Angiografia e koronareve ose koronarografia u përshkrua për herë të parë në vitin 1962 nga Dr. Mason Sones nga Cleveland Clinic.
Duke qenë se koronarografia bën të ditur me ekzaktësi se ku ndodhet bllokimi i arterieve koronare dhe si janë vetë arteriet përtej bllokimit, koronarografia shënoi një hap shumë të madh përpara në zhvillimin e procedurave kirurgjikale të rivaskolarizimit të miokardit ose bypasit aorto-koronar.
Koronarografia kryhet në vende të specializuara që quhen ndryshe edhe laboratoret e kateterizmit kardiak. Në varësi të madhësisë së spitalit, financave që disponon dhe zhvillimit të shërbimit kardiovaskular, mund të ketë më shumë se një laborator të tillë ku kryhen kateterizimet kardiake duke përdorur pajisje të specializuara me rreze X.
Gjatë koronarografisë pacienti shtrihet në një krevat të veçantë ndërkohë që kardiologu kryhen kateterizimin.
Kardiokirurgët, normalisht nuk kryejnë koronarografi, pavarësisht që ata janë të trajnuar për të kryer edhe këto procedura. Ato kryhen nga një internist i cili ka përfunduar ciklin e specializimit në kardiologji dhe më pas në kateterizimin kardiak.
Gjatë koronarografisë, kateteri nuk futet brenda në zemër. Ndërkohë, lënda e kontrastit injektohet direkt në arteriet koronare që e kanë origjinën e tyre në aortë.
Kjo do të përcaktojë nëse ekzistojnë dëmtime të tipit aterosklerotik në sistemin e arterieve koronare. Nëpërmjet kësaj procedure mund të marrim informacion nëse bllokimet apo ngushtimet janë të gradave të tilla që mund të kërkojnë ndonjë ndërhyrje apo procedura të tjera terapeutike.
Përpara se sa kateteri të futet në organizëm, lëkura dizinfektohet dhe mpihet me anestetik lokal. Një agë e vogël përdoret për të shpuar venën ose arterien, dhe një fije metalike që ka rolin e guidës futet nëpërmjet agës në enën e gjakut që është caktuar si portë hyrje për të kryer kateterizimin kardiak.
Më pas një introduktor më i madh futet dhe brenda tij futet kateteri vetë i cili ka madhësinë e një fije makarone.
Ndërkohë që është brenda organizmit kateteri mund të shtyhet edhe më tej dhe mund të kalojë valvolat e gjakut dhe të futet në secilën prej dhomave të zemrës, ku mund të maten presionet. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në disa sëmundje të valvolave të zemrës.
Kateteret mund të përdoren për të hapur arteriet e bllokuara. Gjatë kësaj procedure, një kateter që në fund të tij ka një ballon futet fillimisht në segmentin e ngushtuar të arteries koronare. Më pas balloni fryhet dhe kështu arteria dilatohet duke shtypur pllakën aterosklerotike kundrejt murit të vetë arteries koronare.
Kur procedura përfundon arteria është e rihapur.