Atëherë historikisht projekti i një kontinenti të bashkuar ka ardhur me qëllim për të shënuar paqen me të gjatë të mundshme. Po si mund të arrihej kjo? Të gjitha luftërat në Europë janë bërë për arsye territoriale dhe për interesa ekonomike. Pas të famshmes Luftës 30 vjeçare, luftës fetare dhe me lindjen e forcimit të shtetit-nacional pas Westfalia-s, në Europë luftërat janë bërë për arsye territoriale.
Atëherë për të siguruar pikërisht paqen -Kontinenti- kishte nevojë për një optikë më të gjerë dhe më të largët se shteti nacional, territori i shtetit nacional apo ai njihet si sovranitet. Europa ka pasur disa popuj me rivalitete të mëdha historik e këtu duhet të kemi parasysh Francën me Anglinë, Spanjën me Anglinë, Italinë me Austrinë (apo Austro-Hungarinë). Por rivaliteti më i çmendur me kosto të larta njerëzore ka qenë padyshim mes Francës dhe Gjermanisë. Si eksperienca të hidhura Lufta I dhe II, ose siç me të drejtën disa historian e konsiderojnë lufta e dytë 30 vjeçare, sepse faktorët dhe aktorët ishin pothuajse të njëjtë si në të parën ashtu edhe në të dytin, disa statistë vizionarë pas mbarimit të Luftës, II filluan të shikonin më larg se realiteti klasik për një paqe më të gjatë e qëndrueshme. Këto ishin De Gasperi, Schuman, Adenauer e mjaft të tjerë dhe sipas tyre sekreti i kësaj paqeje ishte të krijohen një kontinent pa kufij dhe kjo mund të eksperimentohej në fillim duke u bashkuar në sektorë të ndryshëm ekonomik dhe kështu u vendos të krijohej CECA (Komuniteti i Karbonit e Çelikut), këto dy të mira që kishin qenë kauza e një armiqësie të gjatë e me pasoja mes francezëve dhe gjermanëve.
Por, një arsye tjetër përse nuk duhet të kishte kufij mes shteteve në Europë ishte fakti, sepse për shkak të rrethanave historike, shumë probleme nuk mund të zgjidheshin me luftë apo me rivendikime territoriale. I pari që e pati këtë frymëzim ishte republikani Mazzini, i cili në veprën e tij “Italia e Re”, theksonte se zgjidhja e Italisë do të ndodhte si pasojë e një kontinenti të bashkuar. E kishte fjalën pikërisht për problemet territoriale që po kalonte në atë kohë Italia, kur akoma nuk ishte e bashkuar. Prandaj, Mazzini ishte i mendimit se Italia duhet të bashkohej në një “Europë të Bashkuar”.
Pra, fillim e mbarim BE-ja, me qëllim për të siguruar paqen është zhvilluar mbi idenë e shembjes së kufijve nacional, si barriera psikologjike, me qëllim me krijuar një formë të re të organuzimit, ku territori konsiderohet si një e mirë e përbashkët. Me forcë, vendet europiane dhe BE-ja duke justifikuar historikun e saj kanë kundërshtuar vazhdimisht idenë e ndryshimeve të kufijve, sepse historia na ka mësuar se janë zgjidhje të përkohshme dhe motive për hakmarrje dhe përsëritje të ngjarjeve historike.
Ndryshimi i kufijve është konsideruar një tabu për vite me radhë dhe jo perspektiva e një kontinenti të bashkuar. Ballkani është një çorbë që është e vështirë të bësh dallime të mirëfillta territoriale dhe etnike, sepse ka pasur ndër shekuj pushtime të vazhdueshme dhe po ashtu edhe lëvizje e spostime të vazhdueshme të popullsive. Ardhja e Sllavëve dhe e Turqve e ndryshuan Ballkanin duke tjetërsuar hapësirat e vogla territoriale në një përzierje popujsh. Sigurisht një ndër popujt që është prekur më së shumti dhe më padrejtësisht nga çorba e Ballkanit, janë padyshim shqiptarët, të cilët si autokton u sulmuan nga ardhacakët.
