MENU
klinika

ALION ÇAÇI

Dekoderi i ushtrisë së vdekur

16.09.2018 - 09:16

Në dimrin e vitit 2016, lëviza në një apartament të ri në periferi të qytetit. Kisha pak kohë që jetoja në Shtetet e Bashkuara dhe nuk kisha grumbulluar
para mjaftueshëm që të mund të mobiloja njëherazi shtëpinë e re.

Bleva thika, pirunj, tenxhere, tigan, një dyshek të cilin e vura përdhè, një divan dhe një gramafon të lirë. Shtëpia ngjante më shumë me një magazinë. Ishte e ngrohtë si temperaturë, por e ftohtë në pamje të parë. Një miku im më dhuroi një tavolinë të vogël mesi, ndërsa im kushëri më dhuroi një televizor modest. Kur je emigrant dhe student, pranon çdo gjë që të dhurojnë. Njësoj si mbretërit.

Rrallëherë e ndizja televizorin dhe rrallëherë rrija në divan. Më shumë flija dhe haja në atë shtëpi. Në ditën e parë që pata pushim, për të vrarë kohën e shtëpiakut të dëshpëruar, vendosa të aktivizoj për herë të parë televizorin. Sigurisht, si i ardhur nga Shqipëria, do përdorja mënyrën pa pagesë. Zbrita në depon e pallatit ku jetoja dhe i kërkova administratorit një copë kabëll antene.

“Përse të duhet?” më pyeti.

“Eksperiment social.” Iu përgjigja, i buzëqesha, e falenderova dhe ngjita shkallët.

U ktheva në shtëpi. E lidha kabllin me një pirun (ndër katër që kisha) dhe pirunin e ngulita nga pas televizorit, te vendi i antenës. Bëra një kërkim automatik kanalesh dhe, ndërkohë që prisja, po shihja nga dritarja. Për herë të parë, vura re mungesën e antenave në çatitë amerikane. Dy gjëra mungojnë në pamjen e jashtme të shtëpive amerikane: antenat dhe rrobat e nderura.

Ndërkohë që po mendoja sesi çdo shtëpi, krahas lavatriçes, kishte edhe tharëse rrobash, dëgjova një folëse lajmesh duke dhënë një lajm të hidhur gjithë çiltërsi. Tipike amerikane. Pra, kërkimi automatik kish përfunduar dhe u ula në divan me telekomandën në dorë, duke lëvizur kanalet. Kishte kapur rreth 12 kanale kryesorë të vendit. Ç’i doja më shumë? Kapte kanalet informatike, komike, dhe disa të përgjithshëm.

Ditët kaluan dhe televizorin e ndizja herë pas here në darkë kur kthehesha nga puna. Sa për zhurmë, siç i thoni ju me shkollë. Një mbrëmje po shfaqej një lajm i fundit mbi një zjarr që kishte rënë në një banesë fare pranë punës time. Padyshim, ky do ishte diskutimi i ditës së nesërme në punë.

“Unë e njihja atë zotërinë e moshuar që jetonte atje,” nisi të thoshte të nesërmen në mengjes Luisi, kolegu im meksikano-amerikan. “Ka 10 vjet që i ka vdekur gruaja dhe jeton me macet. Tani iu dogj edhe shtëpia. I shkreti!”

“Ata thanë që do ia mbulojë siguracioni” i thashë unë Luisit.

“Ku e pe? Unë e dëgjova që s’kishte siguracion.”

“E pashë te ABC7” i them.

“Ndoshta” tha Luisi. Ndenji pak në heshtje, pastaj më pyeti me qetësi: “Ç’paketë dixhitale ke në shtëpi?”

“Kam paketë dixhitale made in Albania” i thashë dhe qesha. Por ai sigurisht që nuk qeshi sepse nuk e kuptoi. Ia shpjegova mënyrën që kisha përdorur dhe u habit shumë që, për pak më shumë kanale se të mitë, ai paguante 60 dollarë në muaj.

