MENU
klinika

Veproni në kohë!

Gjithçka duhet të dini rreth arterosklerozës

13.09.2018 - 14:57

Sëmundja e arterieve koronare (CAD) është një gjendje që ndikon në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak. Zakonisht shkaktohet nga ateroskleroza e cila është një grumbullim i pllakës brenda mureve të arteries.

Ky ndërtim shkakton ngushtim brenda arterieve të cilat ngadalësojnë qarkullimin e gjakut.

A e dini se?

Gjatë kësaj sëmundjeje pllaka ateriosklerotike zhvillohet në murin e arterieve koronare dhe me kohë i ngushton ose bllokon ato. Në fillimet e shekullit të XX, Dr. Alexis Carrel, fitues i çmimit Nobel, tentoi për herë të parë të kryente by-passin aorto-koronar.

Pa makinën zemër-mushkëri ai arriti të kryente by-passin e parë tek kafshët.

Në vitet që do të vinin u bë shumë pak në këtë drejtim, derisa në vitin 1930, kur një kirurg francez i quajtur Dr. Rene Leriche përpunoi një teknikë, e cila konsistonte në implantimin e muskulit skeletrik përreth zemrës së kafshëve në laborator, duke shpresuar që kështu do të formoheshin enë të reja gjaku në muskulin e zemrës.

Kjo linjë studimore u ndoq nga Dr. Claude Beck në Cleveland, SHBA, i cili konfirmoi krijimin e këtyre enëve të reja të gjakut në muskulin e zemrës nga indi i muskulit skeletrik që ishte vendosur mbi zemër.

Në tentativën e tij të parë tek njeriu, Dr. Beck rrethoi zemrën me një pjesë të një muskuli skeletrik të kraharorit.
Me kohë, enë të reja gjaku u krijuan dhe gjendja e pacientit u përmirësua dhe dhimbjet e kraharorit u zhdukën. Ai, gjithashtu kreu variacione të këtij interventi në 16 pacientë të tjerë.

Në vitin 1946, një kirurg kanadez i quajtur Dr. Arthur Vineberg kreu operacionin e parë tek një pacient me bllokim të arterieve koronare.

Pasi hapi një vrimë në muskulin e zemrës, ai tunelizoi arterien mamare të brendshme të majtë (left internal mammary artery – LIMA) brenda në muskulin e zemrës, por nuk e lidhi atë në mënyrë direkte me ndonjë prej arterieve koronare.

Ai shpresonte në krijimin e enëve të reja të gjakut, të cilat duke u furnizuar nga LIMA do të zëvendësonin arterien koronare të bllokuar.

Pas disa muajsh, enë të reja gjaku u krijuan në muskulin e zemrës duke i dhënë kësaj të fundit një burim të ri gjaku të oksigjenuar.

Megjithëse interventi i Vineberg gëzoi një popullaritet në dekadat që do të vinin, edhe ky nuk jepte rezultatet e duhura, sikurse edhe interventi i Beck, pasi që të krijoheshin enë të reja gjaku duheshin muaj dhe nuk krijoheshin në çdo pacient që i nënshtrohej procedurave të tilla.

Afërsisht në të njëjtën periudhë, kirurgët filluan të kryenin një procedurë që quhej endarterektomi, e cila nënkuptonte pastrimin e arteries koronare nga materiali aterosklerotik i pllakës që kishte shkaktuar ngushtimin apo bllokimin e saj.

Shpesh endarterektomitë e kryera ishin shumë ekstensive dhe kryheshin në të gjithë gjatësinë e arteries koronare të dëmtuar, e cila duhej të hapej e tëra për të kryer këtë procedurë kirurgjikale.

Megjithëse rezultatet e kësaj procedure në enët e mëdha të gjakut ishin të mira, nuk ndodhte kështu në arteriet koronare të cilat, kishin një kalibër tepër të vogël.

Disa pacientë të cilët, i ishin nënshtruar endarterektomisë mbijetuan për shume vite, por shumica vdisnin ose shfaqnin bllokime të reja të arteries koronare pasi koagulat formoheshin në vendin e pllakës aterosklerotike.

Vdekshmëria e lartë u konsiderua si e papranueshme dhe kështu mjekët vazhduan kërkimet e tyre për të gjetur rrugë të reja të trajtimit të sëmundjes së arterieve koronare.