Rreziku më i madh për Bashkimin Evropian është të mbetet “i zhytur” në strukturat e vjetëruara. Nëse kërkon të mbijetojë në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe që është gjithnjë e më sfiduese, BE-ja ka nevojë për një model të ri të integrimit evropian që braktis parimin e “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”.
Italia, tha Metternich dy shekuj më parë, është vetëm një shprehje gjeografike. Disa në Pekin, Moskë, Nju Delhi dhe madje edhe Uashingtoni e konsiderojnë Europën kështu në këtë moment.
Ata pranojnë se Bashkimi Evropian ka rëndësi për marrëveshjet tregtare dhe çështjet e monedhës, por e konsiderojnë të pafuqishëm për të qenë një lojtar i vërtetë në arenën botërore. Sipas tyre është shumë i ndarë për t’u përballur me sfidat e sigurisë dhe migrimit. T’i provojë atyre se janë gabim duhet të shndërrohet në objektiv për Europën.
Debatet ekzistuese pa dyshim janë aq të vjetra sa BE-ja dhe duket se janë pjesë e identitetit të saj. Për të mbijetuar në një botë tjetër, shumë më të ashpër, BE-ja duhet të ripërcaktojë qëllimin e saj.
Ajo u projektua kryesisht për t’u marrë me integrimin e brendshëm, ndërsa tani ajo duhet të përballet me kërcënimet e jashtme. Ajo është e papërgatitur për lojën e re, transaksionale të gjeopolitikës.
SHBA është kujdesur për një kohë të gjatë për sigurinë e Evropës, Presidenti Donald Trump e konsideron këtë përgjegjësi si të tepërt. Flukset e refugjatëve ishin të papërfillshme, megjithëse tani janë në nivele të ulëta, rritja masive në vitin 2015 tregoi edhe një herë karakterin jofunksional të regjimit europian.
Dhe e gjithë kjo vjen në një kohë kur BE është thellësisht e ndarë.
Çështjet e jashtme shtojnë ndarjet ekzistuese, sepse qëndrimet lidhur me migracionin, perceptimet për kërcënimet e huaja dhe gatishmërinë për të përdorur fuqinë ushtarake ndryshojnë shumë.
BE tradicionalisht ka përdorur dy teknika për të përballuar përçarjet brenda saj.
E para ishte të pretendonte se të gjitha vendet anëtare, megjithëse jo aq të gatshme për të vepruar, kishin të njëjtin qëllim, “bashkimin gjithnjë e më të ngushtë”.
Teknika e dytë ka qenë transferimi i kompetencave në nivelin e BE-së dhe votimi i shumicës. Kështu u ndërtua tregu i vetëm. Por një proces i tillë funksionon vetëm për sa kohë që vendet anëtare respektojnë sundimin e shumicës.
Çështjet e sigurisë, mbrojtjes, ose, emigracionit nuk mund të zgjidhen në këtë mënyrë. Në të vërtetë u përpoqën për emigracionin dhe dështuan.
Zgjerimi i ardhshëm i BE në Ballkanin Perëndimor e ndërlikon më tej problemin. Këto vende kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u bashkuar me Evropën dhe meritojnë të shpërblehen. Por ata do ta bënin BE-në edhe më heterogjene dhe do të mund të shtonin ndarjet e saj.
Për këtë arsye, unë dhe kolegët e mi avokojmë një rishikim të arkitekturës së Evropës.
Ne propozojmë një strukturë të re të përbërë nga një bazë e përbashkët dhe disa klube fakultative të përkushtuara për fushat kryesore të politikave.
Baza në thelb do të përbëhej nga tregu i vetëm, bashkimi doganor dhe rregulla dhe institucione thelbësore për të siguruar mbrojtjen e konsumatorit, ruajtjen e konkurrencës dhe menaxhimin e çështjeve të energjisë dhe klimës, infrastrukturës dhe politikave rajonale.
Shtyllat institucionale ,Komisioni, Këshilli, Parlamenti dhe Gjykata e Drejtësisë, gjithashtu do të ishin pjesë e bazës, sikurse parimet themelore të BE-së: të drejtat e njeriut, liria, demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit.
Do të ishte një lloj boshllëku i BE-së, por i zhveshur nga politikat e përbashkëta.
Një klub do të merrej me euron, koordinimin fiskal, mbikëqyrjen bankare dhe zgjidhjen e krizave financiare. Një tjetër do të merrej me politikën e azilit, mbrojtjen kufitare dhe bashkëpunimin në çështjet policore dhe gjyqësore.
Një klub i tretë do t'i përkushtohej mbrojtjes dhe sigurisë së jashtme.
Një klub i katërt mund të parashikohet për fusha të përbashkëta të politikave që janë ende në fillimet e tyre, siç është arsimi.
Një ide e tillë jo vetëm që do të parandalonte shpërbërjen e BE-së por do të ndihmonte në ndërtimin e një partneriteti me fqinjët.
BE-ja do të siguronte bashkëpunim me miq që që nuk do të ishin pjesë e tregut të vetëm, por që mund të bëheshin pjesë e marrëveshjeve të ndryshme.
A është e rrezikshme të thyhen tabu? Po. Por rreziku më i madh është që BE të mbetet ende me strukturat e vjetëruara. Europa është një ëndërr më e madhe se shtëpia që kemi ndërtuar.
Jean Pisani-Ferry, një profesor në Shkollën e Qeverisjes Hertie (Berlin) dhe Sciences Po (Paris), është pjesë e Institutit të Universitetit Evropian dhe është një bashkëpunëtor i lartë në Bruegel.