MENU
klinika

Historia

Doktor Dragusha, “heroi” që e duan shkodranët

24.09.2018 - 15:10

Kjo e hënë, ka rikthyer në punë mjekët e spitalit rajonal të Shkodrës, të cilët disa ditë me parë u arrestuan nën akuzën për shpërdorim detyre në tenderat për blerje të ilaçeve.

Në repartin e Kardiologjisë, sot, ka shërbyer mjeku specialist Luan Dragusha, i cili u la i lirë nga gjykata e Shkodrës pa kushte. Dhjetra pacient, ishin në pritje prej disa ditësh, pa llogaritur këtu edhe disa operacione që ishin të planifikuara.

I specializuar në Amerikë për shume vite me radhë, për Dragushën u mendua se pas këtyre akuzave, ai do të largohet drejt SHBA-së duke lënë një boshllëk të madh në spitalin e Shkodrës, por nuk do të ndodhë kështu.

Me pak fjalë dhe ai garantoi, se nuk do të largohet nga Shqipëria.“Do të qëndroj në Shkodër, është qyteti im dhe vendi im. Do të jem serish në punë”.

Ndërkohë askush nga drejtuesit e spitalit të Shkodrës nuk jep informacion nëse gjatë këtyre ditëve, që mjeket ishin në paraburgim, ka patur operacione në repartin e kardiologjisë që janë shtyrë apo ndonjë rast me komplikacione shëndetësore.

Gjatë këtyre diteve, drejtoresha e komanduar Teuta Rrjolli ka dhënë urdhër të prerë të gjithë punonjësve të spitalit që të mos bëjnë asnjë komunikim me mediat, madje duke shkelur edhe ligjin e së drejtes për informim.

Ndërkohë janë pacientet shkodranë që japin vlerësimin e tyre për punën që po bëhët në spital, por edhe për repartin e kardiologjisë ku punonte Luan Dragusha. Agimi është një pacient i vjetër i doktorit, i cili ka 2 vite që kurohet nga ai. “Për mua është një njeri fantastik. Them me plot gojë që më ka shpëtuar jetën pasi sot ndjehem më mirë. Vjet, unë u operova falas në spital nga doktori ndërsa në Tiranë më kërkuan 1 mijë euro”

Ndërsa Blerti, tregon se si doktor Luani i shpëtoi jetën e babait të tij. “Babain e dërgova me urgjencë në spitalin e Shkodrës. Shokët më thanë se për problemet me zemrën duhet që mënjëherë ta çojmë në një spital privat në Tiranë ku janë specialist për këto ndërhyrje. Ne nuk kemi as ekonomi të mirë prandaj mora para borxh. Kur doktori erdhi, me vizitoi babain dhe e mori ai përsipër që të operonte.

Më dha fjalën e burrit dhe më dha forcë mua dhe familjes. Ndërhyrja ishte fantastike dhe babai sot është shumë mirë. Luanin duan ta largojnë nga Shqipëria për shkak se po dëmton spitalet private sepse ai bën ndërhyrjet falas në spitalin publik”.

2 vite më parë, rikthimi i doktor Dragushës në spitalin rajonal të Shkodrës u konsiderua si histori suksesi për shëndetësine shqiptare edhe nga vete kryeministri Rama i cili e përgezoi atë përsonalisht gjatë një vizite në këtë institucion.

Gjatë kësaj periudhe, doktori ka kryer 519 ndërhyrje për vendosjen e stendave në zemër për të gjithë pacientët me probleme në veri të Shqiperisë. Të gjitha këto janë bërë falas ! Arrestimi i Dragushës, ishte i vetmi rast që solli një reagim pozitiv të qytetarëve shkodranë, të cilët kërkuan lirimin e tij.