MENU
klinika

Sa fitojmë nga pagesat elektronike?

Dossier/ “Beteja” me paranë cash

12.09.2018 - 10:07

Shqipëria vlerësohet të ketë nivelet më të larta në Europë, për sa i takon përdorimit të parasë cash në ekonomi. Sipas përllogaritjeve të Bankës së Shqipërisë, paraja në qarkullim në ekonominë tonë përbën 16.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është afro dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.

Një qasje alternative e përdorur nga studiuesit për të matur përdorimin e cash në ekonomi është niveli i parasë në qarkullim kundrejt agregatit monetar M1, që përfshin paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare me likuiditet të lartë (llogari korrente dhe depozita pa afat). Për Shqipërinë, ky raport është në nivelin 75.1%, katër herë e gjysmë më i lartë krahasuar me BE dhe rreth dy herë më i lartë krahasuar me vendet e Rajonit. Këto shifra tregon se ekonomia shqiptare ka një përdorim të lartë të parasë cash si instrument pagesash, ndërsa zhvillimi i pagesave automatike dhe elektronike është më pak i zhvilluar krahasuar me ekonomitë e Bashkimit Europian dhe Rajonit. Në fakt, statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në vitet e fundit ka një rritje të volumit të pagesave jo cash. Për shembull, pagesat përmes pikave elektronike të shitjeve në vitin 2015 arritën në 18.3 miliardë lekë, katër herë më shumë krahasuar me vitin 2008. Rritja, megjithatë, vjen nga një bazë mjaft e ulët dhe Shqipëria është ende shumë larg ekonomive më të zhvilluara, për sa i takon përdorimit të pagesave elektronike. Por, të gjithë jemi dëshmitarë se shumica e shqiptarëve ende e përdorin kartën bankare kryesisht për të tërhequr para nga bankomati. Një studim i “Visa” vlerëson se, Shqipëria ka raportin më të ulët të përdorimit të pikave elektronike të shitjes në të gjithë Europën Juglindore. Çdo 100 dollarë veprime me kartat, vetëm 7-8 dollarë kryhen nëpërmjet pikave elektronike të shitjes, ndërsa diferenca janë kryesisht tërheqje e parave cash nga bankomatet

BSH: Ja pse shqiptarët përdorin cash

Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, rezulton se te shqiptarët përdorimi i cash-it në njësitë e blerjes është mbizotërues. Përqindja e të anketuarve që kryejnë zakonisht pagesa cash fillon nga 70%, për sa i takon pagesave në hotele dhe agjenci udhëtimi, deri në mbi 90% në dyqanet e mallrave të konsumit. Arsyeja kryesore, sipas anketës, është se shqiptarët e konsiderojnë pagesën cash më të shpejtë dhe më praktike.

Argument për mospërdorimin e  instrumenteve të tjera të pagesave është fakti se shumë konsumatorë e lidhin përdorimin e tyre me kosto shtesë. Ky tregues sugjeron se, në një farë mënyre, për konsumatorët shqiptarë, instrumentet e pagesave jo cash perceptohen si më të kushtueshme se pagesat me cash. Megjithatë, studimi evidenton se me rritjen e nivelit arsimor ka edhe një rritje të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Kjo gjetje duket se e adreson mundësinë e rritjes së pagesave jo cash te rritja e nivelit arsimor dhe, specifikisht, te rritja e edukimit financiar. Gjithashtu, faktorë të tjerë me ndikim janë edhe niveli i të ardhurave apo statusi i punësimit. Një nga avantazhet që publiku shqiptar percepton te pagesat elektronike, sipas anketës, është siguria më e lartë krahasuar me transaksionet cash. Ndaj studiuesit e Bankës Qendrore sugjerojnë që ky perceptim mund të përdoret si një argument me peshë në fushatën e uljes së përdorimit të cash-it, dhe promovimit të instrumenteve të tjera të pagesave. Praktika ndërkombëtare ka treguar se ndryshimet rrënjësore në sjelljen ndaj shërbimit të pagesave kanë nevojë për 5 deri në 10 vjet që të pranohen gjerësisht.

Pagesat elektronike, ndikim deri në 1.6% të PBB-së

Sipas studimeve të kryera nga shoqata më e rëndësishme globale e pagesave, “Visa”, kalimi nga pagesat cash në ato elektronike mund të sjellë një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi nga 0.6% në 1.6%.

Nga pikëpamja makroekonomike, pagesat elektronike janë shumë të rëndësishme, sepse mund të kontribuojnë në rritjen e prodhimit, por edhe në një këndvështrim mikro, çdo individ mund të ketë një cilësi më të mirë jetese, duke përdorur produkte që ju mundësojnë akses në kanale të ndryshme blerjesh. Rritja e përdorimit të kartave për blerje direkte kërkon përmirësim të kulturës financiare, por edhe reforma të mëtejshme për të ulur informalitetin. Shumë biznese ende nuk preferojnë të instalojnë pika elektronike të shitjes për të pranuar pagesa me kartë, sepse kjo do të rriste vlerën e pagesave që kalojnë në kanale formale dhe që janë më të vështira për t’u fshehur nga organet tatimore. Në këtë mënyrë, rritja e përdorimit të pagesave me karta do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në luftën kundër evazionit fiskal.

Ulja e përdorimit të cash është në interes të gjithë ekonomisë, të konsumatorëve, por, në mënyrë më direkte të sistemit bankar. Kjo lidhet si me kostot e përdorimit të cash, ashtu edhe me sigurinë. Në vitet e fundit, po regjistrohet një frekuencë në rritje e grabitjeve, madje edhe në forma të reja, më shqetësuese. Nëse grabitjet historikisht kanë ndodhur në degë apo filiale të bankave, në dy vitet e fundit ato kanë ndodhur edhe gjatë transportit të parave, madje, në rastin më flagrant, brenda Aeroportit të Tiranës. Këto ngjarje e bëjnë më të prekshme se kurrë nevojën për të ulur shkallën e përdorimit të parasë cash dhe për të përdorur më shumë instrumentet elektronike të pagesave.

Pagesat, biznesi për bankat dhe përtej bankave

Në dekadën e fundit, bankat e kanë zgjeruar gamën e shërbimeve, duke ofruar për klientët të gjitha instrumentet bashkëkohore të pagesave, që nga kartat e debitit dhe kreditit e deri tek bankingu në distancë, përmes internetit apo telefonit. Nga 16 banka tregtare, 14 prej tyre ofrojnë karta debiti ose krediti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti, numri total i kartave të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar arriti në 1 milionë e 69 mijë. Numri i kartave bankare pothuajse është dyfishuar që nga viti 2008. Në veçanti, kartat e kreditit janë rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit dhe kanë arritur në afro 101 mijë, afro shtatë herë më shumë krahasuar me vitin 2008.

Rritja e përdorimit të kartave të kreditit është domethënëse, jo vetëm për faktin se ato janë një mjet më i avancuar pagese se karta e debitit, por, sidomos sepse janë një instrument i ndërtuar në funksion të pagesave elektronike dhe jo të tërheqjes së parasë cash. Numri i pikave elektronike të shitjes (POS) në të gjithë Shqipërinë vlerësohet në rreth 8,200, rreth dy herë e gjysmë më shumë krahasuar me vitin 2008.

Kartat dhe pagesat përmes tyre mund të jenë një instrument relativisht i ri për Shqipërinë, por sigurisht që nuk përbëjnë një risi në nivel botëror. Tashmë, shërbimet bankare më bashkëkohore janë ato që mbështeten te përdorimi i internetit. Bankat në Shqipëri janë përshtatur shpejt me këtë tendencë botërore dhe shumica prej tyre ofrojnë tashmë shërbime të bankingut nëpërmjet internetit.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, numri i llogarive bankare të aksesueshme nga interneti në fund të vitit 2017 ishte 322 mijë ose rreth 10.2% e numrit total të llogarive bankare.

Megjithëse numri i tyre është rritur me ritme të shpejta (afro 30 herë që nga viti 2008), sërish Shqipëria ngelet shumë mbrapa, qoftë edhe në krahasim me vendet e rajonit. Mbështetur në numrin e llogarive bankare të lidhura me internetin, vlerësohet se në Shqipëri se këtë shërbim e përdorin vetëm 11% e popullsisë. Me diferencë të konsiderueshme në krye është Maqedonia, ku bankingu përmes internetit përdoret nga afro 23% e popullsisë.

Megjithatë, duhet thënë se tashmë pagesat elektronike nuk janë më facilitete ekskluzive të sistemit bankar. Ashtu si të gjithë botën, ky është një biznes që po përfshin gjithnjë e më shumë kompani të specializuara në këto shërbime. Deri tani, Banka e Shqipërisë ka licencuar katër institucione financiare që kanë si objekt të aktivitetit të tyre, veç të tjerash, edhe ofrimin e pagesave në distancë. Këto kompani për momentin janë të fokusuara te ofrimi i pagesave për shërbime utilitare, si energjia, uji apo komunikimi. Biznesi i pagesave tashmë ka përfshirë edhe gjigandët botërorë të teknologjisë, si “Apple” apo “Google”. Sepse, në një botë që rrotullohet gjithnjë e më shumë rreth internetit, pagesat nuk mund të bëjnë përjashtim.