MENU
klinika

Aktorit që "lindi për të interpretuar Hamletin"

Aleksandër Moisiu në Shkodër

15.09.2018 - 11:30

Aktori shqiptar me famë botërore i cili asnjëherë nuk luajti në një teatër shqiptar vjen në “Migjenin” e Shkodrës 83 vjet pas vdekjes. Aleksandër Moisiu për të cilin miku i Kafkës Max Brott shkruan “… ka lindur për të interpretuar Hamletin” nëpërmjet një ekspozite të rrallë fotografike po prezantohet në qytetin simbol të kulturës.

Falë nismës personale të Pjetër Logorecit, mbështetur edhe nga Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, foto dhe dokumete të rrallë që dëshmojnë jetën e Moisiut nisën dje nga Shkodra një shtegtim drejt të gjitha trevave shqiptare.


Qysh prej dokumentit të pagëzimit deri në çertifikatën e vdekjes çdo moment i rëndësishën artistik, familjar dhe personal jepet nëpërmjet kësaj ekspozite. Ideatori dhe kuratori i saj Logoreci për mediat veçon fotografinë e maskës së vdekjes dhe tre fjalët e fundit të shkruara prej tij, para se dora të humbiste fuqitë dhe të binte e pajetë.


Pra kjo ekspozitë nuk përbëhet vetëm nga fotografi të aktorit të madh por edhe dokumente me rëndësi për jetën e tij apo të tjerë që mbajnë nënshkrimin e Moisiut.


Ndërkohë që sot vlerësohet e nderohet së tepërmi personaliteti i Aleksandër Moisiut, duhet vënë në dukje një fakt i çuditshëm: pak para se të vdiste, ai kërkoi nënshtetësinë shqiptare dhe atë italiane; ajo italiane iu dha ndërsa shqiptarja jo.

Pjetër Logoreci nuk është i panjohur në kontributet e dhëna për kulturën, pasi përpos kësaj ekspozite, së fundmi është kujdesur për botimin e “Po shkruej për vedi e për Shkodrën” të Simon Rrotës ndërsa falë tij vite më parë janë kthyer në atdhe eshtrat e firmëtarit të Pavarësisë dhe zëvëndës kryeministrit të parë shqiptar dom Nikollë Kaçorri.
Prej vitesh, ai hulumton në arkivat e Vienës ku jo vetëm ka gjetur materiale për ekspozitën në fjalë, por edhe të tjera dokumente me rëndësi, një pjesë të të cilave ia ka dhuruar Bibliotekës Kombëtare.

Aleksandër Moisiu lindi në Trieste 1879 dhe vdiq në Vjenë në vitin 1935. Ishte aktor i madh dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, mes të cilëve edhe “Aktori më i mirë i Evrpoës”, kurora – simbol e të cilit ndodhet e fotografuar në ekspozitë.

Për të pati shkruar edhe Franc Kafka e pas Kafkës, është e kotë të flitet:
“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit.”

A.D

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit