MENU
klinika

Rekord i ri prej 12.4%

Bie papunësia, por punësimi nuk rritet

11.09.2018 - 12:53

Shkalla e papunësisë ra sërish në tremujorin e dytë të vitit, duke vendosur një rekord të ri. Sipas Institutit të Statistikave, papunësia ishte 12.4%, nga 12.5% që kishte qenë tremujorin e parë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare ka rënë me 1.5 pikë përqindjeje.

Një nivel kaq i ulët papunësie në Shqipëri nuk regjistrohej as në vitet kur rritja ekonomike arriti në pothuajse 7%.

Ndaj, rënia e papunësisë në këto nivele është deri diku e papritur, po të kemi parasysh se rritja ekonomike ndodhet në një proces të ngadaltë të rimëkëmbjes. Sipas Instat, vitin e kaluar prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.8%.

Përtej debateve mbi saktësinë statistikore, një hipotezë mund të jetë fakti se ekonomia shqiptare shfrytëzon së shumti faktorin punë, përkundrejt një shkalle më të ulët të shfrytëzimit të inovacionit dhe teknologjisë në proceset e prodhimit.

Sidoqoftë, të paktën për tremujorin e dytë, ulja e papunësisë nuk u shoqërua me rritje të shkallës së punësimit, që ngelin në nivelin 59.2%. Nëse shkalla e papunësisë mat numrin e të papunëve kundrejt forcës totale të punës, shkalla e punësimit jep raportin mes numrit të të punësuarve dhe popullisë në moshë pune. Një ulje e papunësisë në ekonomi jo domosdoshmërisht shoqërohet me rritje të shkallës së punësimit. Shkalla e papunësisë mund të ndikohet edhe nga luhatjet në forcën e punës dhe në popullsinë ekonomikisht jo aktive. Këtu përfshihen edhe të dekurajuarit.

 Sipas Instat, 8.1% e shqiptarëve në moshë pune nuk kërkojnë punë pasi kanë humbur besimin se mund ta gjejnë atë.

Në përgjithësi, Shqipëria vazhdon të ketë një pjesëmarrje të popullsisë në forcën e punës, sidomos mes grave. Vetëm 51.4% e grave mbi moshën 15 vjeç janë të punësuara ose në kërkim të një pune. Nga ana tjetër, gratë kanë edhe shkallën më të ulët të papunësisë, me 11.8%, ndërsa te meshkujt ky tregues është 12.9%. Pjesërisht, kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se pjesëmarrja e grave në tregun e punës është modeste. Një tjetër zhvillim për t’u përmendur në tremujorin II është rënia e mëtejshme e papunësisë mes të rinjve, që ka zbritur në 22.6%, niveli më i ulët historik. Në nivel rajonesh, papunësia më e ulët regjistrohet në Korçë, me 5.1%, ndërsa më e larta në qarkun e Vlorës, me afro 23.5%.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN