MENU
klinika

Forcimi i kapitalit vendas

Dossier/ Si po shqiptarizohet tregu

16.09.2018 - 13:09

Në muajin gusht, grupi Balfin bëri të ditur arritjen e marrëveshjes për blerjen e Tirana Bank nga grupi Bankar i Pireut. Kjo blerje shënoi një hyrje të re të kapitalit vendas në një nga tregjet më të rëndësishme, atë bankar. Vitet e fundit, në fakt po theksojnë një influencë në rritje të sipërmarrësve shqiptarë në vend. Kjo tendencë, përveçse në tregun financiar, po theksohet edhe në tregje të tjera, si hoteleria apo në projektet madhore të partneritetit publik-privat. Ndonëse Shqipëria e vuajti krizën pa pasoja dramatike në ekonominë dhe në sistemin e saj financiare, sërish ajo la dhe po lë gjurmë në zhvillimin e vendeve dhe strukturën e tregjeve. Krizat, me efektet negative për disa, sjellin oportunitete për të tjerë. Në mënyrë të paevitueshme, kriza solli ulje të interesit të kapitalit perëndimor për Shqipërinë. Megjithëse investime te huaja direkte janë rritur në shifra rekord, kjo rritje ka ardhur nga pak projekte të mëdha. Në shumë sektorë strategjikë, projektet kryesore tashmë po zbatohen nga sipërmarrësit vendas.

Bankat, kapitali vendas me pjesën më të lartë në 15 vjet

Grupi Bankar i Pireut njoftoi zyrtarisht në fillim të muajit gusht arritjen e marrëveshjes për shitjen e Tirana Bank te grupi Balfin dhe banka maqedonase Komercijalna Banka. Sipas njoftimit zyrtar të grupit bankar grek, për 98.83% të aksioneve blerësit do të paguajnë 57.3 milionë euro. Arritja e marrëveshjes u njoftua paralelisht edhe nga grupi Balfin dhe nga Komercijalna Banka. Mes të tjerash, banka maqedonase ka bërë të ditur se aksioneri kontrollues do të jetë grupi Balfin, por pa detajuar se cila është pjesa e aksioneve që do të mbajë secila palë. Nga kjo mund të kuptohet se prania e bankës maqedonase mund të jetë diktuar nga nevoja që së paku njëri nga blerësit të ishte investitor strategjik. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar me këmbëngulje moslejimin e hyrjes së investitorëve pa përvojë në tregun bankar. Edhe për shkak të kësaj influence, mund të hipotizohet se Banka e Shqipërisë e ka kushtëzuar dhënien e miratimit për blerjen me gjetjen e një investitori institucional si aksioner. Balfin e ka gjetur këtë partner te banka më e madhe maqedonase, me të cilën grupi ka pasur marrëdhënie financimi për projektet që ka zbatuar në shtetin fqinj. Transaksioni do të finalizohet pasi të ketë marrë miratimet nga auroritetet rregullatore përkatëse në Greqi dhe Shqipëri. Oferta për blerjen e Tirana Bank kishin bërë edhe ABI Bank, Union Bank dhe banka libaneze Libank. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në mesin e këtij viti Tirana Bank ishte banka e shtatë më e madhe në Shqipëri, me 5.3% të aktiveve të sistemit bankar. Dikur banka e katërt më e madhe në Shqipëri, Tirana Bank vuajti pasojat e krizës në dekadën e fundit, çka solli rënie të vazhdueshme të pjesës së saj të tregut. Fokusi i bankës ka qenë kryesisht ulja e nivelit tejet të lartë të kredive me probleme, sidomos në segmentin e korporatave.

Blerja e Tirana Bank nga Balfin rrit peshën e kapitalit shqiptar në sistemin bankar. Aktualisht, bankat që kontrollohen nga aksionerë vendas janë tre: Credins Bank, Union Bank dhe, të paktën teknikisht, edhe ABI Bank. Aksioneri i vetëm i ABI është institucioni financiar Tranzit, kompani e regjistruar në Shqipëri. Tranzit vetë kontrollohet nga kompani offshore (që i përkasin grupit NCH Capital), megjithatë një pjesë e konsiderueshme e aksioneve mbahen nga drejtori i përgjithshëm i ABI Bank, Andi Ballta.

Mbështetur në të dhënat e mesit të këtij viti, tre bankat e mësipërme zotërojnë së bashku rreth 22%, përfshi edhe aktivete e NBG Bank, e sapoblerë pikërisht nga ABI. Me blerjen e Tirana Bank nga grupi Balfin, pesha e kapitalit vendas në treg arrin në rreth 27%. Që pas privatizimit të Bankës së Kursimeve, kjo është pjesa më e lartë e tregut e mbajtur nga kapitali shqiptar në sistemin bankar.

