MENU
klinika

Kontrolli teknik i mjeteve

Deklarata e detyrueshme, abuzimi i radhës nga SGS

26.09.2018 - 15:04

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e hetimit të thelluar në tregun e shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore ndaj ndërmarrjes SGS Automotive Albania. Autoriteti akuzon SGS se detyrimi i klientëve për të nënshkruar deklaratën-tip përpara kryerjes së kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve që përjashton nga përgjegjësia ndërmarrjen SGS për çdo dëmtim që mund ti shkaktohet mjetit gjatë kontrollit teknik, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese.

Klientët, pa nënshkrimin e kësaj deklarate-tip të përpiluar nga ndërmarrja SGS, nuk mund të kryejnë kontrollin teknik të detyrueshëm të mjetit të tyre. Në rast të moskryerjes së kontrollit teknik të mjetit, klienti nuk mund të përdorë mjetin e tij për qarkullim dhe për këtë arsye detyrohet ta nënshkruajë këtë deklaratë-tip, sipas përmbajtjes së miratuar nga ndërmarrja me pozitë dominuese SGS. Gjithashtu, nga inspektimi i Autoritetit të Konkurrencës rezulton se rekomandimet e dhëna për hapjen e pikave të tjera të shërbimit, nuk janë zbatuar nga koncensionari SGS edhe pse të ardhurat e realizuara nga koncesionari në vite e mundësojnë një investim të tillë.

Që nga viti 2009, shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve ofrohet nga kompania koncesionare SGS Albania, në bazë të marëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare. Në bazë të asaj marrëveshjeje, ky treg ka ngelur monopol, megjithë pakënaqësitë e drejtuesve të mjeteve për mospërmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe në veçanti të kohës së gjatë të pritjes. Në vitin 2014, pas një kërkese nga Komisioni Kuvendor i Ekonomisë, Autoriteti i konkurrencës nxorri disa rekomandime për tregun në fjalë. Në atë vendim, rekomandohej që kompania koncesionare të krijonte më shumë se një mundësi zgjedhjeje për kryerjen e kontrollit teknik. Në një afat më të gjatë, i rekomandohej qeverisë shqiptare të hiqte monopolin e SGS dhe të mundësonte ofrimin e këtij shërbimi nga disa operatorë. Megjithatë, kjo nuk është bërë dhe, me sa duket, nuk ka gjasa të bëhet para vitit 2019, kur përfundon edhe kontrata me SGS Albania.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Në skenë Klodian Allajbeu

Konkurrenca ‘nxin’ tregun ushqimor