MENU

Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

04.09.2018 - 09:27

Nga Anila Mullahi/

Agolli e nisi krijimtarinë e tij me vargje dhe shkroi gjatë gjithë jetës së tij poezi, duke mos u ndarë kurrë nga kjo formë letrare. Veprimtaria poetike që e shoqëroi shkrimtarin në situata të ndryshme jetësore reflekton edhe ndryshueshmërinë e saj në topikë. Agolli e filloj krijimtarinë e tij gjatë viteve ’50 dhe e vazhdoi atë deri në çastet e fundit të jetës.

Shkroi letërsi në dy sisteme të ndryshme, e arriti pjekurinë poetike në periudhën e quajtur realizëm socialist, por me krijimtarinë pas ‘90 siguroi vendin si pjesë e rëndësishme e traditës poetike të letërsisë shqipe.

Për poezinë e shkruar në periudhën para ’90, Agolli është konsideruar si poet i konkretësisë; topika e tij përfshin objekte të prekshme: shkroi për tokën, njerëzit, gurët, natyrën, udhën, kafshët etj.

Një nga temat më shumë të gjendura dhe të diskutuara në veprën e Agollit, është ajo e lidhura me tokën me dashurinë për të. Agolli e ka krijuar poezinë e tij nga e sintetizimi i forcës jetësore që vjen nga toka dhe shpërndahet si aromë, si dritë si ngjyrë në natyrë e tek njerëzit. Në këtë grup poezish mund të përfshijmë poemat e mëdha kushtuar vendit të tij, ku ndërton kultin e atdheut, por përfshihen dhe ato në lidhje me vendlindjen.

 

Në poemën “Nënë Shqipëri” ai thur vargje dhe idealizon atdheun, tokën e vendit të tij. E shpirtëzon dhe e shenjtëron tokën e tij e lartëson çdo gjë që është shqiptare, duke futur edhe një patos të fortë ideologjik. Ai do të shkrijë në “Një”, kultin e tokës, atdheut, vendlindjes, gjuhës, të parëve, por dhe bashkëfshatarëve të tij. Kjo shkrirje vërehet edhe në poemën “Devoll, Devoll”. Topika e tokës, atdheut do të vazhdojë të jetë e pranishme në krijimtarinë e Agollit edhe pas viteve ’90.

Ndërsa para ’90 krijimet për atdheun dhe vendlindjen ishin shkrirje e idealizimit dhe angazhimit politik në ato më pas ai i largohet këtyre elementëve. Në vëllimin “Vjen njeriu i çuditshëm” të botuar në ’96, do të gjejmë dy poezi të tij “Atdheu” dhe “Kujtoj atdheun” në të cilat do të flasë për të me thjeshtësinë e asaj që sheh dhe prek Atdhe të ndjej edhe në kokrrën e rërës së detit; në çdo copë qielli që malet mbi kokë e mbajnë; E ndiej në gurët dhe gdhendjet e hershme. Por më shumë në emocionet që përjeton duke qenë pjesë e tij; Atdhe të ndiej, në hatullat e zemrës dhe të shpirtit.

Në këto poezi ndjehet njëkohësisht krenaria dhe dashuria për vendin që i përket, por dhe drama e njeriut që nuk e sheh vendin e tij ashtu si dëshiron. Ai flet me dashuri dhe krenari për vendin e tij edhe para 90 edhe pas 90. “Krenarinë kombëtare nuk e shpikën komunistët dhe as nuk mund ta shpërbëjnë” do të theksonte studiuesi Sh. Sinani për këtë frymë në veprën e Agollit. Një topos i përhershëm në gjithë krijimtarinë e Agollit do të jetë poezitë kushtuar të parëve, paraardhësve, brezave që shkuan, por që lanë gjurmë.

Agollin e kanë emërtuar edhe poet i detajit konkret”, “poet i qartësisë”, sepse poezia e tij e merr shtysën nga subjekte të thjeshta të përditshmërisë së jetës, të nxitura nga përjetimet e vetë poetit.

