MENU
klinika

Nga Ilnisa Agolli

Fëmijët duhet të rriten me libra

04.09.2018 - 11:53

Jetojmë në libra më shumë se kudo tjetër! Kjo është një nga bindjet e njerëzve të librit, atyre që shkruajnë, atyre që lexojnë e padyshim atyre që i botojnë. Botimet e përzgjedhura me kujdes që nga materialet e përkthyera nga profesionistët më të mirë në vend, ilustrimet befasuese dhe origjinale duke përfshirë idetë e mëdha deri në detajet e përditshme apo printimin cilësor, duket se e kthejnë këtë shtëpi botuese në një prej gjërave më të bukura që ndodhin në realitetin shqiptar.

Po sa të informuar jemi rreth këtij fakti edukativ që zbret veçanërisht në duart e fëmijëve kureshtarë si një dhuratë prej Zotave që siduket ende nuk na kanë harruar për të na dhënë atë që na mungon aq shumë: informacionin.

“Puna jonë zuri fill që në vitin 1995 ” shprehet Janaqi, një prej dy vëllezërve Baguca që drejtojnë Aeditions, një nga shtëpitë botuese e fokusuar kryesisht tek librat për fëmijë.

“Në ato vite deri më ’96-ën në tregun shqiptar nuk shquaje thuajse asgjë për fëmijë. Ndërkaq, unë dhe im vëlla në femijërinë tonë ishim rritur me libra. Fëmijët duhet të rriten me libra! Kjo ishte shtysa kryesore. Duke parë libraritë e Europës dhe kryesisht Amerikës me një pafundësi botimesh për fëmijë, dëshira ishte që edhe fëmijët shqiptarë t’i kishin këto botime.”

Ai ka të drejtë. Përse të mos jemi të lumtur si dikur? A nuk përkonte zanafilla përrallave shqiptare që erdhi si traditë veçanërisht e poezisë popullore e njëjtë me ato të popujve të tjerë të Ballkanit? Ku shkuan orët, zanat e kuçedrat? Çufo gjumashi? Pikaloshja apo e Bukura e Dheut? Përrallat tona janë shquar për larminë e fantazisë, thurrjet interesante të subjekteve duke na dhënë gjykime për jetën, pa deformuar palcën e ëndrrës dhe të bukurës. Ku gjendet sot ky realitet?

Duket se i mbyti klima e teknologjisë e cila triumfoi mbi katastrofën tonë politike dhe ne ende nuk e vëmë re. A nuk është e dhimbshme?

Sot, pas 23 vitesh shtëpia botuese Aeditions na ofron një vizion të përgjithshëm e optimist rreth përrallave të botës, duke e fituar lumturinë e humbur edhe të përrallës shqiptare dhe shkuar kështu deri në thellësitë e savanës për të na prezantuar me një hipopotam të vogël që quhet “Trazovaç” dhe që jeton qysh prej kohëve të moçme ende aty. Në savanën e para ’90-ës. Pastaj hipën në majën e një lisi tjetër,ku jeton ende ketrushi “Pip”, për të shkuar kështu në pjesën e pasme të një koteci,e na prezantuar pulën zemërmirë që quhet “Kuqaloshe” dhe më tej me elefantin e lumtur që hidhet sa andej-këndej, e emrin ia thonë “Gazmor”.

Këta janë vetëm katër nga personazhet kryesore të serisë së librave “jetojmë së bashku”.

Për të vijuar me një mori botimesh : “Kutiza e rrëfenjave për vajza bukuroshe”, ” Aventura e madhe e pinguinit të vogël”, “Rrëfenja të fermës”, “Rrëfenja me dinozaurë”, “Bletë Zuzunja”, ” 365 rrëfenja para gjumit”, pa harruar dhe vëllime me 12-16 -të të Përrallave klasike apo ” Borëbardha dhe përrallëza të tjera”, etj.

“Sekreti i suksesit tonë është pasioni dhe dashuria. Ta duash diçka me pasion, do të thotë ta bësh atë të përsosur- vijon Baguca duke rrëfyer se shpesh e nisin procesin e botimit në shqip, në të njëjtën kohë me përgatitjen e librit në gjuhën origjinale dhe ndjekin hap pas hapi çdo hallkë në procesin e botimit.

Sepse, leximi i librave të mirë sikundër shkruante Rene Descartes, është sikur biseda me njeriun më të mirë nga shekujt e kaluar.