Madhe, por ngaqë kurdoherë do të kenë qenë të paktë si numër, në përpjestim me vëllezërit e tyre veriorë, mund të mendohet se epiteti e Madhe përdorej për këtë koloni kryesore te Mezo-Dakëve në të njëjtën mënyrë si thuhej Magna Graecia për kolonitë greke të Italisë.
Historia e vllehëve përgjatë mesjetës

Kanë qenë disa studiues që kanë mbledhur historinë dhe traditat e tyre. William Martin Leake përshkruan disa autorë në lidhje me këtë etni, sipas tij:
Ana Komnena i përmend vllehët si një racë e fortë shtegtare barinjsh. Nicetas flet për egërsinë e tyre dhe për sulmet plaçkitëse që kryenin në Thrakë gjatë mbretërimit të Andromik Komnenit, Isaak Engjëllit, Aleks Engjëllit dhe Balduinit.


Historianët paraqesin (rreth vitit 1200) se nuk ishin kthyer në të krishterë, se haheshin në egërsi me skithët , me të cilët shpesh bashkoheshin në ekspeditat plaçkitëse, se e urrenin emrin romak, dhe se njësoj mbanin qëndrim armiqësor kundër frankëve, pasi këta morën në dorë sovranitetin e Kostandinapolit.
Pakimeri i përshkruan si një racë shtegëtare, që kishte fituar pasuri të mëdha me tufat e grigjat e tyre, ndërsa jeta baritore i kishte mësuar me lodhjen dhe u kishte dhënë forcë të madhe dhe qëndresë trupore, kurse praktika e zakonshme e gjahut u kishte mësuar fillesat e luftës; njëkohësisht përleshjet e shpeshta me trupat perandorakë i kishin stërvitur mjaft mirë për përdorimin e armëve.

Veprimtaritë e tyre që nga ajo kohë e deri në rënien e Konstantinapolit, të ndërthura me identitetin e gjuhës, provojnë se në zanafillë kanë qenë një degë e po së njëjtës popullsi, e cila gjendej në ata shekuj, jo vetëm në viset pjellore në anën veriore të Danubit të poshtëm, që përgjithësisht në Europë njihet me emrin Vllahia, por me sa duket edhe në shumë vise malore të Thrakës.

Mirëpo vendbanime të përhershme brenda kufijve të Greqisë, aty ku flitet gjuha vllahe, gjenden vetëm në vargmalet e mëdha të Pindit dhe të Olimpit, si dhe kreshtat tërthore të Maqedonisë së Epërme dhe të Thesalisë, që i lidhnin mes tyre.

Në shekullin e dymbëdhjetë me sa duket vllehtë kanë banuar në po ato krahina si në Greqi, edhe në veri të Danubit, ku jetojnë ende sot.
Ekzistenca e tyre në veri të Danubit në të njëjtën periudhë provohet nga Cinamusi, që flet për një grup të madh të tyre, të cilin perandori Manuel Komneni e kishte nxitur të bënin një ndërhyrje në Hungari. Po nga disa prej këtyre historianëve mësojmë gjithashtu se hasen në vendet e ndërmjetme të Thrakës e të Moezisë.
Ana Komnena përshkruan se vendbanimet e tyre kryesore i vendos në krahinat e malit Haemus, të cilat më pranë i mbanin moeziasit; e gjithashtu i përmend Pakimeri. Se në pjesën e dytë ë shekullit të trembëdhjetë u zgjeruan nga përtej Bizya-s afërsisht deri në rrethinat e Kostantinopolit.

Kulmin e fuqisë së tyre vllehët e patën nga mesi i shekullit të dymbëdhjetë deri në mesin e shekullit të trembëdhjetë. Në perëndim sulmet e tyre plaçkitëse u shtrinë deri në afërsitë e Naissus-it (Nishi) dhe Philippopolis-it, kurse në juglindje deri afër Varnës, Arcadiopolis-it dhe Çorlit.
Nga fundi i shekullit të trembëdhjetë, kur zotërimet e tyre u shtrinë deri në afërsi të Kostandinapolit.

Zotërimet e tyre në degëzimet e malit Rodop në veri të Maqedonisë, me sa duket, kanë qenë lidhja që i bashkojnë vllehtë e veriut me ata të jugut; në vitet e fundit të shekullit të dymbëdhjetë, kur fuqia e tyre ishte në kulm, Niceta na thotë se zotëronin pjesën më të madhe të vendit afër Serrae, kurse Krisisi, njëri prej krerëve të tyre, kishte në dorë Strumnicën në Maqedoni dhe Prosacus-in, një kështjellë mbi lumin Axius në provincë, me gjithë përpjekjet e pareshtura të perandorit Aleks Engjëllit.

Në Maqedoninë e Epërme qytetet e tyre më kryesore kanë qenë Vllaho-Klisura, në malësinë që ndajnë fushën e Cambunian, Kokinoploja dhe Livadhi ose Vllaho-Livadhoja.

Në vargmalin e Pindusit, duke nisur prej veriut, janë Samerina dhe Furka, pastaj vijnë dhjetë a dymbëdhjetë fshatra në krahinën e Zagorisë e në fqinjësi me të, prej të cilave kryesoret janë Laishta, Lesinica dhe Mallakasi, kurse në krahinën e Janinës janë Mecoveja dhe Kallariti, vendbanimi më i madh vllah. Në anën lindore të Pindit krahina e Aspropotamit banohet kryesisht nga kjo popullsi, kurse qytetet më të mëdha në këtë drejtim janë Haliki dhe Kinovoja.
Kështu mund të thuhet se korpusi kryesor i vllehëve të Greqisë zë pjesën më qendrore të malit Pind në të dyja anët e qafës së madhe të Mecovos.

Nga aspekti kulturor vllehët kishin zakonet e tyre, gjuhën, por vetëm të folur. Ata ishin dhe janë nga tregëtarët më të zotë të Mesdheut dhe kanë tipare karakteristike të përshtatjes me të gjithë kombet e Ballkanit e më tej. Në Shqipëri, shumica e tyre është asimiluar dhe e ka ngjitur identitetin e tyre me atë të identietit shqiptar.

Kjo masë e përhapur në gjithë Ballkanin kur erdhi koha e nacionalizmit dhe formimit të komb-shteteve nuk mundi do të ngrinte një komb-shtet të sajin për arsye të lëvizshmërisë në shumë territore, të jetesës në pjesët malore midis shteteve të ndryshme, midis identetitit të tyre të përzier me identitetet e shteteve dhe përhapjes në shumë shtete të Ballkanit, gjë që krijuan dhe asimilimin të tyre apo ngelën pakica etnike.
Ka pasur përpjekje për gjuhën e shkruar dhe ngritjen e një kombi, por që ngelën vetëm vizione.

Vllehët ngelën pakica kombëtare pa kombshtet. Ngeli etni e shkrirë midis shumë kombshteteve, sot pakicë kombëtare në shumë shtete.
Përgatiti Eugent Kllapi

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!

Promovim i trashëgimisë kulturore të Elbasanit

Kolonia e piktorëve “Skampis 2024”