MENU
klinika

Intervistë me shkrimtarin e njohur shqiptar

Në pritje të romanit në italisht “Piccola saga carceraria”

16.09.2018 - 09:59

Intervistoi Klodeta Gjini

1- Në momente të caktuara të jetës jemi të ndjeshëm rreth disa tematikave kundrejt të tjerave. Çfarë temash tërheqin më tepër Besnikun dhe në çfarë këndvështrimi?

Temë qëndrore në veprën time, qoftë ajo në prozë me romanet dhe esetë, apo në poezi është politika, në kuptimin e ndikimit përcaktues që ka patur gjatë gjithë shekullit të XX në fatin e njeriut shqiptar. Shekulli XX është edhe periudha qysh kur Shqipëria u bë vend i pavarur. Unë nuk kam shkruar asnjë vepër që shkon në histori përtej këtij caku.

Kur flas për ndikimin përcaktues që ka patur politika në fatin e njeriut shqiptar, kam parasysh ndërhyrjen e saj në jetën e përditshme të individit, i cili nuk ka predispozitën për të qënë një aktivist politik. Politika është e vetmja rrugë, nëpër të cilën vjen liria. Ose mohohet ajo. Për një kohë shumë të gjatë, shqiptari i zakonshëm e ka njohur politikën si rrugën që i ka mohuar lirinë. Të gjitha subjektet e veprave të mia zhvillohen në Shqipëri.  Prandaj edhe unë, si shkrimtar, nuk mund t`i shmangesha këtij realiteti historik. Rrjedhimisht, dramat e personazheve të mi, qofshin ato edhe të lidhura me dashurinë apo me vdekjen, e kanë detyrimisht një sfond politik.

 

2- Edizioniensemble ju quan një nga shkrimtarët bashkëkohës më të rëndësishëm. Si paraqitet sot prodhimtaria letrare shqipe?

Prodhimtaria letrare sot në Shqipëri zhvillohet në liri të plotë si në çdo vend tjetër europian. Por, fatkeqësisht, shkrimtari, poeti, njeriu i letrave në vendin tonë nuk i ka mundësitë ta verë këtë liri në shërbim të krijimtarisë letrare, duke e bërë të dobishme për krejt kulturën kombëtare. Tregu shqiptar i librit është shumë i vogël. Asnjë shkrimtar nuk mund të jetojë vetëm me të ardhurat nga shitja e librave në gjuhën amtare. Për më keq, ky treg është në gjendje kaotike. Më e dukshmja është mungesa e nje rrjeti të vëtetë librarishë, që do ta çonin librin afër lexuesit. Shkrimtarët dhe poetët janë kështu të detyruar të bëjnë një mijë punë për të mbajtur veten dhe famijlen. Letërsia e vërtetë nuk bëhet dot duke vjedhur pak kohë mbrëmjeve vonë apo gjatë fundjavës. Ndërtimi i një vepre letrare kërkon përkushtim tërësor.  Në vende të vogla si vendi ynë, në ndihmë të shkrimtarëve vjen shteti me bursa të ndryshme, në mënyrë që ata të përqëndrohen te krijimtaria letrare të paktën një pjesë të vitit. Në Shqipëri   kjo nuk ndodh.

Megjithatë, më besoni, çdo vit në Tiranë botohet poezi e nivelit më të mirë europian. Por nuk mungojnë as romanet dhe tregimet shumë të mira. Unë jam shumë admirativ ndaj kolegëve të mi për vullnetin e jashtëzakonshëm dhe dashurinë e madhe që tregojnë për letërsinë, duke i sfiduar këta rrethana jetësore të vështira. Brezi i shkrimtarëve dhe poetëve që erdhën në letërsi fill pas ndryshimit të sistemeve politike në fillim të viteve ’90, është rritur tashmë dhe pjekur mirë. Por edhe autorët e brezit tim, që liria na gjeti 30 vjeçarë dhe me një emër të bërë në sistemin e mëparshëm, vazhdojnë të shkruajnë dhe botojnë, duke treguar se ishin të aftë t’u përshtateshin kërkesave të reja politike dhe historike dhe të përfitojnë prej tyre në dobi të veprës letrare. Kjo larmi përvojash që paraqitet në skenën letrare të Shqipërisë e bën edhe prodhimtarinë në prozë e në poezi shumë të larmishme.

3- Në 1997 je shpallur fitues i çmimit Méditerranée për librin “Daullja prej letre” ose ne italisht “Il tamburo di carta”. Sa është e rëndësishme për një autor pjesëmarrja në konkurset letarare dhe çfarë vlerash ka për shkrimtarin?

Romani im “Daullja prej letre” është nderuar me këtë çmim pas botimit të tij në frëngjisht dhe ku pati një pritje shumë të mirë. “Çmimi Mediteranée” konsiderohet si një lloj Nobeli i Mesdheut. Nga letërsia italiane atë e kanë marrë autorë të mëdhenjsi Antonio Tabuchi apo Umberto Eco. E ka marrrë shkrimtari turk Orhan Pamuk. Mund të bëja kështu një listë të gjatë me romancierë nga të dy anët e Mesdheut e që janë ndër autorët më të mëdhenj të letërsisë së sotme botërore. Para meje, si shqiptar, e ka marrë Ismail Kadare. Pra, jam krenar, që jam në një shoqëri të tillë.

Këto lloj çmimesh serioze, juritë e të cilave i zgjedhin vetë veprat, në diskrecion të plotë, pa dijeninë e autorit, kanë një vlerë të madhe për shkrimtarin. Ato ia shtojnë shkrimtarit besimin në vete për të vazhduar shkrimin e veprës së vet. Sidomos për një shkrimtar që shkruan në një gjuhë të vogël e të panjohur, siç është shqipja, një vlerësim i tillë merr rëndësi edhe më të madhe. Por, këto çmime kanë një vlerë të madhe edhe për veprën. Ata tërheqin vëmendjen e kritikës letrare dhe të leximit te vepra. Zaten, edhe qëllimi kryesor i çmimeve serioze letrare: përhapja e librit dhe shtimi i lexuesve dhe jo thjesht kënaqja e egos së autorit.

 

4- Aktualisht publiku italian ju njeh nërmjet  “Legjenda e lindjes sime” publikuar nga Ensemble dhe “Shqipëria midis krimit dhe mirazhit” Garzanti më 1993. Në shtator lexuesit do të këtë nëpër duar një tjetër publikim, një roman që në Francë dhe Gjermani ka pasur sukses. Diçka më tepër për të?

Është e vërtetë, në italisht unë kam ardhur më parë më esse dhe me poezi. Nuk e kam kuptuar kurrë pse botuesit italianë janë treguar gjithmonë ngurrues ndaj prozës fiction që vinte nga Shqipëria. Rasti më domethënës është Ismail Kadare. Romanet e tij kanë filluar të përkthehen në Itali 15 vjet pasi ishin përkthyer në Francë dhe në më shumë se 20 gjuhë të tjera. Edhe unë kam tetë libra të botuara në Francë, nga të cilat pesë janë romane. Ndërsa këtu në Itali vij për herë të parë me një roman. Jam sidoqoftë shumë i gëzuar, por kam edhe shumë ankth. Do të doja që proza ime të pëlqehej nga lexuesi dhe kritika letrare italiane.

Titulli i romanit tim është “Piccola saga carceraria” dhe botohet nga Editore Castelvecchi. Ngjarjet e romanit zhvillohen rreth burgut politik gjatë gjithë shekullit XX, kur Shqipëria ka kaluar nëpër tri regjime:  monarkia, pushtimi fashist dhe komunizmi stalinist. I vetmi institucion, të cilin të tri këto regjime e kanë patur të përbashkët, ka qënë burgu politik, ku mbylleshin kundërshtarit e pushtetit. Romani im ndërton historinë e tre brezave të një familjeje shqiptare, e cila ka qënë e lidhur me burgun politik me pjestarët e saj herë si gardianë e herë të burgosur.

 

5-  Një pyetje direkte që mund të ndihmojë lexuesin. Çfarë zgjedhjesh keni sjell nga ana artistike dhe pse?

Është e vështirë për muasi autor ta them këtë gjë. Është një prozë ku ndërthuret rrëfimi herë në vetën e parë e herë në vetën e tretë. Redaktorja e librit te “Castelvec” është deri tani e vetmja lexuese italiane e romanit përveç përkthyeses Catrina Zuccaro. Kur përfundoi përgatitja e romanit për botim, ajo më ka shkruar”Ho apprezzato tantissimo il suo libro. Il punto forte della sua scrittura è la tensione narrativa, che rimane fino all’ultima pagina. L’idea della storia è originale, ma soprattutto lei riesce a  scavare nelle emozioni dell’animo umano e a trasmetterle attraverso la scrittura.”

Shpresoj   se do të jenë të shumtë lexuesit italianë, që do të kenë të njëjtën përshtypje.