MENU
klinika

321 mijë abonentë

Interneti, pas Serbisë jemi më të lirët në rajon

08.09.2018 - 10:52

Numri i përdoruesve të internetit në mesin e këtij viti ka arritur në 321 mijë.  Sipas statistikave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, gjatë tremujorit të dytë, këtij shërbimi i janë shtuar rreth 6500 abonentë.

Tregu po rritet me ritme relativisht të shpejta dhe krahasuar me mesin e vitit të kaluar, numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse është zgjeruar me 15%. E shprehur si numër pajtimtarësh, në një vit janë shtuar afro 42 mijë abonentë të rinj të shërbimit të internetit. Pjesa më e madhe e abonentëve të internetit e shfrytëzojnë lidhjen për të marrë më shumë se një shërbim komunikimi, përfshi edhe telefoninë fikse dhe televizionin. Numri i abonentëve që marrin të paktën dy prej këtyre shërbimeve njëkohësisht ka arritur në 211 mijë, në rritje vjetore me afro 9%. Prej tyre, 102 mijë abonentë marrin njëherësh tre shërbime përmes një lidhjeje të vetme. Përfshirja e platformave televizive me pagesë i ka dhënë një shtysë të mëtejshme zgjerimit të shërbimeve të integruara të komunikimit. Sidoqoftë, penetrimi ende i ulët i linjave fikse ngelet një pengesë për të rritur numrin e abonentëve të internetit edhe jashtë qendrave të rëndësishme urbane të vendit.

Ndërkohë, për sa i takon kostove të shërbimit, Shqipëria renditet e dyta në rajon për tarifat më të lira të internetit me brez të gjerë. Sipas një studimi nga kompania e specializuar point topic, Shqipëria vjen pas Serbisë dhe renditet në vendin e 39-të nga rreth 80 vende të marra në analizë nga kjo kompani.

Metodologjia e krahasimit mbështetet në metodën e llogaritjes së tarifave të internetit broadband sipas parimit të paritetit të fuqisë blerëse, për të amortizuar diferencat që rrjedhin nga zhvillimi i ndryshëm ekonomik i vendeve. Analiza ka marrë në konsideratë tarifën për një lidhje internet bazë dhe tarifën mesatare të shërbimit në secilin vend. Renditja përfundimtare është bërë duke nxjerrë mesataren mes këtyre dy tarifave. Në rastin e Shqipërisë, tarifat për lidhjen bazë të internetit janë mjaft të ulëta, dhe na rendisin të dytët në botë. Por, duke llogaritur edhe tarifën mesatare të shërbimit, Shqipëria rezulton në vendin e 44-të në Botë dhe renditja e saj përkeqësohet ndjeshëm. Sipas kësaj teknike matjeje, vendi më i lirë në rajonin tonë rezulton Serbia, ndërsa më i shtrenjti Maqedonia. Mes 80 vendeve të marra në analizë, tarifat më të lira i kanë Venezuela, Rusia dhe Ukraina.