MENU
klinika

Investimet

Gjirokastër, nis restaurimi i kalldrëmeve

29.09.2018 - 13:15

Afro 140 milionë  lekë është fondi i mundësuar nga Banka Botërore i cili do të investihet për restaurimin e kalldrëmeve karakteristikë në Gjirokastër në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton që prej vitit 2017 në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Turizmit, bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë, si dhe aktorë të tjerë interesi.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 5,290 m² dhe ndërhyrja do të prekë të gjitha rrjetet infrastrukturore nëntokësore: rrjetin e ujësjellës- kanalizimeve dhe rrjetin elektrik që janë ndërtuar në të njëjtën kohë me të gjitha ndërtesat rezidenciale të zonës rreth 60 vjet më parë. I gjithë rrjeti rrjeti inxhinierik nëntokësor do të ndërtohet rishtas dhe do të përfshijë edhe sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ndricimin publik, telefoninë, etj.

Punimet tashme kanë nisur në Pazarin karakteristik i cilësuar monument kulturore i kategorisë së parë që u shpall pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nga UNESCO në korrik 2005. Po ashtu për 8 sheshe projekti parashikon mobilim urban me stola druri, panele informuese, çezma publike, vendparkim për biçikleta,si dhe gjelbërim me lule e bimë dekorative.

Që prej ndërtimit të saj Qafa e Pazarit luan një rol të rëndësishëm socio-ekonomik për qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës. Pozicioni i saj në qendër të qytetit, zgjerimet kompozicionale dhe aspekti arkitektonik-dekorativ i japin kompleksit një rëndësi të veçantë për llojet e pazareve në Shqipëri.

PZHIUT është një program që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës urbane, dhe nxitjen e turizmit për zhvillimin e ekonomisë lokale në bashkitë Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë.Në fakt ajo që po i bën qytetarët e Gjirokastrës skeptikë në këtë drejtim,pavarësisht se kanë përshëndetur këtë ndërhyrje,është pyetja që me të drejtë ata ngrenë? Cilët do të ustallarët apo mjeshtrat që do të kryejnë këto punime?

A do të mund ti rezistojnë kohës apo kjo ndërhyrje do të ketë fatin e kalldrëmit pranë lagjes Varosh, i cili u restaurua disa vite më parë por shiu i parë i stinës së vjeshtës së asaj kohe nxorri në pah probleme të shumta e njëherazi cilësinë e dobët të punimeve.Rikonstruksioni i fundit që i është bërë rrugës me kalldrëm pranë zonës muzeale daton në vitet 1970 – 1974.

Rruga ka degraduar për shkak të mungeseës së mirëmbajtjes dhe riparimit. Gjatë ndërhyrjes do të riparohet 85% e gurëve ekzistues, ndërsa pjesa tjetër do të zëvendësohet me gurë të rinj me të njëjtat karakteristika.