MENU
klinika

Miratohet themelimi

Konkurrenca hap rrugën për Air Albania

28.09.2018 - 13:57

Autoriteti i Konkurrencës i hapi rrugë të enjten krijimit të kompanisë së fluturimeve Air Albania. Për mes një vendimi zyrtar, Autoriteti  miratoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet krijimit të ndërmarrjes së përbashkët. Aksionerë në shoqërinë e re do të jetë kompania turke Turkish Airlines (Turk Hava Yollari) me 49% të aksioneve, kompania private shqiptare MDN Investiment, me 49% të aksioneve dhe kompania publike Albcontrol, me 10% të aksioneve.

Nga analiza e tregjeve përkatëse, Autoriteti i Konkurrencës arriti në përfundimin se ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.

Me fillimin e aktivitetit të kësaj shoqërie, shteti shqiptar do të paraqitet me linjën e vet kombëtare, duke ofruar shërbim në linja të cilat me parë ofroheshin vetëm nga operatorë të huaj. Sipas Autoritetit, shoqëria e re pritet të sjellë efekte pozitive mbi konkurrencën në tregun e transportit ajror nëpërmjet çmimeve më të mira dhe cilësisë së shërbimit.

Shoqëria Air Albania do të fillojë fluturimet në linjën Tiranë-Stamboll dhe më vonë do shtrihet në Romë, Bolonjë, Londër dhe në linjat ndërkontinentale,  duke plotësuar kërkesën konsumatore për zgjedhje të reja dhe duke rritur shkallën e zëvendësueshmërisë së shërbimit nga ana e ofertës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN