MENU
klinika

Nis epoka ekskluzive dixhitale

Fiket analogu në Tiranë dhe Durrës

10.09.2018 - 15:26

Duke filluar nga dita e hënë, janë mbyllur të gjitha transmetimet televizive analoge në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Nga dita e sotme dhe në vijim, në këto dy qarqe, ku banon rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, ndjekësit e programeve televizive do t’i arrijnë ato vetëm me teknologji dixhitale.

Sipas Autoritetit të Mediave Audiovizuale, fikja e transmetimeve analoge nga televizionet kombëtare apo ato lokale e rajonale është shoqëruar dhe me mbylljen e transmetimeve dixhitale të palicencuara, si dhe është zgjidhur çështja e renditjes së kanaleve. Prej përfundimit të këtij procesi qytetarët do të ndjekin 34 kanale pa pagesë nga paketat programore publike dhe private që janë në transmetim.

Kalimi i plotë në transmetime dixhitale tokësore u shty për vite me radhë dhe u realizua në mënyrë të përshkallëzuar, duke i fikur transmetimet analoge sipas qarqeve. Tashmë, të gjithë televizionet kanë kaluar në platformat dixhitale të licencuara. Këto platforma do të jenë të detyruara të transmetojnë pa pagesë për publikun sinjalin e ish-kanaleve analoge tokësore. Për marrjen e sinjalit dixhital tokësor nevojitet një televizor që suporton formatin DVB-T2; televizorët e prodhuar në dekadën e fundit përgjithësisht e ofrojnë këtë mundësi dhe shikuesve nuk iu nevojiten pajisje shtesë.

Për televizorët që nuk e suportojnë formatin në fjalë, nevojitet një aparat dekoder universal. Këto pajisje mund të gjenden në shumicën e dyqaneve të pajisjeve elektronike, përveçse ofrohen nga platformat televizive dixhitale. Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, qeveria ka ngritur një skemë që mundëson pajisjen falas me këto aparatura.