MENU
klinika

Rozana Belli

Cemal Süreya, erotiku i poezisë turke

13.09.2018 - 20:05

Cemal Süreya, shkrimtar dhe përkthyes turk i lindur në 1931 në Erzincan dhe ndarë nga jeta më 10 Janar 1990 në Stamboll, njihet ndryshe edhe si Cemalettin Süreyya Seber. I diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Ankarasë renditet ndër poetët e parë që kontribuoi në lëvizjen moderne të poezisë turke Ikinci Yeni (Gjenerata e Dytë e Re). Tematikat kryesore në veprën e tij janë; dashuria, femra, vetmia, kritika politike dhe sociale, vdekja, mendimi për zotin, portretet dhe vargu poetik. Ka përkthyer gjithashtu mbi dyzetë libra nga frëngjishtja në gjuhën turke. Ka qenë kryeredaktor në revistën letrare “Papirus”.

Cemal Süreya, lindur në një familje Kurde dhe Alevi, pas Masakrës në Dersim, detyrohet të zhvendoset nga Erzincan në Bilecik, ku do të punojë si punonjës social. Kjo ngjarje do të ketë efekte të rëndësishme në poezinë e tij.

Süreya martohet katër herë dhe përveç marrëdhënies me Tomris Uyar, të cilën e emërton në veprën e tij si “Üvercinka”, do të krijojë lidhje edhe me femra të tjera. Ka përdorur pseudonime të ndryshme përgjatë jetës së tij artistike, por pas humbjes së një basti me mikun e tij, detyrohet të heqë një “y” nga mbiemri “Süreyya” të cilin e mban që nga lindja. Pasi bie në koma nga diabeti, më 9 Janar 1990 ndërron jetë.

FEMRA NË POEZINË E CEMAL SÜREYA

Cemal Süreya njihet si poeti erotik dhe flirtues i poezisë turke. Një nga tematikat kryesore në poezinë e tij është femra. Femra në poezinë e tij nuk paraqitet si plotësuesja e një çasti jetësor por si vetë thelbi i jetës. Adhurimin që ka ndaj femrës, Süreya e paraqet pikërisht kështu në poezinë “Me Dorën e Saj Drejt Rrugës së Qumështit 1994”:

“Jetova zoti im,
Përgjysëm dhe pa kuptim,
Në jetën tjetër,
Nëse ekziston një jetë e tillë,
Nuk e di,
Nëse do të shkruaja poezi.

Por femrat, zoti im,
Aq shumë i desha unë ato,
Sa që herën tjetër,
Nëse vij në botë si femër,
Do të bëhesha biseksual…”

Sipas Cemal Süreya, dashuria ka vlerë kur është e jashtëligjshme dhe në çastin kur një femër posedohet plotësisht, dashuria mbaron: “Dashuri do të thotë ta kërkosh tjetrin me një pasion të fortë, pa hequr dorë. Dashuria është e jashtëligjshme, e fshehtë. Edhe poezia është si dashuria… Poezia legjitime s’ka jetë. S’ka poezi për lumturinë. As lumturia s’ka dashuri. Nëse ka, le t’i vëmë një tjetër emër; le ta quajmë lumturi, le ta quajmë burrë-grua, le ta quajmë miqësi, vetëm dashuri jo. Gjatë martesës, dashuria mbaron patjetër. Sepse dashuria është diçka e gabuar dhe primitive. Është një gjendje lufte. Shikoni përrallat; Thuhet “U martuan dhe hynë në natën e parë të martesës.” Pastaj historia mbaron. Sepse s’mbetet asgjë tjetër për t’u treguar mbi dashurinë. Të paraqitesh para komunitetit me faktin që ne jemi bashkë, qoftë martesë apo bashkëjetesë, pak rendesi ka, dashuria vdes. Për më tepër në dashuri ka konkurencë. Përgjithësisht dashuria lind falë konkurencës. Kur ndjen sikur nga çasti në çast tjetri mund të të humbasë nga duart, pasioni për tjetrin rritet. Nëse ai/ajo të përket vetëm ty, edhe për atë, edhe për ty, veçanërisht tek meshkujt, dashuria bëhet e mërzitshme. Ndërsa martesa është diçka sociale, një institucion i shenjtë. Dhe si në çdo institucion të shenjtë, gënjeshtrat janë me shumicë. Nëse s’ka ekuilibra të tjerë, në momentin që dashuria mbaron, nuk mbetet me as terheqia fizike. Ndonjëherë edhe nëse mbeten pasqyrime të dashurisë, terheqia fizike ka mbaruar. (Süreya, Fjalë Dashurie, Trembja e Pëllumbave 90).

