MENU
klinika

Dori, nuk është më

60 vjetori i Teodor Kekos, larg-afër si në poezi

02.09.2018 - 17:41

Nga Ilnisa Agolli/

Sot është një e dielë e trishtë. Dori, nuk është. Do doja të kujtonim një poezi të tijën:

Unë jam i qetë dhe i patrazuar
si një njeri, që kurrë s’ka bërë faj
Megjithëse faj bëra nga dita kur linda
e paskësaj.

Jam fare i qetë
si një budalla i lindur me sytë penel piktori
që zbukuron magjishëm gjithçka
Më ushqen optimizmi dhe humori.
Jam tmerrësisht i lumtur

Aq sa habis këdo,
sa transformohem në adoleshent
Pak ditë më parë më kumtuan :
⁃ Je i sëmurë me kancer!

Tani jam mirë fare, mrekulli
sepse sapo kapa fundit dhe e di që
më keq , s’ka më
Jam i qetë, i lumtur, optimist
cigaren s’ma këshillon kush ta lë.

Nga poshtë gjithçka duket e madhërishme
Mjerë ju, kundruesit e botës nga lart!
Me kancerin hije trupi s’qenka keq
Si breshka në shpinë mbaj një varr.

Poeti i besueshëm që i shkroi dashurisë pa braktisur asnjë çast hyjnitë, sot do të kishte ditëlindjen. Atij që fati do t’i shkurtonte jetën por që aspak nuk e trembi duke e bërë më të vërtetë dhe shkruar për “distancën e minimizuar” mes fillimit dhe mbarimit, largësisë dhe bashkimit, jetës dhe vdekjes apo pyetjes dhe përgjigjes, sot do të kishte 60 vjetorin.

Por poeti duket sikur dinte gjithçka. Është aq e dhimbshme sa interesante të vërehet se afria spikat pikërisht në ditë të tilla ku mungesa kthehet në këngë, poezi, emocion dhe ndjenjë mes vargjeve dhe poeti bëhet më i gjallë se kurrë.

Dori bohem, që e donte aq shumë jetën shpesh shprehej se ” Vdekja është një fjalë e trishtë dhe e fortë dhe bota jeton. Jeton njeriu. Me dhembje edhe me i lumtur.”

Një nga figurat kryesore të pas ’90-ës, erudit i shquar i cili u përpoq që me veprën e tij të fuqishme të krijonte një vizion të sintetizuar të Shqipërisë së tij dhe shkruar kështu pasi u diagnostikua me kancer në spitalin e Selanikut:

“Larg,afër”

Larg syve mbetën buzëqeshjet
dhe dashuritë nga zemrat larg.
Veç vdekja afër, fare afër
me dorën ngritur qëndron në prag.

Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndjej,
shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë
mbeta i veshur me qejf.

Sot s’është çudi në prag të jetë
duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. S’hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.

Shpesh herë gjatë vitit ai do të mbyllej në dhomë për një muaj rrjesht për të shkruar dhe u takuar me miqtë më rrallë në bar “West”. Vendin ku mërzinë e ngecur në grykë do e kapërdinte shpesh me një gotë whiskey e akull pak. Ndonjëherë nuk shkruante për gjashtë muaj deri në një vit. Nuk kishte qejf të komunikonte dhe bëhej i heshtur. Xhuli Keko, e shoqja është shprehur gjithnjë se ” Muza e Dorit ishin miqtë” dhe në fakt secilën eksperiencë të drekë-darkave të tij të gjata, ai kur kthehej agut shtëpisë do e shkruante.
Rrebeli, publicisti dhe njeriu i letrave, nuk e kishte kurrë të vështirë të thyente paragjykimet, sharjet, zhgënjimet shpirtërore ose të paktën këtë na la të kuptonim sa ishte gjallë përmes poezive të tij, ndërsa në fakt rëndesën e madhe së të gjitha këtyre ai e mbante të gjithë brenda vetes. Çdo ditë e nga pak, çdo vit e më shumë.

” Hija ime”

Me hijen time ik në rrugë
Ajo e sheshtë gjithë aq e zezë
E di saktësisht se ç’mendoj unë
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë
Nuk di as kurrë do më lëshojë,
kur do të më ngarkojë në shpinë.

Mik i të gjithëve, me një ndjenjë të fortë lirie dhe sakrifice Dori i vogël – siç e quanin shokët , jetoi pak por pa shumë. Që nga sallat e Parlamentit deri në fundin e tavolinave ku shtroheshin diskutime , verë e mendime. Ku shtrohej nerv dhe keqardhje, ndershmëri dhe zili.

Ai lindi në 2 Shtator të vitit 1958 dhe u nda nga jeta më 20 Gusht të vitit 2002. Teodor Keko ishte një prej publicistëve më të mirë tonë dhe shkrimtar që foli thjeshtë për të prekur të vërteta të mëdha. Dy vjet u zgjodh deputet në Kuvendin Popullor. Ai e gjeti veten në tregimin e shkurtër, duke iu përulur tregimtarëve të para viteve ’90.

Dori na ka lënë shumë shkrime dhe botime për të njohur jo vetëm atë, por gjithçka që na rrethon dhe nuk arrijmë dot ta shquajmë në kohë se ç’është: “Loja” 1990, Lajmëtarja e vdekjeve” 1991, “Pretenca”1994, “Shënimet e një gruaje” 1995, “12 Shejtore një profet dhe disa njerez” 1997, “Prostituta” 1997, “Made in Albania” 1998, “Hollësira fatale” 2001 dhe Poezi 2013. Shumë poezi të cilat na e afrojnë shpirtin e tij të bukur dhe të qeshur më shumë se kurrë sot në këtë të ditëlindjes së këtij njeriu të madh.

Do iki dhe kokën nuk do ta kthej
të shikoj Dajtin plak të trishtuar,
të shoh kafenetë mbushur me pleq,
të shoh gazetat në rrugë shtruar.
Pse ta kthej?

Këtu çdo cep një gjë të hidhur më kujton.
Një fëmini që iku për lesh,
sa për rininë, si erdhi shkoi!
Do iki!

Borxhe më kujt si kam
Të lehtë në trup e kam ndërgjegjen
Dhe që mos kthehem më kurrë pas
do marr me vete vetëm Vdekjen.

Sot nuk është një ditë e trishtë…
Dori, midis nesh ende është!

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB