MENU
klinika

Nga BRUNO VESPA

Antonio Gramshi: Për një natë në rolin e të dashuruarit

07.09.2018 - 20:02

Albumi i familjes së dashurive komuniste në Itali zë fill me gjyshin e Valter Veltronit: Antonio Gramshin, të ashtuquajturin “Nino”. Gramshi qe figura më e kulluar e liderëve komunistë të historisë italiane.

Një antifashist i vendosur dhe heroik. Por në të njëjtën kohë, i vetmi që pati kurajë t’u kundërvihet spastrimeve të para staliniste, edhe në dëm të komunistëve italianë, dhe që e kundërshtoi që në fillim sistemin e deponimeve me dhunë për të akuzuar të pafajshmit. Është e kotë të themi se Palmiro Toliati nuk bëri kurrë asgjë të tillë.
Nëse na ka mbërritur një kujtim i zbehtë, nëse dimensionet reale të dramës së tij personale dhe politike janë zbuluar vetëm nga studime të kohëve të fundit, përgjegjësia është pikërisht e Toliatit dhe pasuesve të tij.

Gramshi qe viktimë e Musolinit, që e arrestoi në 1926-ën dhe i dha lirinë e plotë vetëm pak para vdekjes, në 1937-ën. Por qe viktimë edhe e Stalinit, dhe fatkeqësisht, në një farë mënyre i Toliatit, që nuk bënë asgjë serioze për ta liruar: diktatori sovjetik sepse e konsideronte – padrejtësisht – një trockist të rrezikshëm, ndërsa politikani italian sepse e lidhi gomarin aty ku donte padroni. Dhe Duçja, i cili priste një kërkesë formale shkëmbimi për të burgosurit politikë që do ta përdorte për propagandën e tij, nuk lëvizi – natyrisht – asnjë gisht. Nëse merremi me të tilla çështje, në këtë rast, si të them?, është sentimentale, këtë e bëjmë për faktin se grushti i Stalinit arriti deri aty sa ta godiste Gramshin edhe te njerëzit më të dashur.

Kur në maj të 1922-it, Gramshi u thirr për të përfaqësuar Partinë e re Komuniste Italiane në Internacionalen komuniste të Moskës, ishte kaq i sëmurë dhe zemërlëshuar saqë Presidenti i Internacionales, Grigorij Zinovev, këmbënguli për ta shtruar në një sanatorium ( “Pylli i argjendtë” ) në periferi të Moskës. Këtu Gramshi takoi një grua disa vite më të madhe se vetja, me të cilën u lidh thellësisht. Quhej Euxhenia Schucht, një nga pesë vajzat e një aristokrati të kulturuar anticarist, i cili kishte jetuar gjatë në Romë me familjen. Euxhenia ishte e kapitur me një formë të rëndë lodhjeje psikofizike. Shoqëria me Antonion, pas të cilit gruaja ishte dashuruar pak nga pak, e lehtësoi. Por pak javë pas takimit të tyre, Gramshi njohu një ndër motrat e Euxhenias, Xhulian, që kishte studiuar për violinë në konservatorin roman të Santa Çeçilias. Ai u dashurua sa hap e mbyll sytë me të dhe anasjelltas. Antonio ishte 31 vjeç dhe nuk e kishte njohur kurrë dashurinë, ndonëse kishte një ndjeshmëri të jashtëzakonshme; ajo ishte 26 vjeç. Mes tyre lulëzoi një lidhje mjaft e ëmbël, e pasuar shumë shpejt me një martesë, me fund të dhimbshëm, madje dramatik. “Është e vërtetë, prej shumë vitesh jam mësuar të mendoj se ekziston një pamundësi absolute, thuajse e pashmangshme që mua mund të më dashurojnë”, i shkroi në një nga letrat e para. Dhe akoma: “Jeta ime ka qenë ngaherë një flakë e ftohtë, një shkurre e vogël. Si munda t’i them se e dua?”.

Dashuria për Xhulian e kishte ëmbëlsuar madje e kishte transformuar karakterin e Gramshit, që ndërkaq kishte dalë nga sanatoriumi dhe qe bërë protagonist i një ndërmjetësimi mes Moskës dhe liderit italian të PCDI-së, Armando Bordiga. Moska kërkonte ribashkimin e komunistëve dhe të socialistëve pas përjashtimit nga Partia Socialiste të reformistit Filipo Turati, ndërsa Bordiga as që donte t’ia dinte. Në jetëshkrimin e tij ( Jeta e Antonio Gramshit ) Xhuzepe Fiori tregon se, kur në 1923-in në kryeqytetin sovjetik mbërriti lajmi për një mandat arresti, të lëshuar në Itali kundër Gramshit, shokët e gjetën të zbrazët dhomën e tij në hotelin Lux dhe i ranë Moskës rreth e përqark pa rezultat. Kur më në fund u kthye në hotel, i kërkuari u tha shokëve të shtangur: “Për një natë desha të isha vetëm në rolin e të dashuruarit”.

I zgjedhur në dhomën e deputetëve në 1924-ën, Gramshi mundi të kthehet në Romë i mbrojtur falë imunitetit parlamentar. Me gjithë këmbënguljet e tij, Xhulia nuk i shkoi pas. Ishte e trishtuar dhe e dobët, viktimë e simptomave të para të lodhjes nervore që në vitet e mëpastajme do ta çonte në pragun e çmendurisë. Letrat e Antonios nuk vlejtën për gjë: “Do të gjeja gjërat më të zgjuara për të të bërë të buzëqeshësh. Do të bëja sahate kompensate, violina brumletre, hardhuca dylli me dy bishta…

Do të të tregoja të tjera histori, gjithmonë e më të mrekullueshme, të fëmijërisë sime paksa të egër dhe primitive, kaq të ndryshme nga e jotja. Mandej do të të puthja e do të të përqafoja me mijëra herë për të të ndierë krejtësisht të gjallë brenda meje, jeta e jetës sime, kështu si je”. Dhe përsëri në 18 gusht të 1924-ës i shkruan: “E dashur Julka [ emri i Xhulias në rusisht ], duhet t’i ndiesh mbi sytë e tu buzët e mia, duhet të ndihesh e ngërthyer pas meje në një përkëdheli me gjithë qenien time, duhet të ndiesh tërë lumturinë time që të dashuroj, e të qenit një gjë e vetme me ty, në gëzimin e krijimit të një jete të re”.

Udhëtimi në Moskë, mes marsit dhe prillit të 1925-ës, i dha mundësinë Gramshit të njohë djalin e parë, Delion, që tanimë ishte nëntë muajsh, dhe të konstatonte përkeqësimin e gjendjes të së kunatës Euxhenia, e cila donte me çdo kusht të konsiderohej edhe ajo mama e fëmijës. Kthimi në Romë përkoi me shuarjen e lirive të fundit të pakëta.

Në tetor të 1925-ës, Xhulia shkoi në Romë me fëmijën dhe të motrën e sëmurë. Dhe aty takoi një motër tjetër, Tatianën, me të cilën nuk kishte marrëdhënie prej vitesh: ishte Gramshi ai që i tha për lidhjen e tij me Xhulian. Për liderin komunist ishte periudha e fundit e qetësisë: kalonte orë të tëra me Delion, që shfaqte një interes gazmor për pianon ndonëse ishte vetëm një vjeç e gjysmë. Xhulia u largua sërish nga Italia në pritje të një fëmije tjetër, të cilin i ati nuk do ta njihte kurrë.