MENU
klinika

Investimet e huaja në Shqipëri

Kapitali grek ruan “fronin”

01.09.2018 - 16:32

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se Greqia ruajti pozicionin e investitorit më të madh të huaj në Shqipëri dhe për vitin 2017.

Stoku i investimeve greke në fund të vitit të kaluar arriti në 1.28 miliardë euro, me një rritje të mëtejshme me rreth 20 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Investimet greke janë të përqendruara në sektorë të shërbimeve strategjike, si sektori financiar financiar dhe telekomunikacionet. Megjithatë, prania greke me shumë të ngjarë është e destinuar të reduktohet gjatë viteve të ardhshme. Këtë vit, grupi bankar NBG shiti bankën e saj shqiptare te Banka Amerikane e Investimeve, ndërsa në fillim të muajit gusht Grupi i Pireut njoftoi arritjen e marrëveshjes për të shitur Tirana Bank te një joint venture i formuar nga grupi shqiptar Balfin dhe banka më e madhe maqedonase, Komercijalna Banka.

Pas Greqisë, renditen Zvicra me 888 milionë euro, Kanadaja me 883 milionë euro dhe Hollanda me 846 milionë euro. Vlera e investimeve nga këto vende lidhet kryesisht me projekte të mëdha individuale. Investimet zvicerane përfaqësojnë kryesisht gazsjellësin TAP, projekt i madh i disa korporatave nga vende të ndryshme, por i regjistruar si shoqëri tregtare pikërisht në Zvicër. Investimet kanadeze i takojnë kompanisë së nxjerrrjes së naftës bruto, Bankers Petroleum, ndërsa ato hollandeze, në pjesën më të madhe, kompanisë Devoll Hydropower. Këto shembuj në fakt tregojnë se statistikat zyrtare për investimet e huaja sipas shteteve jo gjithmonë japin një informacion të qenësishëm për origjinën e kapitalit. Për shembull, Bankers Petroleum është blerë që në vitin 2016 nga një kompani kineze, megjithatë, duke qenë se kontrolli bëhet përmes kompanisë mëmë që është ende e regjistruar në Kanada, investimet e Bankers vazhdojnë të figurojnë si kanadeze. Gjiganti norvegjez i energjisë, Statkraft, e kontrollon shoqërinë Devoll Hydropower përmes një filiali të saj të regjistruar në Hollandë. Për këtë arsye, investimet në hidrocentralin e Devollit rezultojnë si hollandeze. Edhe kompani të tjera të rëndësishme, si Spitali Amerikan apo Abcom, zotërohen nga shoqëri të regjistruara në Hollandë.