“Vargu i tij mban aromën e tokës dhe ngjyrat e natyrës së mahnitshme shqiptare”. Ai ka krijuar një numër të madh poezish në lidhje me natyrën, bimësinë, relievin; si poezitë; “Deti”, “Lumi”, “Shkëmbi”, “Lulet”, “Shtigjet”, “Mollët”, “Lisi”, “Vreshtat”, “Pylli i errët”, “Pishat” etj. por dhe për kafshët dhe shpendët si poezitë e titulluara; “Lejleku”, “Kuajt”, “Harabeli”, “Qent”, “Sorkadhja”, “Lopa”, “Patat e egra”, “Pëllumbat”, “Patoku” etj.

Pas ‘90, toka e të parëve, atdheu do të vijë në krijimtarinë e Agolli në një formë të veçantë kushtuar trojeve të copëtuara, dhimbjes së ndarjes. Ai do ti kushtojë një cikël poetik në vëllimin “Vjen njeriu i çuditshëm” 1996, lidhjes së tij me trojet shqiptare të mbetura jashtë kufijve zyrtarë dhe veçanërisht çështjes së Kosovës. Pamundësisë së tij për të bërë diçka dhe të tyre që kishin vetëm fjalë e jo vepra ai do ta sintetizonte në vargun: Ah, të çlirohej vetëm me vjersha Kosova…. Poeti ndjen dhimbje para vendit të copëtuar, që është i rrethuar në kufi nga bashkëkombësit e tij, ndaj shkruan poezinë “O vendi im me çudira”.

dritero agolli

Poeti i thur vargje pasojave të ndarjes, mërgimit, martesave ndërmjet etnive, frikës së humbjes së identitetit etj. Herë-herë poezia kushtuar Kosovës vjen si nxitje nga një motiv i thjeshtë siç ndodh në poezinë “Në kabare, para një vajze” por mund të vijë edhe si betim e nxitje e hapur. Për Kosovën unë e pres dhe kokën/ e bëj gur themeli në shtëpi.
Poezia e Agollit i thur kult vendlindjes, por edhe nënës dhe babait si dhe gruas së tij, në këtë mënyrë universalizon dashurin familjare.

 

Një nga poemat më të njohura të Agollit është “Poemë për babanë dhe për veten” të cilën poeti e ka botuar në disa variante, ndër të cilat i fundit ai i 1997. Në këtë poemë Agolli do të sintetizoj gëzimin dhe dhimbjen, shpresat dhe zhgënjimet. Ai në portretin e babit të tij dallon shenjat e periudhave, kohëve që kanë shkuar dhe gjurmëve që kanë lënë. Ai arrin të krijoj portretin që kapërcen kufijtë e një imazhi thjesht autobiografik. Në figurën e babit ai sintetizon mençurinë dhe fisnikërinë e çdo babai, e brezave të shkuar që vuajtën dhe u përpoqën.

Në këtë mënyrë Agollin, raporti intim e ndihmon të kalojë në përgjithësime filozofike. Babai si figurë nuk mund të ndërtohej veçse e lidhur ngushtë me ambientin e tij tipik, me tokën e tij të cilën e punon, me natyrën që e rrethon atë ku gjen prehje, nga aroma e luleve nga zhurmat monotonë që krijon natyra dhe kafshët.

Ai i ka kushtuar një numër të madh poezish gruas së tij, pjesa më e madhe e tyre të mbledhura në librin “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua” 2017. Agolli në poezitë e para ’90 e përshkruan duke u nisur nga konkretësia dhe nëpërmjet thjeshtësisë së ndjenjës ai kapërcen edhe kufijtë e lejueshëm të asaj kohe. P.sh tek poezia “Gruaja e poetit”, ai shprehet se ndonëse ajo meriton ti bëhet statujë që të paraqesë bukurinë e saj në të vërtetë ajo është ngurtësuar në një statujë nga pritja në radhë. Një perëndeshëz në mermer/Kurse statuja e vërtetë/ Në radhë djathi jep e merr!..

