MENU
klinika

Nga Albert Çaçi

Iraku mes Iranit dhe Arabisë Saudite

02.09.2018 - 17:03

Konflikti themelor i gjithë Lindjes se Mesme në këta 70 vjet ka qënë padyshim ai israelito- palestinez, por ngjarjet e 5 viteve të fundit e kaluan në plan të dytë, pasi tashmë primar është konflikti midis bllokut sunit te udhëhequr nga Arabia Saudite dhe ai shia të udhëhequr nga Irani .

Ështe nje konflikt me një shkallë të tillë urrejtje dhe rrezikshmërie që përbën sot kërcënimin më të madh për paqen dhe me një probalitet shumë të madh për konflikt të armatosur.

Lindja e Mesme sot është e ndarë në dy zona influence mjaft kundërshtuse që nuk lënë rast pa e demonstruar.

Ky rivalitet ka motivacione historike,fetare.ekonomike, gjeopolitike dhe gjeostrategjike që shkojnë përtej një konfrontimi dogmatik midis suniteve dhe shiteve ashtu sic përshkruhet shpesh në mënyre sempliste.

Aktualisht në nivelin gjeopolitik A.Saudite ndodhet pa dyshim në vështirësi.

Lufta 6 vjecare për të përzënë aleatin e Iranit, Asadin, dhe krijimin e një drejtimi sunit pro-saud në Siri, dështoi.

Nga ana tjetër Hesbollahu shiit i financuar nga Irani rezulton gjithmonë dhe më i radikalizuar në politikën libanese , një dinamikë që e tremb jo pak regjimin Saud siç e demonstroi dorëheqja e kryeministrit sunit, Hariri.

Ajo ka shpenzuar mbi 30 miliard dollarë për të mposhtur Huthët, aleatët e Iranit në Jemen dhe tani ndodhet e bllokuar ushtarakisht dhe pa një rrugëdalje të shpejtë.

Egjipti, shteti më i madh sunit në Lindjen e Mesme, jo vetëm që se mbështet, por është tërhequr dhe nuk përzihet më në këto konflikte.

Trauma e shkaktuar nga Vllazëria Myslimane ka lënë pasoja të rënda në shoqërinë egjiptiane.

Në këto kushte strategët gjeopolitik saud kanë identifikuar tek Iraku qendrën e një beteje shumëdimensionale strategjike për të ardhmen dhe rolin e Arabisë Saudite në gjithë Lindjen e Mesme.

Historikisht marrëdhëniet midis dy vëndeve kanë patur shumë ulje-ngritje.

Ato kanë lëvizur midis një bashkëpunimi të ngushtë me Sadamin sunit kur ky luftoi në vitet 80 me Iranin per 8 vjet duke e financuar me rreth 20 miliard dollarë deri tek konflikti i hapur në dy luftrat e Gjirit, kur prapë financuan 38 miliard dollarë këtë radhë për koalicionin anti-Sadam.

Kjo solli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe mbylljen e kufirit, ndalimin e linjave ajrore dhe hekurudhore si dhe sekuestrimin e naftësjellsit IPSA që lidhte dy vendet.

Riadi u bë promotori kryesor ne krah të SHBA-së, për të rrëzuar dhe eleminuar Sadamin.

Për 25 vjet rrjesht dy vende fqinjë ndërprenë cdo lloj marrëdhënie, dinamika këto që ndodhin vetëm në Lindjen e Mesme.

Por strategët saud gabuan llogaritë pasi mbas rënies së Sadamit vendi me një popullsi 62 % shiite ra totalisht nën influencën e Iranit dhe sidomos mbas vitit 2008 me kryeministër Al- Maliki.

Mbas mposhtjes së ISIS dhe vënies nën kontroll te kurdëve me forcë, situata tashmë është e qetësur nga ana ushtarake por shumë problematike politikisht.

Sunitet e Irakut, mbështetësit e flaktë të Sadamit që përbëjnë 30% të popullsisë, bile që një mbështeten edhe ISIS(që ishte me përbërje eskluzivisht sunite) për tju kundërvënë Bagdatit shia tani kanë mbetur përsëri pa ndonjë perspektivë politike të qartë dhe marrëdheniet me shia janë shumë të komplikuara.

Pa pjesëmarrjen e sunitëve, skena politike nuk funksionon në Irak dhe ky është një boshllëk shumë i madh politik.

Këtu synon tashmë të hyjë Arabia Saudite që të bëhet mbështetja e kësaj pjesë të popullsisë, rreth 10 milion banorë për të ekulibruar dominimin e shiitëve të mbështetur nga Irani.

Në skakierën aktuale të Lindjes se Mesme Iraku përbën një nyje shumë të rëndësishme mbi të gjitha në vazhdimësine territoriale të gjysëm hënës së kuqe shiite midis Iranit dhe Sirisë dhe Libanit.

Duke u përfshirë si pjesë e alancës së 50 shteteve kundër ISIS, Arabia Saudite synon tashmë të këtë një rol në rikonstruksionin e Irakut duke shfrytëzuar cdo rast për të zhvilluar marrëdhënie të reja dhe duke u propozuar si një pikë referimi politiko-institucionale dhe ekonomike-tregtare për Bagdatin.

