Nëpër male e nëpër fusha
Pa pushue, pa xanun vend,
Përpin rrugën si harusha
Nji shtegtar me gjith’ gazmend.
I lindur në Shkodrën e vitit 1886, Ndre Mjeda mbetet një ndër poetët më të fortë të lirikës shqipe kushtuar atdheut. Poeti dhe poezia bëhen një e kështu poeti mban mbi trupin e vet fatet e poezisë. Nëse subjekti i poezisë vuan, vuan edhe poeti. Nëse ai gëzohet, gëzohet edhe poeti. Të dy bashkë shtrihen në faqet e “Juvenilia”, kryeveprës së Mjedës.
Mjeda futet thellë në jetën e katundeve ku shërbeu gjatë jetës së tij. “Andrra e Jetës” nuk shkruhet e frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, por ngjarja e vërtetë kalohet me nota lirike nga të shkruarit e kësaj poezie. Tringa, vajza e Lokes dhe motra e Zogës nuk vdes. Ajo “po shkon me bujt te Zoja”. As Zoga nuk martohet në atë mënyrë që e lë të ëmën vetëm.Vetë e ëma i thotë “Del, o bij’ prej shpijes s’ate/ Del prej t’vorfnit katund;/ Njajo flakë qi n’zemër pate/ Do t’përcjellin tjetër kund.” Ndërsa Lokja e vuan vetminë, por bashkë me të vuan e gjithë natyra. “Bite bor’ e fryte veri/ Tue çue akull për gjith vis;/ Nalt orteku ushton për mneri/ Tue fundue çetin’ e lis.”
Për Mjedën, kombi është një bylbyl për të cilin thotë “Vet bukurija, o i shkreti’ Kenka për ju nji kob.” Edhe pse “Po shkrihet bora/ Dimni po shkon” bylbyli i vorfën nuk është i lumtur. Ai vazhdon e gjimon. Nuk ka asgjë që mund t’i japë lirinë këtij bylbyli, pasi “Ty n’kafaz t’shtrënguem/ T’paska ndrye mizori”. “Por ça ka toka, bylbyl ndrron moti;/ Ankimi e vaji nuk asht i zoti/ Per gjithmonë zemren me n’a coptue/ Fillo me gëzue.” – fillon ta ngushëllojë poeti bylbylin dhe mbaron duke i thënë “Kur t’shkojsh ndër fusha, kur t’shkojsh ndër male/ Afër shpisë s’eme hovin t’and ndale;’/ Mahnit’ at zanin t’and tue pigrue/ Kam për t’u gëzue.”
Tavani i Kishës ku shërbeu Mjeda
Në të shumtën e jetës së tij, veprimtarinë baritore e kreu në fshatin Kukël të Shkodrës, një vend i prapambetur i cili, falë Mjedës, u rilind. Atje ai ishte prifti, poeti, mësuesi, arkitekti, bujku, blegtori, mbrojtësi e çdo gjë tjetër për fshatin.
Shtëpinë ku jetoi dhe Kishën ku shërbeu i punoi vetë. Por komunizmi i shpërfytyroi jo plotësisht, duke ruajtur dhomën e tij të punës brenda së cilës ishte tavolina ku shkroi disa prej poezive që shërbejnë si lajtmotiv i atdhedashurisë.
Pas viteve ’90, në Kukël u emërua famullitar Dom Nikë Ukgjini i cili punoi me shtëpinë e Mjedës duke e kthyer në një qendër muzeale, e hapur për vizitorët e shumtë nga brenda dhe jashtë vendit. Aty, gjithashtu, organizohen sa e sa aktivitete në kujtim të Mjedës, ku më i rëndësishmi ndër to është “Ditët e Mjedës”.
Organ i kësaj qendre është edhe revista “Mjedologji” në të cilën trajtohen probleme letrare dhe historike të poetit të madh.
Sikur të tillë fat të kishin edhe shtëpitë e figurave të tjera të shquara si ajo e Atë Fishtës, Kolë Idromenos apo Abat Doçit, Shkodra dhe Shqipëria nuk do të prekeshin nga epidemia e “harresës kolektive”.
/Andreas Dushi