Janë një sërë poezish të cilat ja ka kushtuar gruas së tij vuajtjeve dhe sakrificave të saj. Studiuesi V. Bexheti do ta konsideronte një risi në poezinë shqipe të vënit në qendër të vëmendjes “këtë personazh e jo femrën dashnore”. Agolli e sheh gruan e tij në dritën e përkushtimit të saj, por edhe si një burim energjie dhe nxitje për vargjet e tij. Ai e bën të përjetshme dashurinë për të nëpërmjet vargjeve të cilat kanë aftësinë të përshkojnë kohët.

Në periudhën e dytë të krijimtarisë së tij, atë pas ’90, Agolli e ka zëvendësuar dritën e diellit me natën e errët qe e fut në mendime. Në një kontekst të ri jetësor, receptuesi i poezisë së Agollit ndonëse i njëjtë si ai i para ’90 ka ndryshuar perceptim për botën, për lirinë, për kufijtë e jetës dhe të shprehurit. Përmbledhja “Pelegrin i vonuar”, hapi një kapitull të ri në krijimtarinë e Agollit që reflektohej në topikë, por edhe në formë artistike.

Një pjesë e krijimeve të tij poetike, ato të shkruara pas viteve ’90, sintetizojnë brenda tyre një formë të dukshme zhgënjimi dhe përcjellin një dilemë të madhe për atë që po vjen. Shpesh këto poezi do të paraqesin atmosferën e zymtë për çastin në udhëkryq ku po kalon vendi i tij. Në poezitë e kësaj periudhe temë e shpeshtë do të jenë dhe shqetësimet e thella, por dhe delikate që kanë të bëjnë me probleme ekzistenciale. Janë një serë poezish në të cilat ndjehen ëndërrimet dhe dështimet me të cilat përballet Dritëroi si poet, por dhe si njeri.

Ai kërkon përgjigje që e ka të vështirë t’i gjejë, madje ndonjëherë pyet edhe lexuesin “Tani Ç’të bëj? Më thoni, Ç’duhet?” duke rrëfyer hapur dilemat e tij. “Guva e kokës” së poetit ka mbetur “e zbrazur, e ftohtë, e hiçtë” dhe ai nuk i di përgjigjet e pyetjeve që e rrethojnë ndaj ndonjëherë papritmas poeti ndjen siç thotë vetë “Dëshirë për heshtje”. Por shpejt misioni që i ka vënë vetes e bën të rifilloj të rrëfejë. Në poezinë Poeti plak ai do të shkruajë “Ç’ti bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg ../ Kur të lajthiturir çirren: Mbylle gojën, ti plak”!

Poezia e periudhës së parë ishte me nota të theksuara entuziazmi, ku çdo gjë shihet në një frymë pozitive, adhurimi dhe idealizmi janë këndvështrimi i përhershëm që mbizotëron në botën poetike të tij, ndërsa në poezitë e pas ’90 do të ndryshoj i gjithë këndvështrimi mbi gjërat. Rezultat i pështjellimit politik dhe social, por edhe rezultat i futjes në një fazë të re të jetës së tij, në një moshë ku njeriu në përgjithësi bën analiza dhe sinteza të thella ngjyrat në krijimet e tij ndryshojnë plotësisht.

Grija, e errëta do të bëhen ngjyrat e tij, nata kohë e tij e preferuar për të cilën dhe gjatë së cilës shkruan. Janë një sërë poezish të cilat e kanë natën të shenjur që në titull, veçanërisht në përmbledhjen “Vjen njeriu i çuditshëm” si dhe “Prit dhe pak” p.sh. “Vargje të mesnatës”, “Flutura e natës”, “Kapoti i natës”, “Një zë nate”, “Nëse netët janë të gjata”, “Ecën ditët e netët”, “Sekretet e natës”, “Netët larg teje” etj. Në këtë periudhë poeti do ti këndoj viteve të rinisë që iku, të zhgënjimeve që i ofroi jeta, madje edhe vdekjes që e ndjente se po i ofrohet. Në poezinë “E shoh se po plakem” përshkruhen qartë vuajtja që i shkakton poetit ikja e viteve, dobësimi fizik por dhe ai shpirtëror të cilën e ndjen në mëdyshjet dhe zhgënjimet e tij.

