MENU
klinika

Ilnisa Agolli

Homazh për tragjedinë e Otrantos

10.09.2018 - 16:24

Mbytja e “Katërit të Radës” në amfiteatrin e Tiranës.

Është mbrëmja e së Premtes së Shenjtë. Në orën 18:57 të 28-të marsit 1997, një motoventë e vogël shqiptare e mbingarkuar me emigrantë, goditet nga korveta e Marinës ushtarake italiane, Sibilla. Brenda pak minutash anija fundoset në kanalin e Otrantos. Nga 140-të persona në bord, 81 u mbytën dhe 27-të të tjerë nuk u gjetën kurrë.

Kanë kaluar 21 vjet dhe ujërat e Otrantos janë më të kripura nga lotët e familjarëve që humbën të afërmit e tyre në tragjedinë më të madhe në det shkaktuar nga politikat e sprapsjes.

Si homazh i viktimave të Otrantos, me mbytjen më të tmerrshme të anijeve që kanë ndodhur në Mesdhe, amfiteatri i Tiranës do të shfaqë sonte operan “Katër i Rades” – Il naufragio (fundosja e anijes). Një vepër e porositur nga Bienalja e Venecias, realizuar nga qendra e prodhimit teatror Corea në Itali, me muzikë dhe dirigjim të Admir Shkurtaj, regji të Salvatore Tramacere dhe libret të Alessandro Leograndes, autor dhe i romanit “Mbytja e anijes” (Vdekje në mesdhe).


Një shkrimtar ky që ka hetuar gjatë mbi mbytjen e anijes të asaj së Premte të Shenjtë, ka takuar të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave, ushtarakët, avokatët, aktivistët e shoqatave antiraciste dhe është endur nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë prej nga ishin nisur edhe emigrantët e ndjerë. Leogrande me këtë libër që në Itali hapi njē debat të gjerë, fitoi çmimin “Paolo Volponi” për letërsinë dhe angazhimin qytetar dhe çmimin Ryszard Kapuścinksi për aftësinë e të rrëfyerit të vendeve dhe kulturave e të vëzhguarit si kronist dhe të paraqiturit si rrëfimtar.

Mbytja e “Katërit të Radës”, përbën një gur prove për të gjitha mbytjet e anijeve të tjera në të ardhmen. Jo vetëm e studiuar prej anës politike por dhe histerisë istitucionale që preku dhe shkaktoi, aq sa termat e çështjes sot janë po ato, dhe cinizmi e mospërfillja e forcës politike në qeveri vazhdon ende të flasë për bllokimet detare në Mesdhe.

Të shumta janë reagimet nga personalitete sa i takon operës apo librit. Filippo La Porta është shprehur se : ” Kjo është tragjedia më e madhe në det e shkaktuar nga marrëveshje midis shteteve dhe nga politika sprapsjeje.” Ndërsa Gianni Amelio , ka shkruar : ” Unë kam një djalë shqiptar dhe kam një familje shqiptare. Ajo që më bën përshtypje nga libri, është saktësia e Alessandro-s dhe mënyra e tij për të mos dhënë asgjë të stërditur emocionalisht. Më kujtohet se Agamben-i disa ditë pasi u mësua lajmi për ngjarjen, shkroi në një artikull aktakuzën më të madhe që mund të bëhej. Ishin dy lista emrash që ai kërkonte: Emrat e atyre që kishin përfunduar në det dhe emrat e atyre që kishin dhënë urdhrat për t’iu afruar derisa ta çiknin.

Me siguri nga relikti u nxorrën 52 trupa. Kurse 5 të tjerë ishin gjetur më parë në det. Ndaj numri i trupave të gjetur është 57-të.

31 vetë ishin më pak se 16-të vjeç. Mosha më e vogël është ajo e David Seferaj 1- muajsh dhe Ronald Roshi i cili ishte vetëm 2 vjeç.