Arabia Saudite ka kuptur qartë se tashmë Iraku ndodhet në një pikë kyce të zhvillimit te tij.

Iraku ka ndjerë rrezikun që i vjen vëndit nga vazhdimi i një politike sektare dhe po synon të loz me faktin që irakianët vërtetë janë myslimanë por kanë përkatësi arabe dhe jo perse.

Irakianët janë shumë krenarë historikisht dhe një dominin absolut nga Irani nuk do ta durojnë për shumë kohë aq më tepër që Irani tashmë po bie nën sanksione ekonomike amerikane dhe ata nuk duan që të bien në këtë rrjetë.

Iraku ka nevojë urgjente për fonde të shumta financiare për rikonstruksionin e vendit, dhe këto një Iran nën sanksione nuk mund tja sigurojë në kundërshtim me A.Saudite që ka afruar mbi 30 miliard dollarë.

Ajo synon të krijojë lidhje të reja ekonomike klienteliste me popullsinë sunite irakiane duke ndikuar mbi lëvizjet politike sunite, dhe jo detyrimisht ato nacionaliste.

Nga pikëpamja politiko-institucionale për herë të parë që nga 1990 dy vendet vendosen marrëdhënie diplomatike dhe ambasada saudite u rihap në Bagdad dhe vitin e shkuar kryeministri iraken, Al-Abadi, vizitoi pas 30-vitesh Riadin.

Në nivelin ekonomiko-tregtar, është hapur pjesërisht kufiri dhe u rivendos lidhja ajrore dhe hekurudhore Bagdad-Riad dhe u lejuan këte vit për herë të pare 1000 pelegrine irakiane për të marrë pjesë në zhvillimin e aktiviteteve në Mekë duke krijuar një atmosferë të re solidariteti në nivelin fetar.

A Saudite ka frikë ta hapë plotësisht kufirin me Irakun pasi shumë nga xhihadistët e mundur të ISIS mund të kalojnë në territorin saud për tu hakmarrë ndaj saj .

A.Saudite synon tashmë që edhe me bekimin e SHBA-së të krijojë një partnership energjitik pasi Iraku ka rezevat e treta të naftës në botë duke i propozuar një aleance brenda OPEK.

Do të jetë shumë e vështirë pasi në këta 25 vjet Iraku dhe Irani kanë një politike të ndërlidhur energjetike ku edhe shumë puse dhe rafineri i kanë të përbashkëta.

Sidoqoftë A Saudite po tenton me durim.

Duke konsideruar këtë manovër provokatore të rritjes së influencës saude në territorin irakien ku A,Saudite ka shumë për të fituar dhe Irani ka shumë për të humbur është natyrale të shtrohet pyetja nëse kjo situatë mund të shpjerë deri në nje konfrontim midis dy aktorëve .

Një gjë duhet kuptur se nje Irak që del nga orbita iraniane është dështimi më i madh strategjik per Iranin.

Reagimi i tij nëpërmjet krahut të tij të armatosur të milicisë shiite irakene, PMU,( 140 000 pjestarë të financuar dhe komanduar nga Irani dhe që lozën një rol determinant në mposhtjen e ISIS dhe mbrojtën Bagdatin) mund që në cdo moment ta cojë vendin deri në luftë civile dhe deri në shpërbërjen e shtetit unitar dhe Iraku është koshient për këtë.

Deri tani Irani dhe Arabia Saudite kanë kryer disa luftra asimetrike me prokurë si në Siri, Liban, Jemen, por kanë evituar një përballje direkte .

Iraku, përbën në këtë moment një skakierë të një loje shumë delikate ku lojtarët lëvizin me shumë kujdes gurë të rrezikshëm por pa përmbysur tavolinën .

Iraku mbas 25 vjetësh është kthyer në një playmaker të Lindjes se Mesme.

Ai duhet të lozi me shumë kujdes mes një vije shumë të ngushte midis një ndihme financiare të fuqishme për zhvillim ekonomik të afruar nga Arabia Saudite dhe mbas tyre SHBA dhe për rjedhojë në qetësimin e sunitëve irakenë, por duke mos neglizhuar për asnjë moment popullaritetit dhe forcës së Iranit në pjesen dërrmuese te popullsisë së Irakut.

Një manovër për strategë gjeopolitik të dorës së parë por deri tani klasa politike irakiene nuk ka dëshmuar se ka lidera me stofë të tillë.

Por një gjë është e qartë se nga pozicionimet e Irakut do të varen shumë ekuilibra të brishtë të Lindjes së Mesme.

Fakti që dje Iraku i mbylli hapësirën ajrore aviacionit luftarak të Rusisë të drejtuar për në Siri mbas 6 vitesh tregon se gjërat kanë filluar të lëvizin dhe konfrontimi Iran-ShBA që po duket në horizont do të dëshmoje se cilën anë do të mbajë Iraku .