MENU
klinika

Detajet

Kosovë/ Vrasje brenda institucionit më të lartë të sigurisë

04.09.2018 - 12:10

Disa të shtëna raportohet se janë dëgjuar brenda ambienteve të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ndërsa mësohet se një person ka mbetur i vdekur.

Dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri nga një koleg brenda ambienteve të zyrës, për motive ende të paqarta.

Mediat kosovare raportojnë se viktima është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së, ka konfirmuar për KTV-në se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka ndërruar jetë.

Agjencia Kosovare Inteligjencës deklaroi se vrasja ndodhi mëngjesin e sotëm brenda objektit të së njëjtës agjenci.

Në këtë institucion kanë thënë se viktima në fjalë ishte punonjës i barit dhe se ndërroi jetë në QKUK pasi nuk arriti t’i rezistojë plagëve të marra. “Sot, më 04.09.2018, rreth orës 09:10, në objektin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka ndodhur gjuajtje me armë zjarri, me atë rast një zyrtar i sigurimit të brendshëm ka shtënë mbi një punonjës të bufesë. Viktima ka ndërruar jetë në QKUK”, thuhet nga AKI.

Gjithashtu është bërë e ditur se rasti nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së.

 

M.H