Menu

Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës

09.09.2018

Nga prof. Fatos Tarifa/

Stadi në të cilin mund të ndodhë një ndryshim strukturor në sistemin ndërkombëtar përcaktohet ose nga akumulimi i fuqisë së domosdoshme politike, ushtarake dhe ekonomike të shteteve të veçanta, ose nga fakti se sa efektivisht munden aleanca të ndryshme (siç është edhe Bashkimi Europian), të kombinojnë kolektivisht potencialet e shteteve të veçantë anëtarë të aleancës: forcat e tyre të armatosura, kapacitetet mbrojtëse, infrastrukturën për studim dhe zhvillim si edhe aftësitë vendim-marrëse për probleme strategjike.

Në fakt, nëse Bashkimi Europian do të ishte një shtet i vetëm, bota e sotme mund të ishte dypolare. BE nuk mund të bëhet një superfuqi Ka autorë, të cilët mendojnë se Europa është, në fakt, një superfuqi ushtarake, e cila “ushtron influencë globale dhe ka aftësinë të arrijë atë që do”. Në të vërtetë, Bashkimit Europian nuk i mungojnë kapacitetet e domosdoshme, të cilat do ta bënin atë eventualisht një fuqi botërore, të barabartë me Shtetet e Bashkuara, ose një ekuivalent global të fuqisë amerikane.

Shpenzimet e BE-së për qëllime ushtarake vijnë në vend të dytë (pas shpenzimeve të Shteteve të Bashkuara) dhe janë 4 herë më të mëdha sesa shpenzimet ushtarake të Kinës, 7 herë më të mëdha se sa ato të Rusisë dhe mbi 10 herë më të mëdha sesa shpenzimet ushtarake të Indisë. Po kështu, armët më të avancuara në kohën tonë prodhohen në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe dhe në vendet më të zhvilluara të BE-së.

Sidoqoftë, ajo çfarë i mungon Bashkimit Europian është koherenca dhe aftësia e domosdoshme për të vepruar si një fuqi e vetme ushtarake, përveç të tjerash, edhe për shkak se, duke qenë nën ombrellën amerikane për një kohë shumë të gjatë, Europa nuk ka pasur nevojë—dhe përsëri nuk ka nevojë—të marrë përgjegjësi të plotë për mbrojtjen e saj. “Pa angazhimin e drejtpërdrejtë të NATO-s”, shkruante Brzezinski, “Europa nuk do të lëvizte asnjë gisht”. Robert Kagan, nga ana e tij, ka vënë në dukje se: “Çfarëdo që të kenë pasur në mendje arkitektët e tij, integrimi europian ka provuar se është armiku i fuqisë ushtarake europiane dhe i një roli të rëndësishëm global për Europën”.

Nëse si partnere në Aleancën Transatlantike, Amerika, për të mirën e vet, është shumë e fortë, kjo, në një masë të madhe, ka ndodhur dhe ndodh edhe ngaqë Europa është shumë e dobët. Partneriteti dhe bashkëpunimi mes të dy anëve të Atlantikut do të ishte shumë më i mirë, nëse fuqia dhe dobësitë e çdonjërës prej tyre do të balanconin tjetrën. Sidoqoftë, unë mendoj se Bashkimi Europian asnjëherë nuk do të jetë në gjendje të sigurojë atë unitet në marrjen e vendimeve që e gjejmë në Shtetet e Bashkuara, apo në fuqitë e mëdha tradicionale, sidomos kur është fjala për krijimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët europiane të jashtme dhe të mbrojtjes, që t’i shërbente një interesi të përbashkët europian.

Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka një “interes kombëtar europian”. Me gjithë arritjet e mëdha në drejtim të një integrimi gjithnjë e më të thellë e më efektiv ekonomik, politik, juridik e social, Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një grupim vendesh tepër heterogjene, pa objektiva afatmesëm dhe afatgjatë, të cilët të përputhen në çdo rast me interesat dhe objektivat e veçantë të shteteve anëtarë.

Paradoksi i një Europe të tillë është, siç vinte në dukje Brzezinski, se “Komuniteti Europian, me zgjerimin e tij, u vetquajt Bashkimi Europian. Por, ajo që ka ndodhur në të vërtetë është se, si rrjedhojë e zgjerimit, Bashkimi Europian është bërë Komuniteti Europian”. Për arsyet e mësipërme, Bashkimi Europian ka sot një aftësi të kufizuar për të vepruar si një organizëm politik i vetëm. Siç argumentojnë John Hulsman dhe William Schirano, “ndërsa në nivelin e shteteve të veçantë Europa vazhdon të jetë vitale, kolektivisht ajo është shumë më pak se shuma e pjesëve të saj”.

Një studim mbi gjendjen e Bashkimit Europian, i sponsorizuar nga Shoqata e Studimeve të Bashkimit Europian (European Union Studies Association), vë në dukje se Europa është shumë larg të qenit “një komb i vërtetë europian”. Unë mendoj se europianët kurrë nuk do të mund të bëhen një komb i vetëm, madje ata as që e dëshirojnë këtë. Telefoni si metaforë në marrëdhëniet Uashington-Bruksel Shumë autorë bashkohen me mendimin se integrimi, ose unifikimi europian është sot në një gjendje krize, në një masë të tillë që jo gjithnjë perceptohet siç duhet brenda apo jashtë Europës.

Në shumë raste, kryeqytetet e vendeve anëtarë të BE-së kanë opinione dhe mbajnë qendrime të ndryshme jo vetëm mbi atë se si mund ose duhet t’i organizojnë ekonomitë e tyre kombëtare, por edhe mbi aspekte të veçanta të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç janë, fjala vjen, problemet e tregtisë së lirë, qëndrimi ndaj emigrantëve dhe refugjatëve, qëndrimi ndaj NATO-s, ose marrëdhëniet me Uashingtonin. Veçanërisht kur është fjala për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, europianët nuk janë gjithnjë të një mendjeje me njëri-tjetrin mbi atë se si mund të influencojnë ata në vendimet që merr Uashingtoni, duke manifestuar kështu, nga njëra anë, tendenca kundërshtimi dhe, nga ana tjetër, marrëdhënie bashkëpunimi.

Shumë është folur gjatë këtyre dy dekadave të fundit për një politikë të përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Europian, parimet e së cilës u formalizuan në Traktatin e Mastrihtit, më 1992. Por ç’mund të jetë një politikë e jashtme europiane kur Europa mund të jetë e ashpër vetëm ndaj Shqipërisë apo Maqedonisë, ndërsa nuk është dhe s’do të jetë në gjendje të tregohet e ashpër ndaj Rusisë apo Kinës, ndaj Iranit, Pakistanit apo Sirisë? Në fushën e politikës së jashtme, Bashkimit Europian i mungon ajo çfarë Robert Schuman, njëri prej ideatorëve të Europës së bashkuar, e quante “solidaritet de facto”. A mund të përfytyroni dot një Bashkim Europian, në të cilin Franca dhe Gjermania të bashkojnë kapacitetet e tyre ushtarake konvencionale, Gjermania të kërkojë—për shkak të përmasave (sipërfaqes dhe popullsisë) dhe të potencialeve të saj—një rol ushtarak dominues, ndërsa të gjithë vendet e tjerë anëtarë të BE-së të heqin dorë nga sovraniteti i tyre kombëtar?

Po kështu, a mund të përfytyroni dot që Europa të ketë dhe të mobilizojë, sot ose në një të ardhme të afërt, një ushtri të vetën, jashtë strukturave të NATO-s, ose të dërgojë qindra mijëra trupa të vetat në territore jashtë saj? Në Bashkimin Europian nuk gjen as kohezion të brendshëm apo solidaritet dhe as vullnet politik për të pasur një politikë të përbashkët europiane të jashtme dhe të mbrojtjes.

