MENU
klinika

Në skenë Klodian Allajbeu

Konkurrenca ‘nxin’ tregun ushqimor

06.09.2018 - 12:10

Autoriteti i Konkurrencës ka gjetur abuzime të rënda nga kompania që administron tregun e shumicës së produkteve agro-ushqimore në Tiranë.

EKMA Albania, që ka marrë nga bashkia Tiranë monopolin e magazinimit dhe tregtimit me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë, po shfrytëzon pozitën e saj monopoliste për të siguruar fitime të padrejta ndaj subjekteve që marrin me qira ambiente për të magazinuar dhe tregtuar produkte ushqimore.

EKMA Albania kontrollohet nga Klodian Allajbeu, drejtor i Spitalit Amerikan dhe një prej klientëve të rëndësishëm të qeverisë së majtë dhe që po fuqizohet së tepërmi vitet e fundit.

Hetimi paraprak ka arritur në konkluzionin se ky subjekt aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike; që i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë prej 76.1%. Çmimet e qirasë të aplikuara nga ndërmarrja sjellin pasoja për konsumatorin final, duke rritur koston produkteve agro – ushqimore të cilat tregtohen nëpërmjet këtij tregu. Një shkelje akoma më flagrante është vendosja e çmimeve të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që tregtarët duhet të paguajnë realisht, sipas faturave të lëshuara nga OSHEE, si dhe UKT.

Gjithashtu, EKMA Albania aplikon kontrata të cilat përmbajnë kushte imponuese vetëm për qiramarrësin, që sjellin një humbje ose dëmtim të shpërpjesëtuar të interesave të palës kontraktuese. Kontrata detyron qiramarrësin të negociojë muaj për muaj për çmimin e saj, duke krijuar paqëndrueshmëri financiare dhe duke e vendosur këtë të fundit në kushte të pafavorshme konkurrence. Për të gjitha këto shkelje, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar dhe ndërkohë ka vendosur masa të përkohshme ndaj subjektit.

Nëse EKMA Albania nuk i ndërpret brenda 30 ditëve shkeljet e mësipërme, rrezikon të ndëshkohet me gjobë në 5% të xhiros së vitit paraardhës. Duke qenë se xhiro e vitit të kaluar ishte rreth 4 milionë euro, kompania rrezikon një gjobë prej 200 mijë eurosh.

Transferimi me detyrim i tregut agro-ushqimor të shumicës në autostradën Tiranë-Durrës shkaktoi protesta të ashpra të tregtarëve dy vjet më parë. Ata akuzuan Bashkinë se po e zhvendoste tregun për interesa klienteliste. Sjellja e EKMA Albania duket se po i vërteton akuzat e ngritura atëherë.