MENU

Arrestimi që tensionoi marrëdhëniet

Erdogan ‘shuplakë’ Trumpit:Jemi të pavarur!

26.09.2018 - 12:28

Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha se për fatin e pastorit amerikan, arrestimi i të cilit ka acaruar marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit, do të vendoset nga gjykatat turke, dhe jo nga politikanët.

Zoti Brunson akuzohej se kishte ndihmuar një rrjet të udhëhequr nga kleriku mysliman që ndodhet në SHBA, të cilin Turqia e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016 kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan si dhe për mbështetje të militantëve kurdë të jashtëligjshëm.

Nëse shpallet fajtor, pastori 50-vjeçar, i cili i mohon akuzat, mund të përballet me 35 vjet burg.

Andrew Brunson

Sekretari i Shtetit i SHBA-së Mike Pompeo tha të hënën se shpresonte që Turqia ta nxirrte nga burgu pastorin ungjillor Andrew Brunson këtë muaj. Tanimë ai është transferuar në arrest shtëpiak që nga korriku, pasi u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 21 muaj.

Në një intervistë me Reuters të martën gjatë kohës që ishte në Nju Jork për takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Erdogan tha se çdo vendim mbi Brunson i takonte gjykatave.

“Si president, unë nuk kam të drejtë të urdhëroj lirimin e tij. Gjykatat janë të pavarura. Le të presim dhe të shohim se çfarë do të vendoset”, tha Erdogan.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, i inatosur nga burgimi i Brunsonit, autorizoi një dyfishim të tarifave mbi aluminin dhe çelikun e importuar nga Turqia në gusht.

Kriza e lirës turke

Si pasojë e kësaj dhe një sere faktorësh të tjerë, lira turke ka humbur rreth 40 përqind të vlerës së saj ndaj dollarit këtë vit.

“Rasti i Brunson nuk është aspak i lidhur ngushtë me ekonominë e Turqisë. Sfidat aktuale ekonomike janë krejtësisht nga shkaqe të tjera” tha Erdogan.

Në një përpjekje për të nxitur përmirësimin e ekonomisë dhe për të tërhequr investitorët, Erdogan do të udhëtojë më 28 shtator në Gjermani, një vend që është “shtëpia” e miliona turqve.

“Ne duam që të lëmë pas plotësisht të gjitha problemet dhe të krijojmë marrëdhënie të ngrohta ndërmjet Turqisë dhe Gjermanisë ashtu siç ka qenë dikur”, tha Erdogan, duke shtuar se ai do të takohet me kancelaren Angela Merkel gjatë vizitës së tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet ish-ambasadori

BE zhgënjehet nga Turqia…

Përplasja më SHBA-në

Erdogan: Ose do bëhemi, ose vdesim!