MENU
klinika

Rritje me 35%

Fasonet, 200 mln euro në gjashtë muaj

11.09.2018 - 14:25

Të ardhurat e biznesit me fason në vend u rritën sërish në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ekonomia shqiptare përfitoi gjithsej 200 milionë euro për shërbime të përpunimit të mallrave të porositësve jashtë vendit.

Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, të ardhurat nga puna me porosi janë rritur me 35%.  Fasonet ngelen kolona kryesore ku mbështeten eksportet shqiptare, me rreth 44% të volumeve totale vjetore. Ky biznesi po përjeton një shkëlqim të ri dhe po i reziston mirë krizës, ashtu si edhe konkurrencës nga vendet e tjera. Ai është i përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë, por, në vitet e fundit, ka një zgjerim të spektrit të produkteve që prodhohen në Shqipëri, për shkak të kostove të ulëta të krahut të punës.

Fasoneria ka hyrë edhe në industrinë përpunuese, kryesisht të peshkut apo edhe në prodhimin e pajisjeve dhe instrumenteve industriale, si për shembull elektromotorrët. Në total, ekonomia shqiptare përfitoi në gjysmën e parë të vitit 2018, 520 milionë euro nga shërbimet e eksportuara. Pjesën kryesore e zënë pikërisht fasonet dhe turizmi, por këtyre iu shtohen edhe shërbimet që nuk lidhen me përpunim të mallrave, si shërbimet call center apo ato të teknologjisë së informacionit për kompani të huaja.