Sot, po diskutohet korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në realitet, unë nuk do e quaja diskutim, por përderisa Thaçi është president dhe flet për korrigjim kufijsh, këtë të fundit unë e konsideroj politikë të Kosovës. Ç’është e vërteta, edhe pse Serbia e ka pasur politikë të vjetër çështjen e ndryshimeve të kufijve, këtë herë nuk mund ta konsiderojë politikë kombëtare të Serbisë, përderisa Vuciç nuk e ka përmendur termin shkëmbim apo korrigjim territoresh në asnjë prononcim për media. Çfarë do të thotë kjo për BE-në? Unë e shpjegojë thjeshtë e qartë, se dëshmon fundin dhe dështimin e Europës së Bashkuar si një projekt që nisi 67 vjet më parë. Nëse bëhet shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë do të thotë fundi i asaj që jemi mësuar ta quajmë Integrimi Europian të popujve të Kontinenti.
Atëherë duhet të bëj një sqarim shumë të qartë, shkëmbimi i territoreve dhe korrigjimi i kufijve janë i njëjti proces që plotësojnë njëri- tjetrin. Nuk mund të ketë shkëmbim territoresh pa korrigjuar kufijtë dhe kufijtë nuk korrigjohen nëse qëllimi final nuk është shkëmbimi i territoreve. Pra, lojërat e termave ose terminologjia që përdor Thaçi për tu justifikuar, ka të njëjtin kuptim dhe të njëjtin efekt. Kemi të bëjmë pikërisht me rastin e pastër të marrëdhënies shkak-pasojë. Nëse këto dy vende si Kosova dhe Serbia kanë mendjen tek shkëmbimi i territoreve, atëherë do të thotë se ata nuk besojnë në projektin e një Europe të Bashkuar duke dhunuar kështu principin bazë, një Europë pa kufijtë e shteteve nacionale.
Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë- nëse do të ndodhë- do të thotë fillimi i një luftë të re europiane! Pse? Po Italia dhe Franca kanë probleme e pretendime territoriale. Austria ka probleme territoriale me Hungarinë dhe Slloveninë. Gjermania ka probleme e pretendime territoriale me Francën, Spanja ka me Portugalinë dhe Marokun e mjaft shembuj të tjerë që nuk është e nevojshme t’i citojmë të gjithë. Por çfarë efektesh ka mes shqiptarëve dhe serbëve nëse Kosova e Serbia ndryshojnë apo shkëmbejnë territore? Ka disa efekte:
Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë
Kosova shuhet si organizim shtetëror dhe bëhet një shesh mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Kosova me mungesën e saj në OKB-së do të humbiste më shumë territor se sa do të përfitonte nga Serbia.
Shqiptarët e Maqedonisë do të kërkonin të bashkoheshin me Shqipërinë ose Maqedonia dhe Shqipëria do të përfshiheshin në shkëmbime territoresh.
E gjithë kjo situatë do të krijonte një reaksion zinxhirë, do të rikthente nevojën e aleancave të vjetra ballkanik e në fund do të përfundonte me përplasje të drejtpërdrejta duke shkaktuar një luftë të re Ballkanik që do të ishte përsëri sebepi dhe arsye e një konflikti të ri europian e ndoshta botëror.
Teoria e shkëmbimeve territoriale do të rikthente regres të theksuar duke fshirë 67 vite marrëveshje e bashkëpunime mes shteteve që garantuan paqen më të qëndrueshme që ka njohur në histori Kontinenti. Është pikërisht historia që na dëshmon se BE-ja është një projekti i dobishëm që i ka garantuar zhvillim, paqe e progres kontinentit dhe popujve.
Nga Alban Daci