Kjo e vërtetë e thjeshtë është manifestuar qartë, të paktën dy herë gjatë këtyre 30 vitëve të fundit. Herën e parë, si farsë, gjatë pushtimit të Kuvajtit nga Iraku, më 1990. Në atë kohë, Gjermania ishte në agoni për dërgimin e një numri të vogël avionësh stërvitorë në Turqi; Franca dërgoi në Gjirin Persik vetëm një anije aeroplan-mbajtëse me helikopterë dhe jo avionë; ndësa Belgjika refuzoi t’i shiste municion ushtrisë britanike. Herën e dytë, si tragjedi, gjatë luftrave që shoqëruan shkatërrimin e Jugosllavisë së Millosheviçit në vitet 1990.

Më shumë se çdo vend tjetër nënshkrues i Traktatit të Romës më 1957, Franca ishte dhe mbeti shumë entuziaste për krijimin e një Europe të bashkuar vetëm për aq kohë sa ajo shpresonte se do të ishte në gjendje të luante rolin drejtues në të. Kjo shpresë tashmë është shuar përfundimisht dhe, bashkë me të, ka rënë edhe entuziazmi francez. Madje, siç shkruante The Economist në pranverë të vitit 2006, nën drejtimin e Presidentit Jacques Chirac Francau bë “një ndër vendet më armiqësorë ndaj projektit europian”.

As anti-amerikanizmi endemik që vazhdon të manifestohet në disa prej vendeve të BE-së (i kamufluar shumë herë si kritikë ndaj unilaterizmit amerikan, ndaj sistemit njëpolar apo ndaj qendrimeve tëpresidentëve George W. Bush apo Donald Trump), nuk mjafton për të qenë—dhe as mund të shërbejë—si baza e një politike të jashtme të përbashkët europiane, siç shërbeu dikur anti-sovjetizmi për bashkimin e vendeve europiane ndërmjet tyre dhe në aleancë me Shtetet e Bashkuara.

Vendet anëtarë të BE-së nuk kanë pranuar deri më sot t’ia transferojnë sovranitetin dhe autoritetin e tyre për çështjet e politikës së jashtme Brukselit përmes ndonjë traktati detyrues dhe nuk duket se kanë dëshirë ta bëjnë këtë as në të ardhmen. Për këtë arsye, Uashingtoni e ka të vështirë të dialogojë me Brukselin mbi çështje të politikës globale, pasi BE-ja nuk ka një “identitet diplomatik”, pra as legjitimitetin dhe autoritetin që të flasë në emër të të gjitha qeverive të vendeve që janë anëtarë të saj, apo në emër të një vendi të veçantë.

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, e ka shprehur këtë më mirë se kushdo, kur pyeste: “Who do I call if I want to call Europe?”(Kujt duhet t’i telefonoj nëse dua të flas me Europën,?). Duke perifrazuar këtë frazë të njohur, Presidenti rus Vladimir Putin shprehte të njëjtin “shqetësim” kur thoshte: “Është e vështirë për ne që të zhvillojmë një dialog me BE-në përderisa ajo nuk ka një strukturë të saktë dhe të qartë dhe përderisa ky organizëm është akoma në proces formimi”.

“Ballkanizim” i Europës?

Edhe pse me Traktatin e Amsterdamit, në viti 1998, u vendos krijimi i postit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë—post i cili mori komptentenca të reja me Traktatin e Lisbonës në fund të dekadës së parë të këtij shekulli—Europa përsëri nuk ka arritur të ketë “zërin” e saj dhe të artikulojë një pikëpamje të vetme “europiane”.

