MENU
klinika

“Di mjaftueshëm sa ta sqaroj veten”

Elena Ferrante: “Çfarë më mbajti larg terapisë?”

10.09.2018 - 10:42

Ideja se duhet t’i tregoj një të panjohuri gjithçka më kalonte në mendje, më duket njëlloj sikur i jap dikujt informacionin e duhur për të më shantazhuar.

Mendoj se di mjaftueshëm sa ta sqaroj vetë veten.

Përktheu: Migena Elezi

Nuk kam bërë asnjëherë terapi psikoanalitike, edhe pse gjithnjë kam qenë gati ta nis një të tillë. Çfarë më shtynte? Shpesh një ndjesi papërshtatshmërie. Akoma më shpesh një lloj ndjesie teprimi, diçka që më bënte të ndihesha sikur kisha pirë aq shumë ujë, saqë po mbytesha. Më pas, ndjesia e pakënaqësisë së përhershme, gjithnjë e ndrydhur nga zakoni i mirësjelljes. Dhe mandej prirja për t’u distancuar nga gjithfarëlloj dëshire që nuk ishte në përputhje me mendimin që kisha për veten. Dhe së fundmi, një pakënaqësi e vazhdueshme që dukej sikur nuk do të largohej kurrë – si ajo dhimbja e lehtë e kyçit, e cila bëhet pjesë e jetës tënde.

Megjithatë, çfarë më frenoi? Ideja që do t’i tregoja gjithë jetën time një të panjohuri, dikujt pa peshë në jetën time, gjithçka që më kalonte në mendje. Nuk ma kishte ënda ta bëja diçka të tillë. Më dukej si një lloj dhune, të cilën bija dakord t’i nënshtrohesha vullnetarisht – madje duke e paguar besnikërisht diçka të tillë. M’u krijua ndjesia sikur po i dorëzohesha një shantazhisti. Madje, mora si të mirëqenë njëlloj fjalimi të heshtur nga analisti i mundshëm, që do ishte pak a shumë kështu: Unë kam fuqinë t’ju ndihmoj, por nëse doni që unë ta ushtroj këtë autoritet, duhet të më pajisni, në një kohë të caktuar, kundrejt pagesës, me kujtime, me mendime, me besime, gjithçka, madje edhe me gënjeshtrat që thoni.

Për t’i bishtnuar nevojës që ndjeja për zbërthim, përdorja justifikimin e mungesës së parave. “Nuk mund të përkeqësosh gjendjen financiare të familjes, për të përmirësuar tënden”, – i thashë vetes. Kështu ngushëllohesha duke menduar: “Ka kaq shumë njerëz që nuk kanë gjendje ekonomike, pakënaqësia jote nuk është veçse pjesë e pakënaqësisë së shumicës dërrmuese të shoqërisë tonë, që me siguri kanë nevojë për ndihmë më shumë sesa unë”.

Gjithsesi, edhe kur u përmirësua gjendja ime financiare, sërish nuk shkova në terapi. Refuzova të formoja një marrëdhënie, në të cilën do të isha në një pozicion vartësie, e detyruar t’i nënshtrohesha autoritetit të gjithëpushtetshëm të një personi gojëkyçur, ndërkohë që ju dërdëllisni pa reshtur, gjithnjë duke bërë pyetje dhe kurrë nuk denjon t’i përgjigjet vërtet ndonjë prej pyetjeve të tua, duke e mbajtur në fshehtësi absolute jetën e tij private, ndërkohë që tuajën e zbuloni në mënyrën më të cenueshme të mundshme.

Sot do shkoja pa nxjerrë asnjë justifikim në terapi; ç’është e vërteta, do t’i lëshoja fare frerët, për të kapur vonesën gjashtëdhjetëvjeçare. Ka ardhur momenti i duhur, i them vetes. Ana financiare nuk më mungon dhe, mbi të gjitha, tashmë nuk kam nevojë t’i tregoj vetes se nuk do t’i nënshtrohem asnjë autoriteti, i madh apo i vogël qoftë. Atëherë çfarë më frenoi? Ndoshta ngaqë kam lexuar kaq shumë, saqë kurioziteti ishte zbehur. Ndoshta mendoja, me mendjemadhësi, se dija mjaftueshëm sa t’ia sqaroja vetë mëdyshjet vetes, pa u mbështetur tek ekspertët. Ndoshta, duke u plakur, edhe pakënaqësia ime u rrit bashkë me mua, kështu që tashmë është e përgjumur. Me gjasë – dhe ndoshta ky është argumenti i vërtetë – nuk kam qenë kurrë vërtet e sëmurë. Ata që janë me të vërtetë të sëmurë duhet, dhe e bëjnë, të kërkojnë menjëherë ndihmën e specialistit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


T'i maskojmë apo t'i rrëfejmë ndjenjat tona?

Elena Ferrante: Mikesha ziliqare


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit