MENU
klinika

Kemi jetuar dhe pa to

10 gjëra të pabesueshme që nuk ekzistonin 10 vjet më parë

06.09.2018 - 12:48

Duket sikur kanë qenë pjesë e jetës sonë të përditshme, por kemi jetuar edhe pa to. Realiteti i sotëm është krejt ndryshe nga ai i dhjetë viteve të mëparshme.

“Business Insider” kujton me nostalgji një sërë shërbimesh e produktesh lindur dekadën e fundit, pa të cilat na duket sikur nuk mund të bëjmë dot. Më poshtë po ju renditim dhjetë risitë më të dobishme që na kanë ndryshuar jetën.

1 – iPad
Në janar të vitit 2010, kur Steve Jobs prezantoi iPad-in e parë, ai e përshkroi si “eksperiencën më të mirë të lundrimit online, më i mirë se kompjuteri portativ dhe smartphoni”. Prodhimet e para kushtonin diku tek 499 dhe 829 dollarë, sot modeli i fundit arrin deri në 9,7 inç dhe mund ta blejmë për 329 dollarë.

2 – Google Chrome
Ishte 1 shtator 2008, kur Google Chrome u lançua me anë të një vizatimi komik të Scott McCloud-it. Duke folur për shfletuesin e internetit (browser), Sundar Pichai, në atë periudhë zëvendëspresident i menaxhimit të produktit, tha: “Ashtu si faqja klasike e Google, Google Chrome është i shpejtë dhe i pastër, nuk ndërhyn në atë çfarë doni të bëni dhe do iu shpjerë atje ku keni nevojë të shkoni”. Prej muajit prillit 2016, është kthyer në shfletuesin më popullor, përdorur nga 41.8% e përdoruesve.

3 – Snapchat
I quajtur fillimisht Pictaboo, Snapchat daljen e parë zyrtare e bëri në vitin 2011 dhe suksesin e menjëhershën ia dedikon adoleshentëve të Los Anxhelosit. Gjashtë vjet më vonë, kompania vlerësohet me 15.8 miliardë dollarë dhe ka nënshkruar partneritete me botues, shfaqje televizive dhe vijon të jetë gjithnjë në rritje.


4 – Airbnb
Lindi në vitin 2008, si shërbim për ofrime ambientesh me qira për të fjetur, Airbnb po shndërrohet në një shërbim udhëtimi në të gjitha aspektet, me përvojë profesionale të specifikuar dhe strehime me një nivel cilësor. Nëntë vjet pas hedhjes në treg, kompania është aktive dhe arrin vlerën e 38 miliardë dollarëve, çka e bën atë një nga lançimet më të vlerësuara.


5 – Spotify
Ideuar në vitin 2005, lançuar në beta në vitin 2007 dhe nisur në vitin 2008 në Stokholm, Spotify ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh licencimi me kompanitë diskografike më të mëdha si “Sony”, “Universal” dhe “Bmg”, ndërkohë që aktualisht u ofron muzikë 170 milionë përdoruesve aktivë në gjithë botën.


6 – Instagram
Hedhur në treg në vitin 2010, arriti të rrëmbejë 25 mijë regjistrime që ditën e parë. Dy vjet më vonë, Facebook e bleu për një miliard dollarë. Aktualisht, aplikacioni ka një miliard përdorues aktivë dhe herë pas here shton shërbime të reja, si video të drejtpërdrejta, stikera (afishe) dhe filtra. Kohët e fundit, në qershor, hodhi shërbimin video me format të gjatë të quajtur Igtv.


7 – Kickstarter
Platforma që mbështet idetë e reja të biznesit lindi në prill të vitit 2009, kur bashkëthemeluesi Perry Chen po kërkonte një mënyrë për të financuar ftesën e disa muzikantëve që do të merrnin pjesë në një festival xhazi në Nju Orlins. Produkti i parë i reklamur qe një T-shirt e Grace Jones projektuar nga vetë Chen, i cili prapëseprapë nuk e arriti objektivin e financimit. Deri më tani, mbi 15 milionë njerëz kanë mbështetur projekte që kapin shifrën e 3.8 miliardë dollarësh.


8 – GPS në celular
Shpikur në vitin 1978, u fut në botën e biznesit në vitin 1993, duke u bërë një aplikacion i disponueshëm në iPhone 3G në vitin 2008. Teksa TomTom ofroi një aplikacion celulari njëqind dollarësh për t’i ndihmuar për shërbimet e vendndodhjes, Google krijoi një softuer kushtuar celularëve të tij Android.

9 – Uber
Themeluar në vitin 2009, si shërbim makine të quajtur UberCab, u shndërrua në një formulë të transportit të përbashkët, në ndarjen e udhëtimit, si dhe sa u përket shërbimeve premium. Pasi kapërceu një sërë skandalesh, me një vlerë prej 62 miliardë dollarësh, vazhdon të mbajë rekordin për risitë me vlerën më të madhe në botë.

10 – Whatsapp
Themeluar në vitin 2009, aplikacioni i ideuar nga Jan Koum u mirëprit me entuziazëm veçanërisht në vendet ku përdoreshin shumë mesazhet. Në vitin 2014, i kaloi Facebook-ut, pasi i rrëmbeu çekun prej 19 miliardë dollarësh.