MENU
klinika

Shkolla në Postribe

Fëmijët, 1 orë e gjysmë në këmbë për tu shkolluar

22.09.2018 - 15:16

Në një kohë që flitet për internet në çdo klasë, për tekste falas apo për binjakëzime të institucioneve arsimore me ato të vëndeve të zhvilluara të Bashkimit Europian, në Shqipëri ka ende shumë fëmijë që duhet të sakrifikojnë për të shkuar në shkollë. 

34 të mitur nga moshat 6 deri ne 15 vjeç, të fshatit Domen në Postribë të Shkodrës, çdo ditë duhet të ecin mbi 1 orë e gjysmë në këmbë për të shkuar tek shkolla e tyre.
Rruga është aq e veshtirë për shkak të terrenit shkëmbor por edhe e rrezikshme, sidomos në stinën e dimrit, kur ka reshje shiu. 1 orë e gjysme rrugë, fëmijet duhet ti përshkojnë vetem pasi prindërit e kanë të pamundur t’i shoqerojnë gjithmonë.

Është rrugë e gjatë por duhet të shkojmë në shkollë. Nisemi heret në mengjes për të kapur orën 8 që të nisim mësimin. Shpesh herë edhe shkojmë me vonesë por mësuesit na mirëkuptojne
Asra, 8 vjeçare ka mbaruar mësimin, por i duhet çdo ditë të presë për kushërinjtë dhe komshinjtë e saj pasi arsimi fillor e mbyll mësimin në orën 11.

Çdo ditë e mbaroj mësimin në oren 11 dhe më duhet të pres shokët. Nuk mund të kthehem vetëm në shtëpi pasi është rruga e gjatë dhe kam frike. Bëhëmi të gjithë bashkë dhe largohemi
Edhe për prindërit, largësia me shkollën eshtë një problem por duhet të rrezikojnë për të arsimuar fëmijet.

Duhet të sakrifikojnë ata më shumë se ne. Jetojmë më frikë që nga momenti kur nisen e deri kur mbërrijnë në shtëpi por duhet të arsimohen. Të mësojnë mirë që neser të mos jene si ne pa shkollë. Në dimer kur ka shi dhe është ftohtë, duhet të largohemi nga puna për t’i shoqëruar. Kemi kërkuar mjet transporti por nuk ka asnjë përgjigje”.

Hasan Tusha është mësues në këtë shkollë, tashmë në prag të pensionit. Mësues Hasani na tregon se kushtet e shkollës nuk janë aspak normale.

Gjëndja është shume e vështirë. Nuk ka as ujë dhe as drita pavarësisht kerkesave që këmi bërë. Largësia është shumë e madhe dhe shpesh herë na duhet të presim fëmijët kur vonohen. Edhe ne duhet të ecim mbi 1 orë në këmbë pasi e kemi shkollën larg”.

Dekada më parë shkolla 9-vjeçare e Domenit në Postribë kishte plot 320 nxënës. Në ditët e sotme ka përfunduar me 34 nxënës dhe si shumë shkolla të tjera në fshatra, rrezikon që të mbyllet.