MENU
klinika

Arsyet e mbylljeve

Gjirokastër, falimentojnë bizneset

26.09.2018 - 12:53

Rreth 150 biznese te vogla, kryesisht njësi tregëtare në Gjirokastër kanë mbyllur aktivitetin e tyre vetëm gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti, fakt që pohohet edhe nga Asim Peta, Drejtori i Agjensisë së të Ardhurave pranë Bashkisë së qytetit.

“Prej muajit janar pranë zyrës sonë janë paraqitur një numër i konsiderueshëm tregëtarësh të biznesit të vogël të cilët paraqesin dokumentacionin dhe kërkesën përkatëse për tu larguar nga skema ku kanë qenë të regjistruar deri më sot.

Pothuajse në të gjitha rastet ato kanë ardhë si shkak i mos konsolidimit të të ardhurave të tyre, gjë që i ka detyruar pronarët e këtyre njësive të marrin këtë vendim” thotë Peta.

Sot në Gjirokastër numri i subjekteve të mbyllur mund të dallohet lehtësisht me sy të lirë ku njoftime si: shitet apo jepet me qera gjenden në pjesën dërrmuese të dyqaneve që kanë qenë funksionale deri pak kohësh.

Ndryshimet e shumta ne ligjin mbi detyrimet financiare që këto subjekte duhet të paguajnë, apo përfshirja e tyre në Tvsh janë arsyet kryesore të kësaj situate, pa përmendur këtu dhe gjendjen ekonomike që lë për të dëshiruar.

Për shumë subjekte ky aktivitet ka qenë burim të ardhurash minimal dhe natyrisht mbyllja e tyre shoqërohet me humbjen e vendit të punës për mjat persona, qofshin edhe ata të vetëpunësuar familjar.

Më të lehtësuar nga kjo situatë janë bizneset që operojnë në zonën muzeale ku taksat që ata duhet të paguajnë janë zeruar nga Bashkia me qëllim rijetëzimin e zonës muzeale e sigurisht referuar këtij fakti edhe çmimet e produkteve të ndryshëm ofrohen janë normale dhe konkurruese në treg.

Prej kohësh Gjirokastra ka humbur “shkëlqimin”e saj ekonomik ku sipas tregëtarëve kjo vjen si pasojë e mungesës së politikave ekonomike,por edhe uljes drastike të të ardhurave financiare nga ana e emigrantëve të cilët jetojnë e punojnë jashtë vendit tonë.

Gjatë vitit të kaluar në bazë të informacioneve në rang qarku mbi 3000 qytetarë janë larguar nga ky rajon që përfshin 7 bashki, Gjirokastër, Dropull, Libohovë, Tepelenë, Memaliaj, Përmet e Këlcyrë, ku niveli ekonomik është akoma dhe më i ulët, kjo bazuar në kërkesat për punësim por dhe numrit tepër të ulët të bizneseve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto zona.

Shumica e qytetarëve ose emigrojnë ose i drejtohen kryeqytetit për mundësi jetese më të mirë, ndërsa shifrat bëhen edhe më të frikshme po të kemi parasysh faktin se jo të gjithë “të larguarit” kanë tërhequr pasaportizimin pranë zyrave të Gjendjes Civile ku janë aktualisht të rregjistruar.

Në Gjirokastër sot numërohen rreth 1360 biznese shumica e tyre janë në mbijetesë dhe ngelet për tu parë vazhdimësia e tyre.