Shpesh herë, politika të cilat hartohen në Bruksel, në Paris ose në Berlin, mund të mos gjejnë mbështetje në Budapest, në Varshavë ose në Athinë. Kjo do të thotë se “një politikë e jashtme e vërtetë e BE-së mund të vdesë përpara se ajo të lejohet ligjërisht të lindë”. Mënyra se si janë rregulluar institucionalisht marrëdhëniet e vendeve anëtarë të BE-së me Brukselin përsa u përket çështjeve të politikës së jashtme e të sigurisë së tyre kombëtare lejon që qeveria apo elektorati i një vendi të vetëm, sado i vogël të jetë ai, të mund të bllokojë bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Shtetet e Bashkuara dhe përkrahjen për iniciativat diplomatike amerikane, ose pjesëmarrjen në to. Kjo e bën Bashkimin Europian esencialisht inefektiv dhe legjitimon shqetësimin real që ndërsa Ballkani po europianizohet gjithnjë e më shumë, vetë Europa mund të ballkanizohet.

Një fakt i tillë dëshmon një deficiencë serioze të Bashkimit Europian, që ka të bëjë me procesin e marrjes së vendimeve në instancat më të larta të institucioneve të BEsë. Ky proces është jashtëzakonisht i ngadaltë, sidomos kur bëhet fjalë për sfera të tilla, si politika e jashtme ose çështje të sigurisë, në të cilat çdo vend anëtar niset nga interesat e veta kombëtare dhe ka të drejtën e vetos. Qendra për Reformë Europiane (Centre for European Reform), një organizatë think-tank në Londër, konsideron si një ndër dobësitë më të mëdha të Bashkimit Europian atë çka ajo e quan “delivery deficit’, me fjalë të tjera, paaftësinë e Brukselit për të marrë vendime, për të vepruar e për të zgjidhur në mënyrë efektive çështjet që preokupojnë si Bashkimin Europian, ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar.

Vetëm një Europë që është vërtet e bashkuar mund të arrijë të krijojë një peshë dhe një influencë të tillë, jo vetëm ekonomike, por edhe politike, diplomatikee ushtarake që do ta bënte atë një aktor vërtet të rëndësishëm në skenën e politikës globale. Krijimi i një Europe të tillë varet nga thellësia e integrimit politik të saj, nga zgjerimi i mëtejshëm, si dhe nga shkalla në të cilën Europa arrin të zhvillojë sistemin e saj të mbrojtjes dhe identitetin politik e diplomatik të saj.

Edhe pse, deri më sot, Bashkimi Europian ka ndërmarrë shumë hapa të rëndësishëm në këto drejtime,nuk ka aspak të ngjarë që, në një të ardhme të afërt, ndonjë qeveri kombëtaree një shteti anëtar të BE-së të bjerë dakord që t’ia delegojë sovranitetin e vet në këta sektorë një autoriteti jokombëtar, që të përdorë shërbimet dhe personelin e vet ushtarak në shërbim të një politike të jashtme në rajone të ndryshëm të botës, që mund të mos kenë lidhje me interesat kombëtare të atij shteti dhe për të cilat mund të jetë e pamundur të bindësh publikun vendas.

Një rrethanë e tillë, natyrisht, nuk i ndihmon ambicjet e Bashkimit Europian për të luajtur një rol më të madh në skenën botërore, aq më pak për të marrë përsipër rolin e lidershipit global, përderisa një rol i tillë presupozon aftësinë për të marrë vendime koherente, efektive dhe të shpejta për t’iu përgjigjur krizave dhe sfidave globale e rajonale, aftësi e cila BE-së i mungon.

Për të mundësuar këtë dhe për të krijuar një balancë pushteti në arenën ndërkombëtare, Bashkimit Europian do t’i duhet, së paritë pezullojë balancën e pushteteve brenda tij, çka do të thotë se, çdonjërit prej vendeve anëtare të BE-së—nga Gjermania te Franca, te Qipro, Malta dhe Bullgaria—do t’i duhet të heqë dorë nga sovraniteti i vet kombëtar.

Aktualisht, asnjë qeveri europiane nuk e ka vullnetin ta bëjë këtë. Por, edhe sikur ato eventualisht të bien dakort që t’ia transferojnë sovranitetin e tyre kombëtar një autoriteti “supranacional”, ose “post-nacional”, kjo nuk ka aspak të ngjarë të ndodhë brenda një kohe të shkurtër, por do të kërkojë një kohë shumë të gjatë—nëse BE-ja do të vazhdojë të ekzistojë. Përveç kësaj, përpjekjet e BE-së për t’u bërë një fuqi e madhe globale do të kërkonin një kosto financiare shumë të lartë, të cilën europianët e sotëm—në krizën që ka mbërthyer sistemin e tyre të shtetit të mirëqenies—nuk kanë as vullnetin më të vogël që ta përballojnë.

