MENU
klinika

Nga Visar Zhiti

Ç’i thoshte Dantes kur e përkthente Pashko Gjeçi?

14.09.2018 - 16:52

Teksa ikja, ndieja hidhësirë në buzë, jo prej kafes. A do të dimë të qeshim? Se vetëm njeriu e ka këtë aftësi. Ndryshe… Po si më tha: ai ma mësoi Danten? Jo, jo, ne e mësuam Danten, ia treguam ferrin që do të vinte, paçka se jemi disa shekuj më pas se ai, të prapambetur vazhdimisht, dhe ai, Dantja, nuk guxoi, e rroposi ferrin thellë nën tokë.

Ç’i thoshte Dantes, kur e përkthente Pashko Gjeçi? Se, teksa kërkonte me mend një rimë, polici i burgut i binte me dru ku të mundte, puno, i dënuar, i bërtiste, mos e lësho lopatën nga dora.
E kisha takuar dhe unë Pashko Gjeçin, para apo pas vdekjes? Pas duhet të ketë qenë, se ishte i dobët, pa kujtesë, pa asnjë mëri. Edhe diktatori e kishte thirrur njëherë. Kujtoi se do ta arrestonin prapë dhe veshi dy pallto, dy palë pantallona, siç bëjnë ata që i dinë këto punë, t’i kishte për në birucë. Kur makina me nja dy civilë të rreptë, që heshtnin, ndaloi në Komitetin Qendror. Të kërkon shoku Enver, i thanë. Gati i ra të fikët, ujë dua, tha, dhe një kafe.

– Si jeni, profesor, – e pyeti buzagaz Enveri, ndërsa ulej në kolltukët e tij të rëndë. – Hiqe xhaketën, paskeni dy, po pse?

– I kam, mos me u ftof… – iu mor goja atij.

– Ke përkthyer Danten, më thanë, urime!

– Po e mbaroj, e kisha nisur në burg.

– Po pse ju dënuan? – u shqetësua Enveri i qeshur.

– S’e di.

– Si s’e di, te ne nuk dënohesh kot, profesor.

– Ashtu asht, ashtu, – s’po e merrte veten profesori, – kam marrë pjesë n’nji mbledhje kundër qeverisë.

– Ku?

– S’e di, kurrë s’kam ken atje, as emnin s’ia kisha ndi. – Enveri qeshi prapë. Dukej sikur donte të hetonte se deri ku kishte arritur diktatura e tij, ç’bëhej me intelektualët, sa frikë kishin, sa fajtorë ndiheshin.

– Po ne do ta botojmë Danten tënd, – tha Enveri sikur të ishte meritë e tij përkthimi. – Po ku punon?
– Jam pa punë…

– Si? Ma thirrni ministrin e brendshëm! – urdhëroi Enveri. – Merreni profesorin të jap mësim italishteje te ju.

Nga dërrasa e zezë, kur kthente kokën e shikonte klasën, njihte oficerët që e kishin torturuar. Ju lutem, lutej, m’çoni mësues në ndonji fshat, jo këtu. Po italishtja, si gjuhë kapitaliste, nuk mësohej gjëkundi tjetër.

E kush na e mësoi Danten? Më kapi një si trill dhe u ktheva vrik për te kafeneja ku kisha qenë që t’i thosha kujtdo që do të gjeja atje, se Dantja, – dhe do ta ngrija zërin, – na tregoi një ferr tjetër, atë të Zotit, ku mbyllen njerëz të vdekur, por jo atë të njeriut, që njerëzit mbyllin njerëz të gjallë, madje edhe Zotin vetë. Ky është ferri i jetës, më i tmerrshmi!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit