MENU
klinika

Roberto Saviano

Bukë dhe libra, vetëm kështu ka kuptim jeta

07.09.2018 - 11:03

Na takon neve t’i përzgjedhim faqet e librit që do lexojmë, jo anasjelltas. Të lexuarit na ndihmon të rritemi si shiu në fusha.

Sapo kishte aguar 19 gushti 1936, kur militantët fashistë morën nga qelia e prefekturës së Granadës Federiko Garsia Lorkën, ku qëndronte i burgosur. Do ta ekzekutonin përgjatë rrugës që shtrihet nga Viznari në Alfacar. Motivi zyrtar: “Socialist, mason, praktikon homoseksualitetin dhe devijime të tjera”. Kur humbas pikat e referimit, edhe unë praktikoj rravgimet e letërsisë. Kur e ndiej të nevojshme të largohem disi për t’u zhytur në të përditshmen me më shumë kthjelltësi, strehën e vetme e gjej tek letërsia. “Devijim” e quajtën fashistët spanjollë, “devijim” po e përkufizoj edhe unë, duke e zhveshur komplet nga domethënia e urryeshme moraliste për t’iu rikthyer etimologjisë latine “ab errare”: t’i largohesh rrugës së duhur.

Rrekem të sjell ndërmend, se kur filloi zgjedhja ime për t’u larguar nga rrugët e zakonshme, si për shembull librat e parë. E pra, nuk ishin librat që zgjodha ata që më kërkuan, reklamuar në një raft, nga pas një vritrine (lexuesit e pandreqëshëm e dinë fare mirë se cilët janë librat që duhen zgjedhur dhe rrallëherë ndodh e kundërta). Po thosha: librat e parë i mora, i trashëgova. Librat e parë që kujtoj nga fëmijëria janë tregime dhe përralla. Koleksionet e Xhani Rodarit janë një minierë e pabesueshme për fëmijët, për nga formati i tyre, i cili shpeshherë është format i përsosur. Vjershat e shkurtra dhe rimat e tyre përmbushin kërkesën e rregullit dhe koherencës, që në fëmijëri shndrrohet thuajse në një epifani. Tregimet e thjeshta, të shkurtra, më mësuan t’i shkoj deri në fund leximit, duke gjetur pikërisht tek ajo shkurtësi stimulin për ta çuar deri në fund angazhimin që kisha marrë. Gjëja e parë që më sillet nga leximi është kënaqësia që ndieja kur përfundoja pjesën, e cila, kur ishte e shkurtër, më shmangte vramendjet dhe dekurajimet.

Për fëmijët, qasja drejt leximit duhet të jetë njëfarë rënieje në dashuri: duhet të bjerë në dashuri me historitë, me personazhet, me shkrimtarët dhe shkrimtaret, por mbi të gjitha duhet të bjerë në dashuri me vetveten; duhet të biesh në dashuri me aftësinë që ke për të çuar deri në fund një sfidë, që fillimisht mund të të duket titanike. Mbaj mend pasionin e madh që kisha për tre vëllime voluminoze me përralla, botuar nga shtëpia botuese “Einaudi”. Përrallat italiane ishin kuruar nga Kalvino, përrallat franceze ishin kuruar nga Pero, kurse përrallat ruse ishin kuruar nga Afanasevi. Përrallat italiane më rrëfenin historinë e vendit tonë, përrallat fraceze kisha përshtypjen sikur i njihja prej kohësh. Mirëpo, përrallat ruse qenë një zbulim i pabesueshëm për fëmijën e dikurshëm, një botë e panjohur që i hapej fuqishëm imagjinatës sime, një botë e përbërë nga peshq të praruar e magjiplotë, gati për të përmbushur çdo dëshirë, të varfrin Ivan (Gjoni ynë), naiviteti i të cilit ishte arma e vetme për t’u përballur me botën e jashtme. Për mua, këto përralla qenë kundërpesha e duhur përballë harmonisë që ofronte Rodari. Shpesh ishin tregime mizore, të cilat flisnin për padrejtësi të tmerrshme dhe dënime të përgjakshme, tregime që më shpalosnin ngjarje të një bote, por edhe marrëdhënie pushteti, që personalisht më dukeshin irreale, porse më pas do zbuloja se si ta pasqyroja besnikërisht botën ku ne jetojmë, një botë që është gjithnjë e më shumë e barabartë me vetveten.

Rruga që më nxiti të isha i varur nga leximi, ashtu si krijesat njerëzore varen nga ajri, uji dhe ushqimi, është e shtruar nga librat që gjeja rastësisht, histori të zhvilluara përgjatë viteve shkollore, nga librat me kopertina jo shumë tërheqëse, botime të konceptuara për lexues të rinj, mbushur me shënime dhe një ndihmë e vyer për interpretimet, elementë që ndonjëherë jetojnë si një abuzim i vogël, por që gjatë viteve shndërrohen në llaçin që cimenton mendimet tona, opinionet tona. Pasioni për leximin nuk është pasion për erudicion: ajo çfarë mund të na japin librat, nuk na e japin për ta vënë mënjanë. Pezullimi, nga rrjedha e jetës së përditshme, shmangia skandaloze nga libri qëndron në aftësinë për t’i shtuar jetë, jetës, këndvështrime të ndryshme, distancë dhe fushëpamje, mundësinë për të kuptuar atë që më parë na kalonte para syve pa e pikasur.

Garcia Lorka, duke inauguruar bibliotekën e vendit të vet – “Fuente Vaqueros” – nxori në pah nevojën e përditshme të librave përtej regjistrimit, punës, rolit, identitetit; domosdoshmërinë e librit për qenien njerëzore në tërësinë e tij. Diçka të tillë ai e shprehte si askush më parë. “Njeriu nuk jeton vetëm me bukë. Unë, po të isha i urtur dhe të gjendesha i pamundur në mes të rrugës, nuk do të kërkoja bukë, por do të kërkoja gjysmë buke dhe një libër. […] Libra, libra! Një fjalë magjike, që është e barasvlershme me fjalën: dashuria, dashuria! Është diçka që njerëzit duhet ta kërkojnë ashtu siç kërkojnë bukën, apo siç luten të bjerë shi për të mbjellat e fushave”.

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!