Europianët do të preferonin më mirë të vazhdonin të jetonin nën hegjemoninë e Shteteve të Bashkuara dhe të kenë sigurinë që kanë pasur nën ombrellën amerikane gjatë 70 viteve të fundit, sidomos ngaqë siguria e tyre nuk kërcënohet nga Shtetet e Bashkuara, si e vetmja superfuqi në kohën tonë. Europianët vazhdojnë të ndihen të sigurt për shkak të lidhjeve të tyre me Amerikën dhe të mbrojtjes strategjike që u siguron ajo.

Pavarësisht fuqisë ekonomike të saj, Europa, siç ka argumentuar Brzezinski, “është de facto një protektorat ushtarak i Shteteve të Bashkuara”. Edhe pse shumica e europianëve të sotëm mund të mos duan ta pranojnë këtë, është fakt, siç shprehet me të drejtë Robert Kagan, se “Stabiliteti i Europës edhe sot e kësaj dite mbështetet në garancinë se Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë në këtë kontinent për t’u siguruar se në të nuk ka ndonjë zhvillim të rrezikshëm.

Në një botë të vërtetë multipolare, kjo do të ishte e pamundur pa rrezikuar një luftë botërore”. Dhe nëse europianët i tremben një farë “kërcënimi” amerikan, ky kërcënim është i një natyre krejt tjetër. Siç shkruan Kagan në librin e tij të njohur Mbi parajsën dhe pushtetin (Of Paradise and Power),“Ajo, së cilës i tremben europianët nuk është se Shtetet e Bashkuara duan të kenë kontroll mbi ta, por sepse [vetë europianët] kanë humbur kontrollin mbi Shtetet e Bashkuara dhe, për rrjedhojë, edhe kontrollin mbi drejtimin e problemeve botërore”.

Kjo është bërë edhe më e dukshme me ardhjen në krye të administratës amerikane të një presidenti izolacionalist, si Donald Trump.

Kjo mungesë e dukshme vullneti në radhët e europianëve për të përballuar koston që kërkohet për krijimin e një sistemi mbrojtës për kontinentin e tyre, jashtë ombrellës amerikane, si dhe tendenca e tyre e përgjithshme për t’ua lënë çështjet strategjike dhe ato të sigurisë Shteteve të Bashkuara, shpjegon përse europianët nuk janë ambiciozë për t’u bërë një fuqi ushtarake.

Kjo vjen nga fakti se europianët kanë jetuar shumë gjatë dhe shumë mirë nën lidershipin amerikan. Për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, elitat politike të Europës u mësuan me faktin që iniciativat dhe vendimet për probleme globale merreshin në Uashington, ndërsa qeveritë europiane ose i çmonin dhe i mirëprisnin ato, ose i kritikonin dhe kundërshtonin, por në fund, thuajse gjithnjë, vepronin në përputhje me to.

Në këtë mënyrë, të mësuar për dekada të tëra me faktin se Amerikapërballonte edhe problemet e tyre, europianët kanë pasur fare pak motivim të zhvillonin atë mentalitet dhe ato kapacitete që do t’u duheshin për t’i përballuar vetë problemet e veta. Mbi të gjitha, lënia e iniciativave, e marrjes së vendimeve dhe e implementimit të tyre kryesisht Amerikës, pavarësisht sensitivitetit politik që shkaktonte kjo në disa kryeqytete europianë, ka qenë dhe mbetet e përshtatshme dhe e dobishme për shumicën e qeverive europiane dhe për përfaqësuesit e tyre në institucionet e BE-së në Bruksel.

Siç shkruan Victor Hanson: “Diplomatët e Bashkimit Europian sillen si filozofët e dikurshëm të Greqisë së Lashtë në agora pasi ata e dinë se janë të mbrojtur nga amerikanët, të cilët luajnë rolin e legjioneve romake”. Partnerë të pabarabartë në një Aleancë të madhe Edhe pse aleanca mes Amerikës dhe Europës është një aleancë e natyrshme dhe me një histori të gjatë, për të përballuar sfidat ekonomike dhe problemet e sigurisë globale në shekullin e 21-të Amerika ka nevojë për një Europë të bashkuar, të fortë e të vendosur, që të sakrifikojë për mbrojtjen e interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Europa është e fortë; përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Europa është e dobët.

Kjo e bën Aleancën Transatlantike të pabarabartë dhe, siç theksonte Brzezinski, “asimetria e fuqisë që ka secila palë [në këtë aleancë] ka të ngjarë të rritet edhe më tej në favor të Amerikës”. Nëse Europa do të vazhdojë të jetë e pavendosur që të sakrifikojë dhe që ta mbështesë Amerikën efektivisht, askush nuk ka pse të çuditet nëse një ditë Uashingtoni do i shpërfillte partnerët e tij europianë (siç po vepron aktualisht presidenti Trmp) dhe do i orientonte politikat e tij në rajonin e Paqësorit dhe në Amerikën Latine (edhe pse Trump nuk duket se po e bën këtë).

Fatmirësisht, Amerika nuk mund të personifikohet te President Trump dhe ky i fundit nuk është Amerika. Amerika do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kërkojë mirëkuptimin dhe mbështetjen për politikat e saj në vende të veçantë të Bashkimit Europian, të cilët janë më pranë Amerikës sesa, fjala vjen, Austria, Belgjika apo Greqia. Sa për Britaninë e Madhe, të cilën, po të perifrazojmë një shprehje të dramaturgut të famshëm George Bernard Shaw, e ndan nga Amerika “një gjuhë e përbashkët”, ky vend, pa dyshim do të vazhdojë të mbetet aleati më i natyrshëm, më i ngushtë dhe më i besueshëm i Amerikës në Europë, sidomos pas daljes së tij nga BE-ja, duke ruajtuar dhe zhvilluar një “marrëdhënie të veçantë” me Shtetet e Bashkuara. Një marrëdhënie e tillë “e veçantë” ka qenë prej kohësh një parim esencial i politikës së jashtme britanike.

Pas aventurës së Kanalit të Suezit më 1956, kur Anglia dhe Franca u përpoqën të rivendosnin influencën e tyre në Lindjen e Mesme, por u penguan në këtë përpjekje nga Presidenti amerikan Dwight Eisenhower dhe u tërhoqën me turp, për çdo qeveri britanike u bë dhe mbetet e qartë (ajo çfarë asnjë president francez deri më sot—me përjashtim, ndoshta, të Presidentit Nicolas Sarkozy—nuk ka dashur ta pranojë), se Anglia nuk mund të shpresojë të luajë më një rol madhor në botën e sotme, as si një fuqi më vete, as si kundërshtar i Shteteve të Bashkuara.

Për këtë arsye, strategjia e politikës së jashtme britanike ka qenë dhe mbetet e tillë që “shkëmben luajalitetin ndaj Shteteve të Bashkuara me një marrëdhënie të privilegjuar me Uashingtonin” në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Edhe nëse Europa kërkon të krijojë koalicione në formën e “partneriteteve strategjikë” me fuqi të tjera të mëdha, si Rusia, Japonia, Kina, Kanadaja apo India, siç theksohet në “Strategjinë e Sigurimit Europian”, për të vënë nën kontroll fuqinë amerikane, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë sukses. Përvoja historike na mëson se marrëdhëniet e krijuara vetëm mbi bazën e interesave të rastit mbeten të dobëta, ndërsa marrëdhëniet që ngrihen mbi bazën e interesave e tëvlerave të përbashkëta kanë rrënjë të thella dhe jetojnë gjatë.