Air Albania kthen markën shqiptare në fluturime

Në muajin shtator, nis fluturimet kompania ajrore Air Albania, që pas shumë vitesh synon të sjellë brandin shqiptar në tregun e fluturimeve. Kompania është një joint-venture mes biznesmenit vlonjat Sinan Idrizi, qeverisë shqiptare dhe gjigandit turk Turkish Airlines. Një kompani ajrore me pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare vjen pas më shuëm se 20 vjetësh nga privatizimi i Albanian Airlines. Kompania e parë e fluturimeve në Shqipëir u ngrit në 1991, si biznes i përbashkët me Tyrolean Airways. Pasi austriakët u tërhoqën, si rrjedhim i ngjarjeve të vitit 1997, kompania iu shit e gjitha sipërmarrësve kuvajtianë al-Kharafi. Në vitin 2009, kompania u ble nga biznesmeni turk Ali Evsen, ndërsa në vitin 2012 kaloi në duart e biznesmenit jordanez Yahia Farwati. Agonia e Albanian Airlines u mbyll në vitin 2014, kur vetë kompania kërkoi nisjen e procedurave të falimentit në gjykatën e Tiranës. Fillimisht, Air Albania do të operojë fluturimet me Stambollin që më parë kryheshin nga Turkish Airlines. Me hyrjen në treg të Air Albania, Turkish do të largohet nga Shqipëria. Megjithatë, ambicia e kompanisë është të zgjerohet së shpejti edhe në linja të tjera.

Sfida për kompaninë e re është ofrimi i çmimeve më konkurruese të biletave. Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku nuk ka kompani të mirëfillta low cost. Kjo ndodh kryesisht për shkak të kostove të larta të shërbimeve aeroportuale, duke përfshirë edhe furnizimin me karburant.

Aksioneri shqiptar i kompanisë, Sinan Idrizi, ka deklaruar se Air Albania synon të krijojë një shoqëri të vetën për furnizim me karburant në aeroportin e Tiranës, me qëllim uljen e kostove. Shërbimi i furnizimit me karburant të avionëve aktualisht ofrohet vetëm nga Air BP Albania dhe çmimet janë mjaft të larta, çka dëshmohet nga marzhet shumë të larta të fitimit të këtij operatori. Që prej vitit 2015, në teori, AIR BP Albania është e detyruar t’iu japë akses edhe palëve të tjera të interesuara për të ofruar shërbimin e furnizimit me karburant në aeroportin e Rinasit, përfshi këtu edhe përdorimin e infrastrukturës së saj. Megjithatë, deri tani kompania Tirana International Airport nuk ka lidhur kontrata me ofrues të tjerë të shërbimit të furnizimit me karburant. Air Albania synon të thyejë edhe këtë tabu.

Balfin dhe Edil për resorte të turizmit elitar

Një boshllëk i madh në formulën e turizmit bregdetar shqiptar është mungesa e strukturave të turizmit elitar. Deri më sot, nuk ekzistojnë struktura të mirëfillta me pesë yje, të ngjashme me ato që shqiptarët frekuentojnë në pushimet jashtë vendit. Megjithatë, në ndërtim janë dy resorte të përmasave gjigande dhe që synojnë të konkurrojnë me resortet më cilësore  në rajon.

“Green Coast Resort” do të ngrihet në brigjet e detit Jon, në zonën e Palasës, nga grupi Balfin i Samir Manes. Ndërsa në Gjirin e Lalzit po ndërtohet “San Pietro Hotel & Residences” një investim i grupit Edil Al të vëllezërve Dulaku.

Green Coast Resort do të jetë i shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 15.000 m2, me dy kate ndërtim. Sipas përfaqësuesve të Balfin, objektivi do të jetë tërheqja e turistëve shqiptarë dhe të huaj, të cilët janë në kërkim të turizmit elitar dhe shërbimeve në standard të lartë.

Këto resorte gjithashtu do të sjellin një praktikë shumë të rrallë në sektorin e hotelerisë në Shqipëri, ndarjen e menaxhimit nga pronësia. Kjo është nja nga kërkesat për marrjen e statusti të investitorit strategjik dhe përfitimin nga lehtësitë e miratuara nga qeveria shqiptare. “San Pietro Hotel & Residences do të menaxhohet nga grupi spanjoll “Meliá Hotels International”, i njohur në fushën e turizmit elitar. Edhe grupi Balfin është duke negociuar gjithashtu gjetjen e një kompanie që do të merret me menaxhimin e Green Coast Resort.

Hotelet e Mak Albania i kaluan sipërmarrësve shqiptarë

Një tjetër blerje e bujshme e sipërmarrësve vendas këtë vit është ai që deri në fund të vitit të kaluar ishte Hotel Sheraton. Pasi zinxhiri global i hotelerisë njoftoi në fund të vitit të kaluar tërheqjen nga Shqipëria, familja kuvajtiane al-Kharafi, që e përdorte markën Sheraton me një marrëveshje franchising, vendosi ta shiste biznesin e saj në Shqipëri.

Kompania Mak Albania, që veç ndërtesës dhe aktivitetit të ish-hotel Sheraton, përfshinte edhe hotelin Chateau Linza, u ble për 30 milionë euro nga Shefqet Kastrati, sipërmarrës me aktivitet kryesisht në sektorin e karburanteve. Më herët, kompania Mak Albania kishte shitur dy aktivitete të rëndësishme në fushën e hotelerisë. Ish-hotel Butrinti në Sarandë u ble nga një tjetër ish-biznesmen i sektorit të karburanteve, Shyqyri Duraku, ndërsa ish kompleksi Mak Albania në Golem të Durrësit u ble nga Irfan Hysenbelliu, sipërmarrës me aktivitet në ndërtim, prodhim dhe në tregun mediatik.

Aktivitetit të hotelerisë këtë vit pritet t’i shtohet një markë e rëndësishme globale, Hilton, që do të hapë një hotel në kryeqytet. Por, megjithatë, prania e kapitalit të huaj në këtë aktivitet tashmë ngelet e pakët dhe e kufizuar te hotel Rogner, investim i vjetër austriak.

Hotelet më të rëndësishme në kryeqytet tashmë zotërohen kryesisht nga sipërmarrës vendas. Ndërtimi më i ri, Plaza Tirana, zotërohet nga Vasil Naçi, Kristo Naçi, Kosta Sotiri (pronarët e “Agna Group”) dhe nga Behar Malaj. Hotel Tirana International prej disa vitesh është blerë i gjithi nga Ram Geci, ndërsa Xheko Imperial është pronë e familjes së biznesmenit Agron Xheko.

Kastrati, Rrugën e Kombit dhe Aeroportin e Kukësit

Një nga temat më të debatuara në dy vitet e fundit ka qenë koncesionimi i përfundimit dhe mirëmbajtjtes së Rrugës së Kombit. Aplikimi i pagesës duhet të niste në fillim të këtij viti, por u shty për në shtator pas protestave të ashpra, sidomos nga banorët e zonës së Kukësit.

Fitues i koncesionit në vitin 2016 ishte një konsorcium kompanish të huaja dhe shqiptare, por shpejt investitorët e huaj u tërhoqën dhe biznesi u ble nga dy ndërmarrje vendase, Kastrati dhe Salillari. Vlera e projektit do të jetë rreth 220 milionë euro, nga të cilat pjesa më e madhe do të paguhet nga përdoruesit e rrugës, përmes tarifës së kalimit.

Fillimisht, subvencioni nga qeveria mendohej të ishte rreth 5 milionë euro në vit. Por, pas presionit nga opinion publik, qeveria vendosi disa lehtësi për përdoruesit e shpeshtë të rrugës dhe banorët e zonave pranë rrugës, që do të paguajnë më pak. Nuk është plotësisht e qartë se sa do të arrijë shuma që qeveria shqiptare do t’i paguajë koncesionarit për lehtësitë e mësipërme.

Shoqëria Kastrati do të jetë pjesë edhe në një tjetër projekt të rëndësishëm koncesionar, atë të rimëkëmbjes dhe operimit të Aeroportit të Kukësit. Në muajin korrik, qeveria shqiptare vendosi t’i jepte  konsorciumit “Kastrati”, sh.a dhe “T.M.D Systems LTD”  8% të pikëve bonus “për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pa kërkuar, për projektin e rehabilitimit, të operimit, transferimit të Aeroportit të Kukësit”.

Megjithëse ka përfunduar që në vitin 2006, Aeroporti i Kukësit nuk është bërë asnjëherë funksional. Fillimisht, pengesë ishte ekskluziviteti i fluturimeve ajrore për Aeroportin e Tiranës, parashikuar si kusht në kontratën koncesionare me shoqërinë Tirana International Airport. Por, edhe pse në vitin 2016 ekskluziviteti u hoq, nuk u ndërmor asnjë hap për ta bërë operativ aeroportin e dytë në vend.

Gjoka merr Rrugën e Arbrit, Gener 2 rrugën Thumanë- Kashar

Një treg shumë i rëndësishëm ku sipërmarrja vendase ka hyrë fuqishëm është edhe i Partneritetit Publik-Privat. Në mungesë të hapësirave fiskale për të rritur borxhin, qeveria shqiptare ka vendosur të investojë mbi 1 miliard euro në projekte madhore të infrastrukturës, duke shfrytëzuar kapitalet e sektorit privat dhe sistemit financiar. Në mandatin e parë qeverisës, kjo praktikë u përdor kryesisht në sektorin e shëndetësisë. Në mandatin e dytë, këto projekte morën përmasa më të mëdha, duke filluar nga projekti i rëndësishëm i Rrugës së Arbrit, i ngelur në mes prej vitesh. Në vitet e mëparshme, qeveria kishte refuzuar oferta nga kompani kineze dhe turke, duke i gjykuar shumë të larta kërkesat e tyre.

Në fund, për të ndërtuar Rrugën e Arbrit u përzgjodh kompania vendase Gjoka Konstruksion. Segmenti që do të ndërtohet me PPP është i gjatë 26.2 kilometra, ndërsa kostoja e projektit do të jetë rreth 240 milionë euro.

Një tjetër projekt madhor në platformën e PPP-ve është rruga Thumanë-Kashar, me gjatësi totale 20.8 kilometra. Rruga do të kushtojë 225.8 milionë euro dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituese kompaninë “Gener 2” në tenderin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës, për një periudhë prej 13 vitesh. Koncesioni i rrugës Thumanë-Kashar nisi përmes një oferte të pakërkuar nga kompania “Gener 2”. Për këtë, ajo u shpërblye me 8.5 për qind të pikëve, duke hyrë e avantazhuar në tender.

Pas Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar u bë vepra e dytë e projektit “1 miliard euro”, për të cilën shpallet zyrtarisht fituesi. Rruga do të ndërtohet me fonde të siguruara nga vetë kompania private, ndërsa qeveria do ta paguajë atë më keste për 13 vitet e ardhshme. Sipas kontratës, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës për 13 vite do të kushtojë 225.8 milionë euro, ose 10.8 milionë euro për çdo kilometër.

Balfin edhe në sektorin minerar

Pas viteve ’90, shfrytëzimi i burimeve minerare të vendit u paralizua dhe nismat për rigjallërimin e këtij sektori erdhën kryesisht nga disa ndërmarrje të huaja, me rezultate të dobëta. Megjithatë, prej vitesh sipërmarrja shqiptare ka hyrë edhe në këtë treg. Në fillim të vitit 2013, grupi Balfin bleu shoqërinë koncesionare të shfrytëzimit të kromit, “Albanian Chrome” (ACR), e cila operon në minierën e Bulqizës, si dhe ka fabrikat e pasurimit dhe përpunimit të ferrokromit në Burrel e Elbasan. Fillimisht, miniera e Bulqizës u mor me koncesion nga kompania italiane Darfo, në vitin 2001. Eksperienca e italianëve ishte zhgënjyese dhe investimet e premtuara prej tyre nuk u realizuan. Në vitin 2007, ata i shitën të drejtat koncesionare te austriakët e Deco Metal dhe shoqëria mori emrin Albanian Chrome (ACR). Por, pas gjashtë vjetësh, edhe austriakët u tërhoqn, duke ia shitur shoqërinë grupit të biznesmenit Samir Mane.

Të huajt jashtë tregut mediatik

Një tjetër sektor ku sipërmarrësit e huaj kanë influencë modeste është tregu mediatik. Në fakt, i vetmi grup mediatik jetëgjatë tregun shqiptar ka qenë ai i kontrolluar nga italianët e Edisud, fillimisht me Gazetën Shqiptare, e më pas me TV News 24 dhe Radio RASH. Në vitin 2011, grupi u ble nga Irfan Hysenbelli dhe Artan Santo (vitin e kaluar, aksionet u blenë të gjitha nga Irfan Hysenbelli). Grupi italian vazhdon të jetë aktiv në treg me shqiptarja.com dhe Report Tv, por ndikimi i tij është më modest.

Tentativa më e bujshme një investitori strategjik për të hyrë në tregun mediatik shqiptar ishte ajo e gjermanëve të WAZ Media Group. Në vitin 2009, grupi në fjalë bleu paketën kontrolluese të aksioneve të televizionit Vizion Plus,  për rreth 2.5 milionë euro. Por, eksperienca e gjermanëve nuk zgjati më shumë se tre vjet dhe në mes të vitit 2012 ata ia rishitën aksionet vëllezërve Dulaku. Tentativa e fundit dhe më e bujshmja ishte ajo e vitit 2013 me Agon Channel, investim i biznesmenit italian Francesco Becchetti. Por, në vitin 2015, televizioni u mbyll dhe asetet u sekuestruan, pasi ndaj biznesmenit italian drejtësia shqiptare ngriti akuza për mashtrim, pastrim parash, falsifikim dokumentesh dhe evazion fiskal.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN