MENU
klinika

Nga JULIAN BARNES

Enigma e një fundi

01.09.2018 - 19:39

Përktheu Ilir Baçi
Kur jemi të rinj, të gjithë ata që janë mbi tridhjetë vjeç na duken mesoburra dhe mesogra, ndërsa ata që i kanë kaluar të pesëdhjetat duken të qëmotshëm. Dhe koha, me kalimin e saj, na pohon se nuk kemi qenë fort larg të vërtetës. Ato dallimet e vogla në moshë, aq të rëndësishme dhe aq të shëmtuara kur jemi të rinj, treten. Përfundojmë të gjithë në të njëjtën kategori, në atë të njerëzve jo të rinj. Për vete, nuk e kam pasur kurrë problem këtë.

Jetojmë brenda kohës—e cila na mbështjell dhe na jep trajtë—por kurrë nuk më është dukur se e kam kuptuar shumë mirë kohën. Dhe nuk e kam fjalën për teoritë e deformimit apo përshpejtimit të saj, apo për ekzistencën e saj në versione paralele. Jo, e kam fjalën për kohën e zakonshme, atë të përditshme, për të cilën sahatet dhe orët na garantojnë se ecën me rregullsi: tik-tak, tik-tak. A ka gjë më të mirë se akrepi i sekondave? E pra, mjafton kënaqësia apo dhimbja më e vogël, për të kuptuar sa lehtë manipulohet koha. Disa emocione e përshpejtojnë, të tjera e ngadalësojnë; ka raste kur duket se nuk ekziston fare—deri sa vjen më në fund një pikë kur zhduket me të vërtetë, për të mos u kthyer më kurrë.

E vështirë nuk është vetëm t’i ngulësh sytë gropës së varrit, por edhe t’i ngulësh sytë jetës. E vështirë është për ne të mendojmë, si të fiksuar, mundësinë, për të mos thënë sigurinë, se jeta është veçse një rastësi kozmike, ku qëllimi themelor i saj është thjesht vazhdimësia e ekzistencës së vet, të mendojmë se jeta zhvillohet në zbrazëti, se planeti ynë do të endet një ditë në heshtje të ngrirë dhe se njerëzimi, pasi të jetë zhvilluar në të gjithë kompleksitetin e tij të ngutur dhe me përparim të tepruar, do të zhduket plotësisht dhe nuk do t’i mungojë askujt, sepse nuk ekziston askush dhe asgjë që ta marrë malli për ne. Kjo do të thotë të rritesh. Dhe kjo do të thotë një e ardhme e frikshme për një racë e cila, për të kuptuar dhe për t’u ngushëlluar, prej kaq shumë kohësh mban shpresë në perëndi që i ka shpikur po vetë.

Sa here e kemi thënë jetën tonë ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, pa i shtuar apo pa i hequr ndonjë gjë?

Kjo qe një tjetër frikë e jona, se jeta nuk do të na dilte si nëpër libra.

Sa shpesh e tregojmë historinë e jetës sonë? Sa shpesh e rregullojmë, e zbukurojmë, i heqim ndonjë copëz të padëshiruar aty-këtu? Dhe sa më shumë rrojmë, aq më të paktë bëhen ata që mund të na e kundërshtojnë historinë, të na kujtojnë se jeta jonë nuk është jeta jonë, nuk është historia që ne kemi treguar për jetën tonë. Që u tregojmë të tjerëve, por – kryesisht – edhe vetes.

Padyshim që besoj se të gjithë ne kemi pësuar dëm, në një mënyrë ose një tjetër. E si të mos dëmtohesh, në një botë ku nuk është i përsosur asnjë prind, asnjë vëlla a motër, fqinj apo shok? Pastaj, është edhe çështja, prej së cilës varet gjithçka, se si reagojmë ne ndaj dëmit: nëse e pranojmë apo e ndrydhim, dhe si i cenon kjo marrëdhëniet tona me të tjerët. Po kaq paqësisht arrij të mendoj vetëm në çastet kur jam krejt i qetë. Ndërkaq kur jam i fyer, me kthehen përsëri ne mendje të gjitha fyerjet që më ka bërë , kur ndihem fajtor, më kthehen ndjenjat e dikurshme torturuese të fajit, dhe më kap një mall I madh për kohën të cilën kemi kaluar bashkë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit