MENU
klinika

4.32% në tremujorin II

Energjia mban lart rritjen ekonomike

26.09.2018 - 13:24

Prodhimi i lartë i energjisë elektrike e ka shtyrë rritjen ekonomike për të dytin tremujor radhazi sipër nivelit të 4%. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, ekonomia shqiptare u rrit me 4.32% në tremujorin e dytë, pasi ishte rritur me 4.45% në tremujorin e parë të vitit.

Dega e energjisë elektrike për tremujorin e dytë u rrit me afro 67.5% me bazë vjetore, duke qenë kontribuesi kryesor i rritjes. Kjo rritje, që është jashtë një cikli normal dhe që i detyrohet një ndryshimi të thellë të kushteve hidrike krahasuar me vitin e kaluar, sidoqoftë ngre pasiguri lidhur me qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike më tej gjatë vitit. Një kontribut të lartë për tremujorin e dytë dha edhe industria përpunuese, me afro 11.2%.

Rritje ndjeshëm mbi mesataren regjistroi edhe sektori me peshë të lartë i tregtisë, përfshi transportin, akomodimin dhe shërbimin ushqimor, që u rrit me 5.7%. Rritja e lartë në këta sektorë, sidoqoftë, balancoi rënien e ndjeshme në dy sektorë po aq të rëndësishëm, telekomunikacionet dhe ndërtimi. Shërbimet e informacionit dhe komunikimit pësuan rënie me 5.8% me bazë vjetore, duke konfirmuar momentin e vështirë të këtyre tregjeve.

Ndërkohë, ndërtimi pësoi rënie me 2%, por që pjesërisht i detyrohet bazës së lartë krahasuese të tremujorit të dytë të vitit 2017, që përkoi me zgjedhjet e përgjithshme.

Në analizën e rritjes sipas metodës së shpenzimeve, të dhënat e Instat evidentojnë një ngadalësim të ndjeshëm në kontributin e investimeve. Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me vetëm 1.5%, shumë larg nga nivelet dyshifrore të viteve të mëparshme. Megjithatë, zhvillim pozitiv është përmirësimi i konsumit prvat, që për tremujorin e dytë u rrit me 3.35% me bazë vjetore.

Parashikimet e vendosin rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit pranë nivelit 4%. Për gjysmën e parë të vitit ky parashikim është tejkaluar, falë superprodhimit të energjisë elektrike. Për pjesën e mbetur të vitit do të jetë shumë e vështirë ruajtja e këtyre ritmeve, duke pasur parasysh kontributin shumë të lartë që ka dhënë dega e energjisë.

 

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!