“Nuk do ta paguaj më!” tha Luisi. Unë qesha me krenari sikur të kisha bërë shpikjen e shekullit. Ata nuk e dinin që ekzistonte një mënyrë për të parë televizor pa paguar. Nuk e dinin të drejtën e tyre për t’u informuar falas. Kishte shumë, shumë kohë që paguanin atë që u takonte me të drejtë. Askush nuk kishte menduar asnjëherë sesi mund të përfitohej informacioni në televizor pa pagesë.

Kishte dekada të tëra që, qysh prej lindjes e deri në vdekje, jetonin me dijen se nuk ka kanale televizive pa dekoder, pra, pa pagesë. Unë i thashë se, për ne në Shqipëri, është krejt e kundërta: lindim dhe vdesim me idenë që, të paktën televizori, është falas.

Kanë kaluar dy vjet nga kjo histori dhe unë që tani kam dalë gënjeshtar ndaj shokut tim, Luisit. Absurdi është që, në Amerikë, ekziston mundësia e kanaleve falas por askush nuk e di. Ndërsa, në Shqipëri, të gjithë e dinë mundësinë e kanaleve falas, por kjo mundësi nuk do të ekzistojë më.

Do të ishte kollaj të thosha që jemi bërë si Amerikë ku çdo gjë paguhet, por do më quajnë të paudhë e pengues të zhvillimit. Do doja të thoshja që njeriu ka lindur me disa të drejta bazë, por nuk ka lindur me idenë e parave.

Pra, njeriu duhet të edukohet, informohet dhe mjekohet që në lindje e deri në vdekje. Nevoja për informim vjen prej kureshtjes që kemi si qenie njerëzore. Nevoja për mjekim vjen për të mbijetuar. Nevoja për edukim vjen prej domosdoshmërisë për t’u përshtatur apo epërsuar në tribunë ku lindim. Pra, këto janë të drejtat tona. Nuk kemi pse t’i paguajmë. Kushdo që na mban larg këtyre, dihet se është në rrugën e një marrëveshjeje tregtare shumë të volitshme për të dhe shumë të dëmshme për ne.

Ajo që më bën më shumë përshtypje, është forma e rebelimit që ne si popull, kemi kur na shkelen të drejtat. Kur na hoqën analizat falas në spitalin publik, nuk e kundërshtuam. Ulëm kokën, punuam, mblodhëm lekët dhe shkuam i bëmë analizat te privati.

Kur na shtrenjtuan arsimin dhe librat, nuk e kundërshtuam. Ulëm kokën, punuam dhe, nëse i bëmë lekët, i blemë librat dhe paguam shkollën. Nëse jo, filluam punë të dytë ose zgjatëm oraret e të parës, të zhgënjyer nga shkolla, duke rritur numrin e të paarsimuarve dhe duke iu afruar më shumë përmbushjes së planit të atyre që na duan injorantë.
Kur na hoqën kanalet televizive pa pagesë, nuk kundërshtuam, por zaptuam radhët nëpër dyqane paketash dixhitale. Ç”na thonë, ne e bëjmë. Nuk e kemi vrarë kurrë mendjen, njësoj si Luisi.

Se çfarë qeverish fashisto-naziste na kanë sunduar vitet e fundit, nuk ka vend për diskutim. Që çdo gjë ndodh për interesat e tyre personale, është bërë demode ta thuash sepse atë frazë e dinë të gjithë ta përsërisin.

Nuk desha ta bëja edhe këtë shkrim të mërzitshëm, të zymtë, të trishtë. Por teknikat efikase të qeverisë për ta mposhtur të drejtën njerëzore në këtë vend, vetëm sa sofistikohen. Ngushtimi i lakut në fyt që po na bëhet, ngjason me atë të fund-shekullit të kaluar kur, në kulmin e pamundësive, populli nuk pati më se ç’të humbiste dhe rrëzoi një bust.

Në këtë rast, do ta mbyll me një frazë shumë të dashur për mua nga Hemingway “Në dobësi, njeriu mund të bëhet shumë i rrezikshëm!”

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!