Shpesh poezia e Agollit është vendi ku ai hedh hidhërimin e moskuptimin ose më saktë keqkuptimin e tij. Në poezinë “Shiu i marrë” poeti ndjehet i tronditur nga të identifikuarit dhe të treguarit me gisht nga të tjerët, nga ata “poetët e lajthitur në qytet, që “e qeshin dhe i thonë: Je i çmendur”. Ai vendos të mbyllet në vuajtjen e tij të thellë, në botën e poezisë së tij, dhe tu përgjigjet të tjerëve nëpërmjet vargjeve. Më bini ju lutem , përherë e ngaherë/ në doni prej meje gjëmim e potere. Shpesh duket se Agolli në poezinë e tij shkruan për vetveten, për dhe rreth vetvetes. Uni lirik i poetit zbulon ndjeshmërinë dhe këndvështrime subjektive dhe kjo vërehet edhe në formën gjuhësore, në formën e vetrrëfimit. Shtysat për këto poezi vijnë nga ndjeshmëria personale, por tek Agolli shndërrohen në universale.

Në vëllimin “Pelegrin i vonuar” poeti është në pozitat e një idealisti të zhgënjyer që shpresat dhe besimi dhe ëndrrat që kishin për atdheun e tij ju kthyen në gënjeshtra dhe mashtrime. Vetmia e tij është e artikuluar Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat….më duhet të arrij karvanin e tretur që kur/ Capitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit.

Nga një analizë e thjeshtë Agolli është një ndër poetët tanë që më së shumti i ka kënduar vdekjes. Veçanërisht në vëllimet e botuara pas ’90 janë një sërë poezish lirike në të cilat poeti përshkruan ndjesitë kur përballet me vdekjen e pashmangshme. “Shumë shok e miq të dikurshëm krah meje nuk janë” rënkon poeti dhe e ndjen vdekjen pranë. Ka filluar të mendoj për të i thur vargje edhe arkivolit në poezinë me të njëjtën titull.

Edhe para ’90 ka shkruar për vdekjen, poezitë “Vdekja e fshatarit”, “Vdekja e druvarit”, por ajo është dhënë si një ndjenjë larg tij. Veçanërisht e dukshme në përmbledhjen e fundit të tij, vdekja ka filluar ti duket e afërt ndaj dhe shqetësohet jo për fundin e jetës, por për “shkallët e ngushta të pallatit që nuk do ta nxënë arkivolin e tij”. Edhe atë, vdekjen e merr me një humor të lehtë.

Poeti madje shkruan dhe epitafin e tij imagjinar, të cilin e boton në disa variante si tregues i meditimit të tij të thellë për vdekjen “po prehet Dritëroi këtu në tokë; I donte arat, miqtë e poezinë.

Madje dhe qentë e kuajt i kish shokë, Po mbi të gjitha verën dhe rakinë.

Agolli sikur ka brenda vetes devizën: të vazhdosh të krijosh do të thotë të vazhdosh të jetosh, ndaj poeti vazhdon të shkruajë. Poeti e di se koha po i vjen të shkojë, por ai akoma s’është gati dhe këtij momenti i thur vargje në poezinë “Dëshira për tu vonuar” të botuar në “Fletorka e mesnatës” madje edhe librin e fundit të botuar prej tij e titullon “ Më prit” ndoshta si shprehje e dëshirës për të vazhduar të jetojë.

Vetë Agolli në parathënie shkruan: “prit dhe pak që do të thotë se ende nuk e kam kullotur livadhin”. Dashuria e poetit për jetën është e madhe Ku mbeti kënga e djeshme e një zogu? Ah, sikur të kthehej fushave prapë!…

Poezia e Agollit, edhe kur flet për vdekjen, shfaq dashurinë e madhe për jetën. Krijimi e bën të pavdekshëm shpirtin njerëzor dhe poezia të pavdekshëm poetin.