MENU
klinika

E ndjekin afro 21%

19 mijë nxënës në arsimin profesional

17.09.2018 - 15:50

Mbi 19 mijë nxënës do të ndjekin arsimin profesional këtë vit, nga të cilët mbi 4700 të regjistruar në vitin e parë. Sipas shifrave të INSTAT, pjesëmarrja në arsimin e mesëm profesional paraqitet me rritje në vitet e fundit. Në vitin shkollor 2017-2018 morën pjesë në arsimin profesional 20.6% e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

Në ditën e parë të vitit shkollor Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte në shkollën profesionale të rikonstruktuar të Kamzës, një investim në vlerën 213 milionë lekë nga buxheti i shtetit, në të cilën studiojnë mbi 1800 nxënës në disa drejtime si IT, shërbim social, hoteleri turizëm, bujqësi etj.

Shkolla Profesionale e Kamzës është qendra e parë multifunksionale në Shqipëri që aplikon sistemin dual që kombinon teorinë me praktikën dhe me mbështetjen e qeverisë gjermane, ka krijuar Akademinë CISCO për nxënësit e IT, diplomat e të cilëve njihen edhe jashtë vendit. Ministri Ahmetaj, tha se shifrat e arsimit profesional kanë ardhur në rritje në vitet e fundit dhe i njëjti trend vërehet nga sistemi i gjurmimit, edhe për punësimin pas përfundimit të shkollës.

“Sot janë 76 mijë të papunë të regjistruar, ndërkohë në anën tjetër janë 46 mijë vende pune të lira, që i ka sjellë vetë në Shërbimin Kombëtar të Punës, të deklaruara, sektori privat. Teorikisht do të dukej sikur 46 mijë nga këta 76 mijë sot mund të punësoheshin, por kjo nuk është e vërtetë. Po pse nuk është e vërtetë? Sepse këta 76 mijë nuk kanë kualifikimin e duhur për të filluar punë nesër në ato 46 mijë vende pune që janë hapur. Ju do ta keni sepse keni zgjedhur arsimin e duhur,” tha ai.

Nga ana e saj Ambasadorja e Gjermanisë Susanne Schutz tha se mbështetja e qeverisë gjermane për zhvilimin e mëtejshëm të arsimit e formimit profesional në Shqipëri, do të vazhdojë.

“Gjermania ka një eksperiencë shumë të gjatë dhe pozitive me arsimin e formimin profesional. Vetëm vitin e shkuar, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik OECD vlerësoi arsimin dhe formimin profesional në Gjermani si një përgatitje të shkëlqyer për jetën profesionale. Dëshiroj të theksoj se Gjermania e mirëpret synimin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, ndërmjetësimin e praktikave pranë kompanive private dhe orientimin e kurrikulave drejt standardeve ndërkombëtare,”  tha ajo.

Sipas qeverisë shqiptare, nga viti 2013 janë investuar mbi 1.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e ndërtimin e shkollave dhe laboratorëve, ndërsa po kaq planifikohet të investohen edhe përgjatë tre viteve të ardhshme. Vetëm në vitin 2017-2018 u rikonstruktuan 9 shkolla, në favor të mbi 7500 nxënësve në të gjithë vendin.