Pra në poezinë e Süreya idealizohet figura femërore. Në poezinë “Üvercinka”, femra paraqitet shtatlartë, me flokë të bukur, me mendime të shndrritshme, e fortë, një grua e guximshme dhe që di të mbështetet bukur mbi shtrat. Duke shkrirë seksin dhe trupin e femrës me karakterin punëtor dhe social të saj, ai përpiqet të rikrijojë modelin e femrës së mrekullueshme. Mënyra se si ai shprehet në një nga vargjet e tij: “Ti ishe dashuria, të njoha nga aroma” (Süreya, Fjalë Dashurie, Ajo që çel në greminë 149), nënkupton se aroma femërore është një element i veçantë. Dhe siç e specifikon edhe Özgür Özmeral; “Pozitiviteti i dashurisë varet nga efekti që ajo lë. Dashuria nuk ndryshon vetëm jetën private mes femrës dhe mashkullit, por edhe ambientin ku ajo hyn. Nëse hyn në një hangar, ajo do të krijojë aty efektin e aromës së trëndafilit.” Pra edhe ajo që kërkon të shprehë Süreya në vargun e tij: “Aromë trëndafili që shpërhapet brenda një hangari” (Süreya, Fjalë Dashurie, Ajo që Çel në Greminë 149) është një dritëz që shpon errësirën, shndërrimi i së keqes në të mirë, i të shëmtuarës në të bukur.

Për të femra nuk është diçka stative por një subjekt i lëvizshëm. Süreya nuk e ruan të fshehtë dashurinë; ai kërkon që atë ta shohë gjithkush. Ashtu siç vihet re edhe në poezinë e tij “Numërim”, e dashura nxirret nëpër kopshte, nëpër rrugë dhe puthet;

“Rrinim ulur nën dritën e hënës
Dorën ta putha.

Pastaj të putha në këmbë
Buzën ta putha.

Të putha në prag të derës
Frymën ta putha.

Në oborr kishte fëmijë
Fëmijën brenda teje putha.

Të futa në shtratin tim
Fundbarkun ta putha.

Në shtëpi të tjera u takuam
Palcën ta putha.

Më në fund të nxorra jashtë
Burimin ta putha.”

Kur Cemal Süreya shkruan poezi me temë dashurinë, mendimet dhe ndjenjat janë në sintezë të plotë me realitetin brenda tij. Një rol tepër të rëndësishëm në poezinë e tij luajnë gjeografia dhe vendndodhja. Një nga faktorët kryesorë për këtë, ështê interrnimi që ka kaluar në fëmijërinë e tij. Një shembull i kësaj pasqyrohet në vargun; “Ti, gruaja në fytyrën e së cilës kam migruar”. Poezitë e tij janë në një gjendje lëvizëse të përhershme, aq sa edhe në ditët e fundit të jetës, ai kërkon të shëtisë; “Shëtitmëni pak, para se të vdes”. Ndërsa në vargun; “Jemi të varfër, duhet të bëjmë dashuri sa më parë”, vihet re që ai ështē në një nxitim të vazhdueshëm dhe kërkon të mos humbasë kohë.

Tematika e femrës në poezinë e Cemal Süreya, shpaloset me përpunimin dhe formëzimin e trupit femëror në poezi. Dashuria paraqitet me të gjitha instrumentet e pashprehura të nënvetëdijes njerëzore, duke e çuar autorin në një erotizëm të ndërthurur me ironi. Erotizmi në poezinë e tij, bëhet identiteti kryesor që i jep zë bashkëzimit femër-mashkull. (Özgür Özmeral)

Ndërsa Enis Batur, do të shprehet kështu në lidhje me erotizmin në poezinë e Cemal Süreya; “Ars Erotica në poezinë e Cemal Süreya, përgjithësisht është një faktor që kuptohet nga gjithkush. Por në ç’mënyrë të të kuptuarit erotik? Sipas meje kjo ndryshon nga libri në libër ashtu siç ndryshon nga mosha në moshë. Erotizmi i Cemal Süreya, ecën krah përkrah me hedonizmin në një ekuilibër të çuditshëm. Ndonjëherë vjen tek ne nëpërmjet dellit të ngrohtë të poezisë, ndonjëherë nëpërmjet nxehtësisë trupore. Sidoqoftë, poezia e Cemal Süreya karakterizohet nga një personalitet ngërthyes edhe në momentin e saj më të lakuriqtë.”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit